Lajme

E pranoi se e kërcënoi Shaqir Totajn, Zafir Berisha dënohet me 600 euro gjobë

Autori: Gazeta inFokus 10:36 | 18 October 2022

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Zafir Berisha duke e dënuar me 600 euro gjobë se ka kanosur përmes telefonit kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Refki Piraj, i cili fillimisht të akuzuarin Berisha e ka dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, por të njëjtin dënim e ka zëvendësuar me 600 euro gjobë.

Ish-deputeti Berisha ka deklaruar se pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

-Advertisement-

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 18 korrik 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Zafir Berisha për veprën penale të “Kanosjes”.

Sipas aktakuzës, më 23 qershor 2022, në ora 18:27, në Prizren i akuzuari Berisha me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare, ku përmes telefonit i dërgon sms të dëmtuarit Shaqir Totaj me përmbajtjen “Do gjëra është dasht me koh mi sqaru jo tash mu sjell “ kalova lumin …. spom duhet kali”, se jeta është me e gjate se sa pe llogarit”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Berisha tek i dëmtuari Totaj kishte dërguar sërish sms përmes telefonit më 24 qershor 2022, në ora 18:56, me përmbajtjen “me kan than qe je pis dhe i paftyr po skam besu sot ma vërtetove, ti po mendon qe me ke përdor si salvet një perdorimshe po dije pa ti q* r*** met ngre zhag neper Prizren nuk e prishi koalicionin si pot mesij mercenaret e vv dhe hajnat qe i ki i ke afër, dije këtë”.

Me këto veprime, sipas aktakuzës tek i dëmtuari Totaj ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën e tij, me çka akuzohet se ka kryer veprën penale të “Kanosjes” nga neni 181, par.3 lidhur me par.2 të KPRK-së, vepër kjo e sanksionuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera