Faton Bislimi e padit për shpifje Shqiprim Arifin
Autori: Gazeta inFokus 10:14 | 21 June 2023
Faton Bislimi, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje Shqiprim Arifin, kryetarin e Komunës së Preshevës, i cili mbrëmë e quajti hajn ish-deputetin e LDK-së, duke hedhur ndaj tij akuza të rënda.
Bislimi shkroi në Facebook se avokati i tij, Sherif Sherifi “ka proceduar me padi për shpifje ndaj Arifit në gjykatë”.
Padia e deponuar sot në Kosovë, Bislimi tha se Arifit “do t’i bëhet edhe në Gjermani”, meqë ai mban nënshtetësinë gjermane.
“Asnjëherë, unë nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga asnjë institucion qeveritar i Kosovës dhe krejt angazhimi im në SHBA për cështjen e Luginës – tash e mbi dy dekada – ka qenë për interes kombëtar dhe janë rezultatet e këtij angazhimi ato që flasin më së miri e me zërin më të lartë. Tentimi i tij për të lënduar publikisht figurën time është i destinuar për dështim!”, ka shkruar ai ndër tjerash.
Bislimi tha se akuzat e Arifit janë në shërbim ndaj Beogradit “dhe shefave të tij si Vulin e Vuçiq”.
“Telalli i Beogradit do bënte mirë të pyeste vetën, para se të tentojë të denigrojë personalitetin tim, se ku ishte e çfarë të mire bënte për shqiptarët e Luginës qysh më 2003, pra njëzet vite me parë, kur unë organizoja takimet e para të përfaqësuesëve politikë të Luginës me delegacionet e SHBA-ve? Kur ky aksidentalisht arriti të bëhej kryetar komune njëherë, dhe herën tjetër me masa të dhunëshme nga Beogradi, pasi unë kisha gati 15 vjet angazhim në kauzën e Luginës së Preshevës, le ta pyes vetën ky pse refuzoi çdo takim për çështjen e Luginës, përfshirë në fillim edhe atë me Ambasadorin Walker më 2016?”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka përmendur aktivitetet e tij në Washington, duke thënë se sulmi ndaj tij për këtë është “të sulmohet kauza e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Reagimi i plotë i Faton Bislimit:
SELAM TELALLIT TE BEOGRADIT
(prononcim publik dhe për media)
Ka disa paraqitje publike në të cilat Shqiprim Arifi, Kryetar i Preshevës, është marrë me shpifje e fyerje nga më të ultat ndaj meje. Në varg të kësaj fushate smirzije ishte edhe një pjesë e paraqitjes së tij mbrëmë në T7. Sot, përfaqësuesi im ligjor, avokati Sherif Sherifi, ka proceduar me padi për shpifje ndaj Arifit në gjykatë! Asnjëherë, unë nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga asnjë institucion qeveritar i Kosovës dhe krejt angazhimi im në SHBA për cështjen e Luginës – tash e mbi dy dekada – ka qenë për interes kombëtar dhe janë rezultatet e këtij angazhimi ato që flasin më së miri e me zërin më të lartë. Tentimi i tij për të lënduar publikisht figurën time është i destinuar për dështim!
Një person si ky nuk meriton as kohën e as vëmendjen time, por për hirë të transparencës ndaj publikut, po e bëj këtë prononcim – të parin dhe të fundit – në lidhje me personin në fjalë dhe kazanin e mykur të deklarimeve të tij publike shpifëse!
Nuk ka ndonjë shpjegim tjetër, e as logjikë, që arsyeton veprimet e tij, pos shërbimit lojal ndaj Beogradit dhe shefave të tij si Vulin e Vuçiq, të cilëve më shumë se kujtdo tjetër i ka djegur angazhimi im për kauzën e drejtë të shqiptarëve të Luginës. Mjafton një kërkim i thjeshtë nëpër mediat serbe për të parë se sa vrerë kanë derdhur edhe ato kundër punës sonë për Luginën në SHBA. Kjo dhimbje e tyre e ka kapluar edhe këtë personin në fjalë.
Telalli i Beogradit do bënte mirë të pyeste vetën, para se të tentojë të denigrojë personalitetin tim, se ku ishte e çfarë të mire bënte për shqiptarët e Luginës qysh më 2003, pra njëzet vite me parë, kur unë organizoja takimet e para të përfaqësuesëve politikë të Luginës me delegacionet e SHBA-ve? Kur ky aksidentalisht arriti të bëhej kryetar komune njëherë, dhe herën tjetër me masa të dhunëshme nga Beogradi, pasi unë kisha gati 15 vjet angazhim në kauzën e Luginës së Preshevës, le ta pyes vetën ky pse refuzoi çdo takim për çështjen e Luginës, përfshirë në fillim edhe atë me Ambasadorin Walker më 2016?
Sulmet e tij ndaj meje janë veçse shprehje e mllefit të tij, respektivisht të shefave të tij në Beograd, ndaj sukseseve tona për Luginën, sidomos së fundi, në Washington, DC e New York City. Si është e mundur që dikujt që i thot vetit shqiptar, t’i djeg kaq shumë fakti që ishte angazhimi im direkt (kuptohet, gjithëherë në kuadër të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane), që solli rezultate faktike për Luginën në Washington, DC e New York City?
Udhëtimet e fundit që unë i kam bërë bashkë me delegacionin e Luginës (pjesë e së cilit ky vet ka refuzuar të jetë qysh para rreth shtat viteve, pra nga 2016), të cilat ky i quan shëtitje koti, e i paraqet si vizita personale që kinse unë i pasna bërë me delegacionin e Luginës nëpër ‘disa shokë e restorane,’ kanë qenë arritje kulminante e kauzës sonë në Luginë.
Për sojin e tij, kot ishte afirmimi i çështjes shqiptare në Luginë në Kongresin Amerikan, kot ishin takimet e panumërta me liderë kyç të politikës së jashtme në SHBA – në Departament të Shtetit, në Kongres, e në Senat, kot ishte letra kongresionale (historike) drejtuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Luginën nga Kongresistet Himes e Torres, i kot ishte fjalimi i Senatorit Menendez, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Senat, për të drejtat e shqiptarëve në Luginë në dëgjim zyrtar kongresional për politikën e jashtme amerikane në Ballkanin Perëndimor, i kot ishte edhe deklarimi i Kongresistit McGovern, Kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kongresin e SHBA-ve, i kot ishte edhe Raporti 2022 për të Drejtat e Njeriut i Departamentit të Shtetit ku specifikisht faktohet ‘spastrimi etnik përmes masave administrative’ i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës, e kot ishte edhe vizita e parë (historike po ashtu) e delegacionit të Luginës në kabinetin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në selinë e OKB-së në New York, i kot ishte edhe brifingu kongresional për Luginën (për herë të parë në histori) në zyret e Senatorëve Peters dhe Ernst, e shumë e shumë të tjera?! Nëse pak kthehemi edhe më herët, para shtat viteve psh, edhe vizitat e takimet e para zyrtare të delegacionit të Luginës në Strasbourg e Bruksel i kisha bërë unë, përfshirë edhe takimin e parë fokusuar kryekëput në çështjen shqiptare në Luginë në Departmenin e Shtetit në DC, ku nikoqir asokohe kishim Thomas Yazdgerdi, Zëvendës Ndihmës Sekretar Shteti për Evropën Qendrore e Juglindore! Nuk po i numëroj krejta se janë shumë, tepër shumë. Ka një Luboten faktesh që tregojnë se angazhimi për Luginën ka qenë, mbetet, dhe do të jetë i suksesshëm, anipse këtij dhe shefave të tij në Beograd iu ka penguar, iu pengon, dhe do iu pengojë! Por, pikërisht kjo mua më bën krenar!
Të sulmohem unë për këtë angazhim është të sulmohet kauza e shqiptarëve të Luginës së Preshevës!
Secili shqiptar normal e i përnjëmendë e kupton lehtazi qëllimin e këtij sulmi të ulët dhe përfituesit e tij. Nga këto veprime shpifëse publike të telallit të Beogradit përfiton veç Serbia dhe disa këtu tek ne që sukseset tona i shohin vetëm si kërcënim për ta, veçanërisht politikisht! Janë shumë të paktë të tillët, por fatkeqësisht ekzistojnë. Serbia ka investuar gjatë në këtë soj individësh, frytet e të cilëve beson t’i shijojë, por gabohet. Gabohet rëndë edhe Beogradi edhe telalli i tij bashkë me sponzoruesit e vet, ngase puna jonë është fisnike, e ndershme, dhe për idealet më të larta kombëtare për shqiptarët e Luginës.
Andaj, padia për shpifje e deponuar sot këtu në Kosovë, do t’i bëhet edhe në Gjermani, ku ky mbanë nënshtetësi, dhe çfarëdo dëmshpërbilimi që do më jepet, do shkojë direkt për shqiptarët e Luginës.
Telalli i Beogradit mund të ngazëllehet me titujt e disa mediave ku citohet ai dhe shpifjet e tij kundër meje, por këto shpifje të tij janë jetëshkurtëra. Janë fluska bore mu në pikë të verës! Ajo që mbetet dhe tashmë është pjesë e faqeve të bardha të historisë sonë kombëtare është angazhimi im vetmohues për të drejtat dhe kauzën e drejtë të vëllezërve dhe motrave tona në Luginë të Preshevës. E, janë faqet e zeza të historisë që tanimë janë rezervuar për telallin e Beogradit dhe sponzoruesit e tij!
Të tjera
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...
-
Nuredin Lushtaku, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se koalicionit i është bashkuar l...
-
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada dhe...
-
“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të lirohen nga paraburgimi pas disa muajve”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Seli...
-
Haziri takim me qytetarët: Gjilani e Anamorava janë kryengritë për ndyshim, LDK, besë dhe shpresë për Kosovën
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...