Lajme

E quajti “me gjasë organizatë terroriste”, Kurteshi ia miraton kuvendin Listës Serbe

Autori: Gazeta inFokus 12:47 | 17 November 2023

Lista Serbe nuk është shpallur as organizatë terroriste, e as anti-kushtetuese, ndonëse përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e cilësonte “me gjasë organizatë terroriste” partinë me më së shumti pushtet në komunat me shumicë serbe.

Të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi raportin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike mbi Kuvendin Zgjedhor të Listës Serbe, në të cilin u zgjodh kryetari i ri i partisë, Zllatan Elek.

Sipas raportit, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike.

-Advertisement-

Për miratimin e këtij raporti votoi edhe Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëm një vit më parë, në dhjetorin e 2022-s, Kurteshi kishte përdorur tone të ashpra ndaj Listës Serbe. E ka quajtur “me gjasë organizatë terroriste”.

“Me gjasë, Lista Serbe është organizatë terroriste ose pjesë e organizatës terroriste… ata po duan të dëshmojnë se kontrollojnë në veri”, ka thënë ai në një deklarim për Klan Kosovën.

Edhe zëvendësministri i Drejtësisë Vigan Qorrolli, kishte kërkuar shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste dhe anti-kushtetuese.

Qorrolli, në një reagim ndaj sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, ka deklaruar se Listës Serbe duhet “t’i ndalohet veprimtaria në Kosovë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion me ofertë PAKO SUPREME – kësaj radhe më shumë argëtim!
-Advertisement-

Të tjera