Ekonomi

Ekonomia amerikane rritet me një ritëm më të shpejtë

Autori: Gazeta inFokus 08:31 | 29 July 2017

Rritja vjetore e ekonomisë amerikane për muajt prill, maj dhe qershor, ishte 2.6 për qind, sipas një raport të ri të Departamentit të Tregtisë të botuar të premten.

Të dhënat e prodhimit të brendshëm bruto, tregojnë se shpenzimet e konsumatorëve dhe të bizneseve ndihmuan në nxitjen e rritjes ekonomike.

Sara Johnson, ekonomiste në kompaninë IHS Markit, thotë se rritja e ekonomisë amerikane u ndihmua edhe nga ritmet më të shpejta të ekonomisë globale që përmirësuan tregtinë amerikane.

-Advertisement-

Prodhimi i Brendshëm Bruto llogarit të gjitha mallrat dhe shërbimet e prodhuara në vend, dhe konsiderohet si vlerësimi më i gjerë i gjendjes ekonomike.

Ky raport bazohet në të dhënat paraprake dhe mund të rishikohet pasi informacioni më i plotë të bëhet i disponueshëm.

Një korrigjim i tillë u bë në raportin mbi nivelin e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për muajt janar, shkurt dhe mars, që tregoi se rritja ekonomike ishte më e ngadaltë se sa ç’ishte menduar më parë.

Presidenti Trump, gjatë fushatës presidenciale premtoi se do të realizonte një rritje ekonomike prej 3 përqindësh ose më të lartë, përmes pakësimit të rregulloreve, taksave dhe programit të kujdesit shëndetësor, ndërkohë që do të rriste shpenzimet për infrastrukturën.

Ndërsa ai ka eliminuar disa rregulla, pjesa tjetër e programit ekonomik të presidentit republikan është zvarritur në kongres, megjithëse të dyja dhomat e kongresit kontrollohen nga republikanët.

Një studim tjetër, i kryer nga Universiteti i Miçiganit, thotë se vlerësimi i konsumatorëve për ekonominë në muajin korrik shënoi rënie, por vazhdon të jetë në një nivel “të favorshëm”.

Ekonomistët ndjekin me kujdes nivelin e shitjeve pasi shpenzimet e konsumatorëve janë motori i ekonomisë amerikane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera