Lajme

Erdogan të hënën në Tiranë, zbulohet agjenda

Autori: Gazeta inFokus 09:57 | 15 January 2022

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të mbërrijë të hënën në Tiranë për një vizitë zyrtare. Mirëseardhjen në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit në orën 09:00 do t’ia urojë personalisht kryeministri, Edi Rama.

Presidenti dhe delegacioni që e shoqëron do të udhëtojë më pas drejt Kurbinit për të parë nga afër frytet e ndihmës së shtetit turk për rindërtimin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Erdogan do të inagurojë 524 apartamente banimi në Bashkinë Kurbin, që tashmë kanë përfunduar dhe janë gati të presin familjet.

Në orën 14:00 Erdogan do mbërrijë në kryeqytetin shqiptar për t’u takuar në Kryeministri me Edi Ramën. Dy orë më vonë, Presidenti turk do të vizitojë Xhaminë e Et’hem Beut, e cila është restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Restaurimi i kësaj xhamie që është një monument kulture i kategorisë së parë dhe që është pjesë e monumenteve që përbëjnë qendrën historike të Tiranës filloi në mars të vitit 2018. Kjo xhami i përket periudhës osmane dhe është një simbol i kryeqytetit të Shqipërisë.

-Advertisement-

Pas kësaj vizite, Erdogan do të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e parë plenare të sesionit të dytë të legjislaturës së X-të. Kjo nuk është vizita e parë e tij në Shqipëri.

Kujtojmë se në muajin janar të një viti më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u prit në mënyrë madhështore nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara. Garda turke e shoqëroi kryeministrin shqiptar që nga momenti i zbritjes nga aeroporti e deri te Presidenca. Ishte Erdogani ai që priti Ramën në momentin kur doli nga makina. Të dy liderët e veshur me të zeza dhe me maska përshkruan rrugën e shtruar me tapet blu.

Ajo çfarë ra në sy ishin qindra forca të armatosura të cilat ishin rreshtuar në mënyrë uniformë për këtë vizitë të Edi Ramës në Turqi. Nga ana e tij, Rama e cilësoi atë vizitë si shumë të rëndësishme për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe për të nënshkruar një sërë marrëveshjes me rëndësi në kuadrin e partneritetit strategjik./tch/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera