Lajme

FFK-ja publikon agjendën e ceremonisë së varrimit të Fadil Vokrrit

Autori: Gazeta inFokus 15:50 | 09 June 2018

Federata e Futbollit e Kosovës njofton se ceremonia e varrimit e Presidentit Fadil Vokrri do të zhvillohet nesër më 10 qershor në Prishtinë.

“Ceremonia do të organizohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Presidenti Fadil Vokrri, si figurë qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij, në shenjë nderimi, do të përcillet me të gjitha nderimet shtetërore”, thuhet në njoftim.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nesër më 10 qershor në Hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë sipas agjendës së mëposhtme:

-Advertisement-

12:00 – 13:30 Homazhe, Holli i Teatrit Kombëtar të Kosovës

14:00 – 15:00 Mbledhje komemorative,

17:00 Varrimi në varrezat e qytetit në Prishtinë

Federata e Futbollit e Kosovës ngushëllon të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë për këtë humbje të madhe të sportit.

Varrimi i Vokrrit nesër në Prishtinë në orën 17:00

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë sot pas sulmit që pësoi në zemër.

Lajmin për varrimin e të ndjerit Fadil Vokrri e ka dhënë nënkryetari i FFK-së Agim Ademi.

Ademi ka thënë se varrimi i Vokrrit do të bëhet nesër në Prishtinë në orën 17:00.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se në bazë të kompetencave të tij, ka autorizuar Protokollin e shtetit që të organizojë ceremoni shtetërore të varrimit, në shenjë nderimi për legjendën e sportit.

“Republika e Kosovës e ka për obligim nderimin dhe respektin për figurën e Fadil Vokrrit. Vokrri i dha frymë edhe shtetësisë së Kosovës duke u angazhuar çdo moment për ndërkombëtarizimin e sportit tonë. Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA pa dyshim ishte meritë e angazhimit të tij të madh. Emri i tij i respektuar në futbollin evropian i mundësoi Kosovës qasje më të lehtë aty ku e ka vendin, andaj Vokrri meriton nderimin dhe respektin e të gjithëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Legjenda e futbollit të Kosovës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka vdekur sot në moshën 57-vjeçare.

Vokrri ka vdekur si pasojë e një sulmi në zemër. Sulmi në zemër ndaj Vokrrit ka ndodhur rreth orës 9:30 të mëngjesit derisa po bënte fitnes. Avdush Bajgora ka thënë për KTV se në emergjencë, Vokrri ka shkuar pa shenja jete. “Ne vetëm e kemi konfirmuar vdekjen”, ka thënë ai.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera