Lajme

E paditi Senatin e UP-së, aktori Naser Rafuna kërkon sistemimin në pozitën e mësimdhënësit në Fakultetin e Arteve

Autori: Gazeta inFokus 20:34 | 10 May 2023

Përfaqësuesi i autorizuar i paditësit Naser Rafuna, avokati Arbër Jashari gjatë seancës së sotme të mbajtur në Divizionin Civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbesin pranë kërkesës që paditësi Rafuna të sistemohet në vendin e  punës si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në lëndën Diksion me të gjitha të drejtat që i takojnë të njëjtit.

Kjo pasi që sipas tij, dhe paditësit Naser Rafuna i cili ishte i pranishëm ne seancën e sotme, vendimi i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”  duhet të anulohet pasi që ka qenë i kundërligjshëm.

“… Në mënyrë të padiskutueshme është vërtetuar që vendimi i Senatit të Universitetit të Prishtinës  “Hasan Prishtina”  i datës 29 dhjetor 2014 ka qenë i kundërligjshëm dhe si i tillë duhet të anulohet nga kjo gjykatë”, deklaroi i njëjti.

-Advertisement-

Po ashtu Jashari ka deklaruar se mbeten në tersi pranë padisë dhe kërkesë padisë dhe se konsiderojnë që deri më tani është vërtetuar e drejta subjektive e paditësit si dhe themelësia e kërkesë padisë .

Ndërsa përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës Universitetit të Prishtinës, Safet Thaqi tha se mbeten në tërësi pranë pretendimeve të deklaruara si në seancat e kaluara e posaçërisht  ato në seancën e fundit.

Thaqi ka shtuar se në këtë shqyrtim kryesor janë siguruar edhe provat e kundërkandidatit Sh.I i cili ishte në marrëdhënie të rregullt të punës, e po ashtu i njëjti kishte thirrjen e Profesor/Asistentit nga viti 2009, ndërsa në konkursin e vitit 2013 i njëjti kishte aplikuar për avancim, por që Senati i UP-së si organ kolegjial kishte vendosur që as ai nuk i plotëson kushtet për avancim por ka mbetur në thirrjen e njëjtë edhe pse kishte recesion pozitiv.

Prova këto të cilat përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës Universitetit të Prishtinës, Thaqi i dorëzoi pranë gjykatës në këtë seancë.

Mirëpo lidhur me këto prova të reja të dorëzuara nga e paditura, avokati i paditësit Rafuna, avokat Jashari deklaroi se sipas tyre të njëjtat prova nuk provojnë ndonjë fakt relevant për këtë shqyrtim gjyqësor duke qenë se është e pa kontestueshme se ky nuk ka qenë një konkurs për avancim por ka qenë konkurs i jashtëm publik ku kanë pasur të drejtë të marrin pjesë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret në bazë të konkursit.

Sipas tij, kriteret e konkursit kanë qenë të qarta pra është e pakontestueshme që kundër kandidati i  paditësit Rafuna nuk e ka plotësuar kriterin bazë sepse i njëjti nuk ka pasur doktoratur ose master në Fakultetin e Arteve e që në këtë rast është dashur të diskualifikohet nga gara.

Ndërkaq, lidhur me deklarimin e përfaqësuesit të palës së paditur Safet Thaqi se gjoja Senati ka konstatuar se asnjëri nga kandidatët nuk i ka plotësuar kushtet, sipas avokatit Jashari kjo nuk qëndron pasi që edhe në Buletinin e Komisionit vlerësues/recensues edhe në rekomandimin e Këshillit të Fakultetit është konstatuar se paditësi i ka plotësuar kushtet dhe se kjo nuk është arsye që Senati ka anuluar konkursin, pasi që arsyeja ka qenë mospërputhja mes propozimit të Komisionit vlerësues dhe Këshillit të Fakultetit.

Pas deklarimeve të tilla janë administruar provat materiale nga gjykatësi i rastit Hysni Bardheci dhe është dhënë fjala përfundimtare e palave ndërgjyqëse, raporton” Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën e tij përfundimtare përfaqësuesi i paditësit Rafuna avokati Jashari deklaroi se sipas tij, nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor në mënyrë të pa kontestueshme është vërtetuar themelësia e kërkesë padisë e që nënkupton që vendimi i senatit të Universiteti të Prishtinës  i goditur me këtë padi është nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas të njëjtit provat vërtetuan se Komisioni Vlerësues me rastin e përzgjedhjes së kandidatit për lëndën Diksion në Fakultetin e Arteve sipas konkursit të muajit maj 2013 në mënyrë flagrante kishte shkelur statutin e UP-së gjegjësisht nenin 177 pika 1.1 dhe kriteret e konkursit duke rekomanduar për mësimdhënës një kandidat i cili nuk i kishte plotësuar kriteret, gjegjësisht nuk e kishte gradën Master e cila kërkohej për këtë pozitë.

“Komisioni ndonëse kishte konstatuar që paditësi i plotëson kushtet e konkursit dhe ndonëse e kishte vlerësuar përvojën e tij akademike, kishte propozuar një kandidat tjetër me arsyetimin se gjoja ka përvoje më të gjate e çka është më e çuditshmja i cili e ka paraqitur temën e masterit dhe do ta mbrojë në një afat të ardhshëm, pra, duke u thirrur në një ngjarje që do të ndodhë e që në fakt kandidati nuk i kishte plotësuar kriteret formale”, deklaroi Jashari.

Sipas avokatit Jashari nga provat e administruara është vërtetuar që vendimi i Këshillit të Fakultetit për propozimin e kandidatit Naser Rafuna për pozitën mësimdhënës në Fakultetin e Arteve ka qenë një vendim plotësisht i drejtë dhe i ligjshëm dhe në përputhje me statutin e UP-së duke qenë se Këshilli është organ më i lartë se Komisioni në hierarki dhe se askund me statut nuk përmendet që vendimet e këshillit janë të lidhura me propozimet e komisionit.

I njëjti deklaroi se provat kanë vërtetuar se vendimi apo njoftimi i atakuar në këtë padi është nxjerrë në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme dhe se senati nuk ka pasur asnjë arsye ligjore që ta anulojë konkursin.

Tutje, ai ka theksuar se detaje me të hollësishme janë përshkruar në fjalën e tij përfundimtare të përgatitur me shkrim të cilën e dorëzoi sot pranë gjykatës.

Përfaqësuesi i të paditurës Safet Thaqi deklaroi se mbeten në tërësi pranë deklarimeve të theksuara duke konstatuar edhe një herë se gjykata pas administrimit të provave do ta vërtetojë të drejtën se e paditura ka vepruar konform dispozitave ligjore me të cilën funksionon si institucion i pavarur autonom.

Sipas tij, në rastin konkret meqë u përmend nga pala përfaqësuese e paditësit për kundër kandidatin Sh.I që ai është dashur të ketë gradën e doktorit të shkencës ekuivalent në Fakultetin e Arteve, gjykata do ta vërtetojë nga administrimi i provave se ky kandidat sipas vendimeve të Senatit të Up-së  kishte thirrjen Profesor/Asistent e që ishin të fituara me statutin e vitit 2004 dhe juridikisht vlerësohet se aktet mund të ndryshojnë por një e drejte e fituar nuk mund të ndryshojë në bazë të akteve.

“Prandaj sipas raportit të komisionit recensues/vlerësues kandidati në këtë rast paditësi nuk kishte raport propozimi pozitiv por sipas të njëjtëve anëtarë të komisionit raportin pozitiv  e kishin dhënë për kundër kandidatin Sh.I”, deklaroi i njëjti.

Tutje, i njëjti tha se sipas këtyre konstatimeve konsiderohet se Senati si organ kolegjial duke e parë se asnjeri nga kandidatet as paditësi nuk ka vlerësim pozitiv nga të tri instancat( komisioni vlerësues, këshilli i fakultetit dhe komisioni  i studimeve) e  po ashtu edhe për kundër kandidatin qe kishte vlerësim pozitiv i njëjti nuk i plotësonte kriteret për avancim në thirrjen profesor i asocouar , andaj si rezultat i kësaj me të drejtë ligjore është ardhur deri te vendimi i Senatit i datës 12 janar 2015.

I njëjti fjalën përfundimtare të përgatitur me shkrim e dorëzoi në gjykatë dhe në rrethana të tilla seanca e sotme përfundoi.

Ndryshe, paditësi, Naser Rafuna përmes padisë së datës 7 mars 2015,  ka kërkuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti i Arteve që të anulohet vendimi i Senatit për mos zgjidhjen e të njëjtit për pozitën Profesor/Asistent në lëndën Diksion.

Në padi thuhet se paditësi Rafuna, ka aplikuar për zgjedhje në thirrjen e mësimdhënësit në Fakultetin e Arteve për lëndën Diksion. Komisioni recensues pas shqyrtimit dhe vlerësimit të detajuar të dokumentacionit ka konstatuar se paditësi i plotëson kushtet e parapara me konkurs për zgjidhje në thirrjen e mësimdhënësit, duke vlerësuar edhe arritjet në punë artistike, mirëpo vlerësimi pozitiv me përparësi të caktuar jepet për kandidatin tjetër edhe pse nuk plotësonte kushtet e kërkuara me konkurs.

Tutje, në padi thuhet se Këshilli i Fakultetit të Arteve në mbledhjen e mbajtur nuk aprovon vlerësimin e Komisionit Recensues dhe i propozon Senatit të UP-së që paditësi të zgjidhet mësimdhënës në lëndën Diksion.

Mirëpo, Senati i UP-së me vendimin e datës 29 dhjetor 2014, ka vendosur që të mos e avancojë për mësimdhënës asnjërin nga kandidatët që kishin konkurruar duke përfshirë edhe paditësin për shkak se ka mos përputhshmëri ndërmjet vlerësimit të Komisionit Recensues dhe Vendimit të Këshillit të Fakultetit të Arteve.

Ndaj, këtij vendimi, paditësi Rafuna në afat të caktuar ka ushtruar ankesë, mirëpo pasi që e paditura nuk është përgjigjur ndaj ankesës, i njëjti ka ushtruar këtë padi.

Në padi tutje, thuhet se me 13 janar 2015 Senati i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë vendim sërish për publikimin e konkursit për plotësimin e vendit të njëjtë të punës, mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të UP-së për lëndën Diksion.

Përndryshe, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e cila ka pranuar ankesën e paditësit Naser Rafuna si të bazuar dhe ka vendosur që lëndën ta kthejë në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo pasi që, Themeloja kishte refuzuar si të pabazuar kërkesë padinë e paditësit me të cilën i njëjti ka kërkuar që të sistemohet në vendin e punës si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës për lëndën Diksion.

Kundër këtij aktgjykimi, paditësi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore duke kërkuar që të ndryshohet i njëjti apo lënda të kthehet në gjykatën e shkallës së parë për rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve ankimore gjeti se ankesa e paditësit është e bazuar dhe se në procedurën e zhvilluar para shkallës së parë nuk është bërë vlerësimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike, raporton betimiperdrejtesi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera