Sport

F1, Vettel e Hamilton: Të detyruar të përmirësohemi në 2018-n

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 23 November 2017

Në kohën kur Formula 1 i drejtohet garës së fundit sezonale, duket se për skuderitë ka ardhur koha për të bërë bilancet. Mes protagonistëve të këtij botërori ka buzëqeshje për dikë, e keqardhje për dikë tjetër.

Hamilton e nisi konferencën për shtyp të Abu Dhabit me një falenderim special për skuadrën.

“Ky ishte një sezon special për sa i përket impenjimin e treguar nga çdo person. Askush nuk është lëkundur në asnjë moment, gjithçka ka qenë perfekte si në aspektin etik ashtu edhe impenjativ. Beteja me Ferrarin ka entuziazmuar këdo dhe na ka inkurajuar për të arritur nivele të reja. E ardhmja e F1-shit? Besoj se ky sport është në rrugën e duhur, edhe pse mund të përmirësohet për të shtuar konkurrencën, duke qenë se Mercedesi dhe Ferrari janë disi të distancuar nga rivalët e tjerë”, thotë britaniku i Mercedesit, 4 herë kampion bote në F1.

-Advertisement-

Një dedikim edhe për Fangion, i cili gjendet përpara tij dhe Vettelit, me 5 tituj botërorë të fituar.

“Ai ka jetuar në periudhën më të rrezikshme të garimit, kështu që është një nder i jashtëzakonshëm që jam shumë pranë tij. Ai duhet kujtuar më shumë, pasi kemi dëgjuar shpesh të flitet për Sennën dhe Prost, por jo për Fangion”, shtoi Lewis Hamilton.

Çelësi i këtij sezoni ka qenë lufta mes Hamilton dhe Vettel, ndërsa të dy pilotët e përkufizojnë në mënyra të ndryshme.

“Ishte diçka e bukur që kisha një duel kaq të fortë dhe shumë gara që kemi qenë shumë pranë njëri-tjetrit, – thotë Hamilton. – Megjithatë, dobësitë që tregoi ai (Vettel) janë gjëra që na ndodhin të gjithëve. E vetmja gjë e sigurtë për ne është se duhet të rrisim performancën për vitin e ardhshëm, në të kundërt do të jemi pas Ferrarit. Kokëkuqja ka bërë progres të madh. Në fillim ishin përpara nesh sepse kishin një makinë fantastike, por kur presioni u shtua mbi ta, ishte më e lehtë që të gabonin dhe pikërisht kjo ndodhi. Momenti më intensiv i botërorit? Nuk e di, Seb ka thënë se mua nuk më është dashur të bëj shumë parakalime, sepse isha gjithmonë përpara, por nga sa kujtoj unë besoj se kam bërë shumë parakalime të rëndësishme”.

Vettel, nga ana e tij e analizon kështu betejën me britanikun.

“Ka pasur shumë momente, si në Baku apo Spa, ku ai është treguar i zoti të mbrohet. Në fund, Hamilton bëri më pak gabime dhe është e drejtë që ai fitoi këtë kampionat. Ne kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm, qoftë me motorin ashtu dhe me telajon, por nëse do të përmirësohemi edhe më shumë vitin e ardhshëm besoj se do të jetë thjesht një shëtitje për ne (e thotë me shaka). E vërteta është se jemi përmirësuar ndjeshëm, i jemi afruar shumë Mercedesit, e sidomos atëherë kur ia vlente më shumë. Na vjen keq që e humbëm në këtë mënyrë titullin, por kemi mësuar shumë. Kemi ende dëshirë për të bërë maksimumin në vitin 2018 dhe të rritemi edhe më tej. E dimë se çfarë duhet të bëjmë, kemi edhe personelin e duhur për të bërë edhe hapin e fundit të rritjes. Ndoshta është më i vështiri që duhet të bëjmë, por duhet bërë dhe duhet të jemi besimplotë nëse mendojmë se zhvillimi ynë ishte forca e vërtetë e këtij viti, krahasuar me vitet e kaluara. Parakalimi më i bukur i imi? Ndoshta ai ndaj Bottasit në Barcelonë”, thotë gjermani i Ferrarit, Sebastian Vettel.

Edhe Seb thur elozhe për Fangion.

“Nuk mund të bëjmë kurrë krahasime, sepse ai ka arritur suksese kaq të mëdha në një periudhë tepër të vështirë, e në një periudhë shumë të ndryshme nga kjo e sotmja. Ishte me të vërtetë speciale të fitoje atëherë”, shton më tej gjermani Vettel.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera