Lajme

Edhe në rigjykim shpallen fajtor por lirohen nga dënimi dy të akuzuarit për dhënie ryshfeti dhe kontrabandim me mallra

Autori: Gazeta inFokus 14:28 | 13 October 2022

Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq janë shpallur fajtor edhe në rigjykim, por janë liruar nga dënimi ndaj akuzave për kryerjen e veprës penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Kontrabandimi me mallrave”.

Shpallja e aktgjykimit ndaj dy të akuzuarve u bë të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Dimitrijeviq dhe Saviq janë liruar nga dënimi konform depozitës ligjore të nenit 237, par 4, nën par 4.2 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak se te njëjtit kane qene dëshmitar bashkëpunues të shpallur sipas urdhërit të gjykatës.

-Advertisement-

Gjithashtu të akuzuarit Dimitrijeviq dhe Saviq, obligohen të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore, shumën prej 30 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe,Gjykatë Themelore e Prishtinës më 15 mars 2021 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, ashtu që secili veç e veç, janë dënuar me 1000 euro gjobë.

Me rastin e matjes së llojit të dënimit, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë parasysh faktin se të akuzuarit kanë bashkëpunuar vullnetarisht në hetimin dhe ndjekjen penale të akuzuarve të tjerë në të njëjtin rast, pranimin e fajësisë si dhe pendimin dhe premtimin se nuk do të përsërisin vepra të tjera penale.

Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtësve kundër aktgjykimit të lartcekur.

Mirëpo, më 15 shkurt 2022, ky aktgjykim është anuluar nga Gjykata Supreme, pas aprovimit të kërkesës së përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të dënuarve.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme pasi që të dënuarit nuk kanë gëzuar asnjë benefit nga të qenurit dëshmitar bashkëpunues dhe trajtimi i tyre në të njëjtën kohë si të pandehur dhe dëshmitar bashkëpunues, aktgjykimet e kundërshtuara i bënë juridikisht të paqëndrueshme dhe të përshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Në procedurën e rivendosjes gjykata duhet që të eliminoj shkeljet e bëra gjatë marrjes së urdhërave për shpalljen e të dënuarve dëshmitar bashkëpunues, të qartësoj benefitet të cilat do ti gëzojnë dhe të merr vendim i cili kësaj i përgjigjet”, thuhet në aktgjykim.

Tutje, sipas aktgjykimit të Supremes, në rigjykim duhet të kihet parasysh se të dënuarit nuk mund të sjellën në situatë më të pavolitshme juridike, gjegjësisht të mos shkelet parimi reformatio in peius nga neni 395 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Në rend të parë do të thotë se nuk ka mundësi të dënohen për veprën penale për të cilën janë liruar nga dënimi, ndërsa për veprën penale për të cilën i është shqiptuar dënimi duhet të aplikohet ndonjëri nga benefitet nga neni 237 paragrafi 4.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.

Ndryshe, bashkë me ta po akuzoheshin për korrupsion policët e Leposaviqit, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, ndaj të cilëve është shpallur aktgjykimi më 5 shtator 2022, sipas të cilit ata janë dënuar me 6 vite e 3 muaj burgim.

Më 23 prill 2020, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq, Izet Uskoviq, për shkak të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, nën paragrafi 2.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 2 të KPRK-së, ndaj Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq për veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga neni 317, paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e Ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të dënueshme me së paku katër vjet burgim, aktivisht merr pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë përmbushë detyrat zyrtare të tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personat tjerë, duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, ashtu që kanë bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave për të vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Gjithnjë sipas prokurorisë, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera