Lajme

Fillojnë kurset profesionale në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes

Autori: Gazeta inFokus 17:20 | 16 January 2018

Sot në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), të FSK-së në Ferizaj, u mbajt ceremonia e fillimit të mbajtjes së kurseve për pjesëtarët e FSK-së, për vitin shkollor 2018. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: zëvendësministri Burim Ramadani, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gezim Hazrolli, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Janos Csombok, atasheu ushtarak i SHBA-ve kolonel Jeffrey Fischer dhe oficerë të lartë dhe pjesëtarë të FSK-së.

Në emër të ministrit Rrustem Berisha, ceremoninë e përshëndeti zëvendësministri Burim Ramadani i cili përgëzoi FSK-në, për të arriturat e përgjithshme gjatë vitit 2017, duke shprehur përkushtimin për avancimin, ngritjen, trajnimin dhe profesionalizimin e institucioneve të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. ,,Ngjarja e sotme është një hap i madh për dëshminë e suksesit të FSK-së. Ministria jonë është në mbështetje të plotë të secilës fushë, duke përfshirë mbështetjen për Komandën e Trajnimeve dhe Doktrinës në avancimin e punës së saj profesionale, programit të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve”, shtoi zëvendësministri Ramadani. Ai në vazhdim të fjalës së tij tha se ,,Qeveria e Kosovës dhe MFSK-ja po punojnë me përkushtim në përmbylljen e suksesshme të procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke ofruar kështu një mundësi me vlerë të veçantë për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama theksoi se kjo ceremoni shënon fillimin e trajnimeve për vitin 2018. Mund t’ju them, tha ai, se si komandant i FSK-së jam i kënaqur me planifikimet që janë bërë. Gjeneral Rama duke iu drejtuar pjesëtarëve të FSK-së, shtoi se: ”motivimi, gatishmëria dhe disiplina për të marrë njohuri të reja duhet të jetë motivi shtesë për arritje të reja individuale”. Komandanti i FSK-së, duke folur për detyrat dhe sidat tha se “zhvillimi i FSK-së është në një fazë thelbësore për ardhmen e Republikës e Kosovës. Ju e dini që ky vit është përcaktues për ndryshimet e shumë pritura për transformimin e saj në Forca të Armatosura”.

-Advertisement-

Ndërsa komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjatë fjalës së tij, tha: “Për të realizuar misionin tonë, ne zhvillojmë kurse të ndryshme profesionale me anë të të cilave synojmë aftësimin e pjesëtarëve tanë, duke ndikuar në ngritjen e një force profesionale, të gatshme të përballet me sfidat e kohës”. Ai njoftoi se gjatë vitit 2018, në KDS, do të realizohen 35 kurse me gjithsej 74 gjenerata të kursantëve pjesëmarrës nga të gjitha njësitë e FSK-së, të cilat do të zhvillohen në: Qendrën për Zhvillim Profesional të Udhëheqësve, Qendrën e Stërvitjes Specialistike, Qendrën e Stërvitjes Kolektive, Qendrën e Stërvitjes Bazike dhe në Qendrën për Studime Universitare”.

Në fund gjeneral Cikaqi foli edhe për bashkëpunimin intensiv dhe profesional që ka KDS-ja me partnerët ndërkombëtarë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera