Lajme

Edhe sot vazhdojnë reduktimet e energjisë elektrike

Autori: Gazeta inFokus 11:13 | 16 August 2022

Reduktimet e energjisë elektrike pritet të vazhdojnë edhe sot.

Kështu ka konfirmuar për mediat, zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

Ai ka thënë se kufizimet do të vazhdojnë deri në njoftimin e radhës.

-Advertisement-

“Aktualisht ne jemi duke aplikuar kufizime për shkak të instruksioneve të KOSTT-it. Ato do të vazhdojnë deri në njoftimin e radhës”, ka thënë Buzhala për Dukagjini.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, qytetarët e Kosovës u zgjuan me lajmin për reduktime.

Duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit dritat u fikën dhe në shumë pjesë të vendit reduktimet ishin edhe më të gjata sesa që ishin paralajmëruar.

Ministria e Ekonomisë akuzoi KEDS-in se po toleron vjedhje të rrymës. Aty u tha se, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët, por edhe u bë thirrje për të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë.

Reagimet ishin të shumta, mirëpo, pa kaluar as 24 orë, Kosovës iu kthyen dritat.

Vendit tonë në ndihmë i doli sërish Shqipëria dhe nga ora 14:00, furnizimi me energji elektrike u rikthye.

Ministria e Ekonomisë konfirmoi se gjithë kjo falë bashkëpunimit mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë.

“Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike”, u tha ndër të tjera në njoftim.

Në anën tjetër KEDS ka fajësuar qeverinë që nuk ka shpërndarë asnjë cent tek furnizuesit nga subvencionet e paralajmëruara nga qeveria në vlerë 100 milionë euro.

Nga kjo kompani dje kanë thënë furnizimi po bëhet vetëm nga prodhimi vendor për shkak të çmimit të lartë të energjisë në berzat ndërkombëtare.

Më 1 gusht Qeveria miratoi vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizim me energji

Por saktësisht para dy jave, në mbledhjen e saj të 91-të, Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, miratoi vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizim me energji.

Këto masa emergjente sipas Qeverisë janë marrë për shkak të rritjes së shpejtë të çmimit të importit të energjisë, si dhe “paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit”.

“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera