Lajme

Ekspertët: Të rriturit mund t’i publikohet identiteti, nëse abuzon me të mitur

Autori: Gazeta inFokus 23:27 | 01 September 2022

Para dy ditësh, Klankosova.tv raportoi për një person, i cili në disa video në Tik Tok, shihet se si në ueb-faqen “Omegle Video Chat (OMEtv), flet fjalë të ndyta me vajzat e mitura.

Në lidhje me këtë publikim, Klankosova.tv ka kontaktuar me disa ekspertë të mediave, të cilët komentuan mbi atë se a është respektuar ligji dhe kodi etik i medias sa i përket shfaqjes së fytyrës së këtij personi.

Avokati për përfaqësimin e gazetarëve në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, Yll Zekaj, ka thënë se në parim, kur ka të bëjë me fëmijët dhe të miturit si viktima apo kryes të veprave penale, identiteti i tyre nuk duhet të publikohet. Por, kjo nuk vlen edhe për të rriturit kur janë kryes të këtyre veprave.

-Advertisement-

“Në parim kur kemi të bëjë me fëmijët dhe të miturit si viktimë apo kryes të veprave penale edhe përkundër faktit se media luan rol te rëndësishëm në informimin e publikut lidhur me çështje qe i konsideron me interes të përgjithshëm, në të njëjtën kohë e ka për obligim qe të ruaj dhe mbroj interesat e fëmijëve dhe të miturve, duke mos publikuar informacion apo te dhëna qe identifikojnë fëmijët. Media duhet të ruaj profesionalizmin dhe integritetin e vet por edhe të drejtat e fëmijëve duke siguruar qe lajmi nëse është interes publik edhe te publikohet, por në të njëjtën kohë të ruaj dhe mos zbuloj identitetin e fëmijës apo të miturit edhe kur të njëjtit kryejnë vepra penale”, thuhet në përgjigjen e Zekajt për Klankosova.tv.

“Ndërsa, nëse kryesit janë të rritur, mund të publikohet identiteti i tyre, për aq sa kjo nuk sigurohet në ndonjë mënyrë të paligjshme, në këtë rast duke thyer ndonjë fjalëkalim”, tha Zekaj

Klankosova.tv ka mbuluar fytyrat e të miturave të shfaqura në video, duke mbrojtur identitetin e tyre, ndërsa sa i përket personit që flet me to nuk ka bërë një gjë të tillë, pasi ai vetë pohon se është i moshës madhore (19-vjeç), dhe videot janë publike në Tik Tok.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe profesori universitar, Alban Zeneli, i cili, thotë se raportimi nga Klankosova.tv ka përmbushur standardin profesional të lajmit.

“Mendoj se raportimi i Klan Kosova paraqet interes publik, për faktin se aty lidhet direkt siguria e fëmijëve në internet, dhe kur fëmijët janë të pasigurt në internet, kjo natyrisht se paraqet interes publik për të publikuar dhe denoncuar një vepër e tillë. Në këtë kuptim është përmbushur standardi profesional i lajmit për të pasur interes publik ngjarja që publikohet si lajm”, ka thënë Zeneli.

Tutje Zeneli tha se raportimi nga Klankosova.tv është një rast për të cilin institucionet e drejtësisë do të duhej të vepronin.

“Kjo paraqet një rast për prokurorinë dhe policinë, të cilët do të duhet ta hetonin jo vetëm atë rast, por edhe meqë është publikuar, policia do të duhej të merrej me të, domethënë të trajtonte veprimtarinë e tij si keqpërdorim me të mitur, sepse ajo bisedë paraqet keqpërdorim të të miturve”.

Zeneli sheh zbrazëti në shkolla dhe në shtëpi, sa i përket edukimit për rrjete sociale.

“Në shkollimin tonë publik, fëmijët tanë nuk mësohen se si të mbrohen nga bullizuesit apo ngacmuesit seksual në media sociale, ndërkohë që përdorimi është në numër enorm. Shto kësaj faktin se një numër i madh i prindërve nuk kanë mbikëqyrje mbi fëmijët e tyre, se si operojnë online, se çfarë aplikacione përdorin online, çfarë gjuhe përdoret aty, dhe çka bëhet në ato media sociale. Kjo e bën problemin akoma më të madh, dhe iu jep mundësi abuzuesve të tillë që të shfaqen më shpesh”.

Për dukurinë e ngacmimeve dhe bullizmit virtual, Zeneli këshillon që Prokuroria të fillojë kontrolla online.

“Fatkeqësia është se organet tona të rendit nuk janë në ndjekje të veprave që ndodhin online, por për bindjen time, Prokuroria duhet ta dhezë Wi-Fin dhe të del online, sepse në këtë mënyrë shohin shumë vepra penale të cilat kryhen me anë të internetit. Qytetarët duhet të kenë parasysh se secila vepër penale e dënueshme offline, e njëjta është e dënueshme edhe online”.

Zeneli ripërsëriti se publikimi i fytyrës së të riut nga Gjilani, është profesionale, pasi vepra është kryer ndaj të miturve dhe rreziku është që ajo të përsëritet.

“Kjo mbetet me u pa në kuptim të aspektit etik të redaksisë, pra të vendoset nga ana e redaksisë në aspektin etik se si duhet të operohet në këtë rast. Meqë vepra është kryer ndaj të miturve dhe rreziku është që ajo të përsëritet, unë mendoj se është mirë në këtë situatë që persona të tillë janë identifikuar, normalisht pa u paragjykuar se këta janë fajtor, sepse prezymimi i pafajësisë duhet me ekzistu në media”, shtoi profesori.

Eksperti i rrjeteve sociale, Valon Kerolli, thotë se aplikacioni OMEtv nuk ka ndonjë metodë të avancuar të detektimit të personave të mitur, por vetëm sugjeron që nëse haset në persona të mitur mos të bisedohet me ta, por të raportohen llogaritë e tyre.

“Sa i përket raportimit në Klankosova.tv, video-bisedat që shfaqen aty janë të zhvilluara në aplikacionin e quajtur “Omegle Video Chat (OMEtv), dhe limiti i moshës së lejuar aty thuhet se është mosha minimale e lejuar me ligjet e shtetit prej nga vjen përdoruesi. Pra nuk është se ky aplikacion ka ndonjë metodë të avancuar të detektimit të personave të mitur por vetëm sugjeron që nëse haset në persona të mitur mos të bisedohet me ta por të raportohen llogaritë e tyre. Zakonisht bisedat që bëhen aty xhirohen (edhe pse xhirimi i tyre është i ndaluar) dhe hidhen në rrjetet tjera sociale e kryesisht në TikTok”.

Kerolli thotë se censurimi i gjuhës ngacmuese në rrjetet sociale është i vështirë, pasi marrë parasysh rastin e raportuar, gjuha është shqipe, gjë që është e vështirë nga inteligjenca artificiale për t’u detektuar.

“Në shumicën e rrjeteve sociale mosha minimale për të hapur llogari është mosha 13 vjeçare. Ajo çfarë kompanitë e rrjeteve sociale i kushtojnë më së shumti rëndësi është përmbajtja që postohet në to. Sa i përket ngacmimeve seksuale, bullizmit dhe ngacmimit të të miturve, rrjetet kryesore sociale kanë rregulla mjaft strikte dhe direkt mbyllen llogaritë e atyre që shkaktojnë këto veprime. Monitorimin kryesisht e bëjnë duke përdorur Inteligjencën Artificiale (AI) dhe tek ne, luftimi i kësaj përmbajtje në këtë formë është problematik për shkak të gjuhës shqipe”.

Krejt në fund, Kerolli rekomandon që përdoruesit të raportojnë gjuhën e papërshtatshme në platformë, në mënyrë që ata të marrin vërejtje apo të suspendohen nga platforma.

“Mënyra tjetër e cila ofrohet dhe sugjerohet është ajo e raportimit manual të këtyre veprimeve dhe ekipe të posaçme dhe në mënyrë mjaftë të shpejtë i kontrollojnë dhe marrin masa”, shprehet ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera