Festa arrogante në Prishtinë, pas zgjedhjeve pa fitues
Autori: Gazeta inFokus 09:47 | 16 June 2017
Shkruan: Ruben Avxhiu
Shumica e Kosovës i injoroi zgjedhjet dhe ata që votuan nuk ia besuan asnjë partie monopolin e qeverisjes. Nuk shoh ndonjë arsye për të festuar me fishekzjarre në Kosovë. Gati 60% e njerëzve në Kosovë, as që u bezdisën të votojnë. Po të heqësh edhe ata që u sollën me autobuzë nga Serbia, numri i votuesve mbetet akoma më i vogël.
Është e qartë nga këto numra se ka një mosbesim të thellë ndaj klasës politike kosovare. Ka mosbesim ndaj demokracisë, ndaj fuqisë së votës, ndaj pavarësisë së institucioneve. Kjo ditë zgjedhjesh që reklamohet prej javësh me zë të lartë në Kosovë nuk ka entuziasmuar askënd tjetër përveç dashamirësve të rregullt të partive kosovare.Kush feston pas një dite të tillë? Sigurisht u lumtë që nuk u rrahët e vratë me njëri-tjetrin në kutitë e votimit.
Që njerëzit duruan në rresht (me ndonjë përjashtim të shënuar), që nuk ndodhi ndonjë skandal (nuk kuptohet mirë kjo puna e OJQ-së me 4,000 vëzhgues). Mirëpo, ky është minimum që pritet nga një vend normal. Unë nderohem me këtë punë. Do ta ngre me kënaqësi një dolli për normalitetin e kësaj dite. Po kjo nuk më nxjerr në shesh për të festuar.
Sidomos jo në mesnatë, kur nevoja për normalitet kërkon vazhdimin e qetë të punës, deri sa të dalin rezultatet zyrtare, ato që vërtet tregojnë se kush ka fituar.Më pak arsye se kushdo ka PDK që ndodhet në pushtet prej një dekade tashmë dhe përsëri kemi një cikël zgjedhjesh ku rezultati i plotë dhe emrat e deputetëve nuk dihet se kur do të dalin. Kjo nuk është arsye për festë. Është për të ulur kokën me turp.
Imagjinoni sa arrogante ngjan kjo festë kur zhurma e saj do të oshëtijë në veshët e atyre heronjve të vegjël në mbarë Kosovën që do të jenë ende duke numëruar votat.
Kush është mesazhi për ta? Kot që numëroni se ne e dimë fundin? Se ne e shpërfillim fundin? Se do të fitojmë gjithësesi dhe kujdes se mos jesh ti komisioneri që guxon të mbrosh rezultatin? Se nuk do ta rregullojmë sistemin asnjëherë kështu që shtrydhu në punë numërimi të stërzgjatur, ndërsa ne festojmë? Të festosh pa pritur rezultatin zyrtar është injorim i rregullave të lojës. Po PDK pikërisht për këtë punë është akuzuar më shumë nga opozita, se e sheh veten mbi ligjin dhe rregullat. Si është kjo festë pjesë e një Fillimi të Ri.
Ky më duket më shumë një Vazhdim i Vjetër.Për çfarë festohet? Për sukses partiak? 40% që tha një Exit Poll është më pak se në zgjedhjet e kaluara për të tre partitë. Është një koalicion nga halli.Merreni vendin e parë më me seriozitet. Sa është 40% për ata 40% që kanë votuar? 16% e votuesve të Kosovës. Akoma më pak nëse e llogarit për mbarë popullsinë. Është një pakicë kaq e vogël e vendit saqë nuk e justifikon dot entuziasmin. Është te jetosh brenda një flluske të mbyllur e të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Nuk ka arsye për të festuar as Vetëvendosja, të them të drejtën. Bravo që ka shënuar rritje e që ndoshta është partia më e madhe në vend.
Po kur mendon se ka pasur përballë një klasë politike të korruptuar e të dështuar, me parti kryesore që janë bashkuar për të mbijetuar, që kanë bërë reformime vetëm sipërfaqësore, VV duhej ta kishte ngritur popullin në këmbë. Ndoshta mund të fajësojë me të drejtë vështirësinë e bërjes së fushatës në një vend me media shumë të kontrolluara, e një shtet që mban hapur anën e disa partive, po kjo akoma më shumë është arsye për të lidhur pak entuziasmin pas hurit dhe të shohë se 30% është pak, se shumica e qytetarëve të Kosovës ende nuk sheh arsye për angazhim në politikë.
Madje, sipas llogarisë së mësipërme për PAN, as 10% e shqiptarëve të Kosovës votuan për VV-në. Perspektiva të bën esëll. LDK ndoshta meriton lavdërim për hezitimin e saj për të festuar. Mirëpo, edhe këtu nuk e di a duhet të jap komplimente. Nuk e di a është pjekuria që e përmban apo është apatia e pasiviteti karakteristik që buron nga kjo parti, prej vitesh.
Disa ndryshime shumë të mira u panë në këtë cikël zgjedhor, po pak ndryshon në thelb. Një Exit-Poll që i ndëshkon, një koalicion nga i cili nuk e di nëse kanë fituar më shumë sesa po të dilnin më vete, si Vetëvendosja, një dyshim se gabuan kur zgjodhën koalicionin edhe me PDK-në, etj.
Kjo natë në Kosovë është ende në zhvillim. Informacionet kanë ende potencialin që të na nxjerrin të gabuar, po deri tani përveçse shpresa për pak fat më shumë për demokracinë dhe mirëqënien e drejtësinë sociale në Kosovë, nuk kam asgjë që të më çojë në ndonjë festë. Hallall kush e ka mendjen shesh, se e gëzon gjithshka e flë i qetë./Marrë nga “illyriapress.com”
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...