Lajme

EULEX-i dhe KFOR-i vendosen në objektet afër urës së Ibrit

Autori: Gazeta inFokus 09:39 | 07 August 2024

Mbi objektet në afërsi të urës së Ibrit qysh në orët e mëngjesit janë vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe të KFOR-it, ndërsa ekspertët për matjet e stabilitetit të urës të kontraktuar nga qeveria deri tani ende nuk janë parë te kjo urë.

Ndërkohë, në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë nga serbët lokal, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Prania e KFOR-it dhe EULEX-it siç raporton RTK, vjen pasi një grup qytetarësh nga komuniteti serb kanë paralajmëruar se do të protestojnë mesditën e sotme në Mitrovicën e veriut.

-Advertisement-

Veton Elshani zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun ka thënë se sot është paralajmëruar një protestë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.

Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.

“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani.

Përndryshe, të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë dje për një “tubim madhështor”.

Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR-it që t’i mbrojë serbët.

Por, Elshani e ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.

“Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në “X”, të martën se asnjë shqiptar nuk do të marshojë mbi urë, duke e demantuar kështu presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili ka deklaruar se “shqiptarët do të marshojnë në urën e ibrit”.

Madje, Vuçiq ka kërkuar nga KFOR-i që “të mbrojë serbët”.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi kreu i Qeverisë së Kosovës duke thënë se këto akuza të rreme shpesh janë parathënie për një sulm të planifikuar nga Serbia.

“Me akuza të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera