Lajme

Familjet me kushte të rënda vështirë se do të përfitojnë nga subvencionet për izolim shtëpish

Autori: Gazeta inFokus 20:51 | 27 August 2024

Me synimin për t’i ulur shpenzimet për energji elektrike, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) e ka hapur të martën thirrjen e dytë publike për subvencionimin e izolimit të shtëpive individuale, shkruan Koha.net.

Për përfitim nga subvencioni, sipas FKEE-së, në një shtëpi duhet që konsumi i energjisë elektrike brenda 24 muajve të fundit të jetë së paku 250 kilovatë orë për muaj, teksa pas plotësimit të kushteve, përfituesi duhet që ta sigurojë faturën apo marrëveshjen e nënshkruar me punëkryesin.

Për izolimin e një shtëpie, qytetarët që i përmbushin kushtet do të subvencionohen në vlerën e 45-përqindëshit të kostos së investimit, e cila nuk duhet të jetë më e lartë se 5.500 euro. Rimbursimi për përfituesit do të bëhet pasi që ata fillimisht ta paguajnë vetë të gjithë koston e investimit.

-Advertisement-

Por njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë se kjo do të ndikojë që përfituese të jenë ato  familjet që nuk i kanë kushtet e vështira financiare.

“Një kategori e shoqërisë së mesme mund ta gëzojnë këtë lloj lansimi të subvencioneve, mirëpo kur flasim për një kategori që, kemi shtresë që është e varfër, një shumë e tillë e anës monetare është problem t’i kenë në kontot e tyre. Kështu që, në këtë drejtim vlerësoj që është dashtë diçka mënyrë pak më ndryshe e Qeverisë, ndoshta do të ishte më mirë që të faturohej në faturën e energjisë elektrike, për shkak se jo të gjithë e kanë shumën e caktuar kesh”, ka thënë ai.

E Adhurim Haxhimusa, ekonomist i energjisë, e ka parë të nevojshëm ndryshimin e kritereve, me qëllim që edhe familjet me kushte të rënda financiare të mund të jenë përfituese të këtyre subvencioneve.

“Këtë një pjesë e madhe e familjeve në Kosovë nuk e kanë mundësinë që ta përballojnë. Si zgjidhje për këtë duhet të jetë që lartësia e subvencionimit të bëhet në bazë të një diskriminimi që bazohet në të hyrat në ATK apo edhe në zyrën e mirëqenies sociale, por edhe në numrin e anëtarëve që jetojnë në familje, për shkak që ky subvencionim ka edhe komponentë sociale. Në anën tjetër, do të ishte e mirë edhe mundësia për një kredi nga banka për investimin e shumës vetanake”, ka thënë Haxhimusa.

Aplikimi për përfitim nga subvencioni për izolimit të shtëpive pritet që të zgjasë dy javë. Vitin e shkuar, nga këto subvencione kanë përfituar më shumë se 2 mijë familje.

Projekti për subvencionimin është mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), në kuadër të programit IPA.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera