Lajme

Edhe Mbretëria e Bashkuar cakton emisar për Ballkanin

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 02 December 2021

Pas Amerikës edhe Mbretëria e Bashkuar ka caktuar një emisar për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach si të Dërguar të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, ka thënë Johnson.

-Advertisement-

I njëjti do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018.

Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, njofton Klankosova.tv.

Në njoftimin e ambasadës britanike thuhet se Sir Stuart Peach do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur”.

“Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Sir Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera