Lajme

Festë e madhe e Pavarësisë së Kosovës në Landskrona

Autori: Gazeta inFokus 21:01 | 21 February 2023

Pesëmbëdhjetë vjetori i shpalljës së Pavarësisë së Kosovës është shënuar të premtën mbrëma edhe në Landskrona të Suedisë. Ky qytet jugor i shtetit skandinav, që njihet për numër të madh shqiptarësh, mblodhi në festë mërgimtarë edhe nga pjesë tjera të Suedisë dhe Danimarkës

Betimi i ushtarëve të UÇK-së dhe nisja e tyre për të thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, hapi kremtën e Pavarësisë së Kosovës në pesëmbëdhjetë vjetorin e saj. Të premtën mbrëma, aktorë amatorë të trupës teatrale nga qyteti jugor i Suedisë, Landskrona, kthyen mbrapa kohën në vitet 1998-1999. Nëpërmjet shfaqjës teatrale “Këmbanat e Lirisë” me skenar nga Islam Brahimi, e para e kësaj natyre në vendet skandinave, të pranishmit në festën e pavarësisë “përjëtuan” nga afër një ditë të zakonshme të luftës së fundit në Kosovë.
Nën organizimin e shoqatave kulturore “Drita – Malmo”, dhe “Dituria – Landskrona”, kremta e pavarësisë bëri bashkë mërgimtarë shqiptarë nga qytetet jugore të Suedisë, e po ashtu edhe nga Danimarka. Pjesë të historisë nga rrugëtimi i popullit të Kosovës për liri e pavarësi, janë shfaqur po ashtu në projektorin e sallës së Shtëpisë së Kulturës në qytetin jugor suedez.
I ftuar nga Kosova, profesori Nusret Pllana, ka thënë se rënia e Familjes Jashari ishte pikë kthese në luftën për liri dhe pavarësi.
Ligjerata e tij me titull “Adem Jashari, simbol i qëndresës, frymëzues i lirisë”, është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e publikut. Ai përkujtoi mërgimtarët se ani pse larg atdheut, të vazhdojnë traditat e të parëve dhe asnjëherë të mos harrojnë krimet ndaj popullit shqiptar sidomos ato në luftën e fundit.
“Tri defektet kryesore të shqiptarëve janë harresa nga kujtesa historike, bajraktarizmi dhe servilizmi ndaj të huajve. Të mos harrojmë asnjëherë se në luftën e fundit në Kosovë, Serbia fashiste i vrau 1392 fëmijë, për të cilët asnjë nga qeveritë e njëpasnjëshme të Republikës së Kosovës nuk ngritën asnjë shenjë të kujtesës historike”, ka thënë Pllana.
Nënkrytari i qytetit në Landskrona, Fatmir Azemi, e ka cmuar lartë organizimin e festës së pavarësisë.
“Ky pesëmbëdhjetë vjetor i Pavarësisë, na gjenë më të bashkuar se kurrë më parë me shpresën se lajme të mira do të vijnë nga vendlindja. Pavarësinë do ta kemi edhe më të plotë atëherë kur të gjitha problemet me shtetin serb do të përmbyllen në mënyrën më të mirë për Kosovën”, ka thënë Azemi.
Ndërsa, përfaqësuesi i shoqatave organizatore të festës së Pavarësisë, Burhan Mustafa, ka thënë se të rinjët në mërgim, kanë nevojë të veqantë për manifestime të tilla ashtu që të ruhen lidhjet kombëtare me vendlindjen.
“Në manifestimet e ardhshme synojmë që të krijohet vetëdijësim për identitetin tonë kombëtar, me theks të vecantë për të rinjët, ashtu që kultura dhe gjuha shqipe të trashëgohet, si dhe rinia, ani pse në mërgim, ta ketë më të afërt ndjenjën për vendlindjen e të parëve të tyre”, ka thënë Mustafa.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera