Lajme

E kujt është Gjykata Speciale me të cilën Borrell mburret se do ta gjykojë Thaçin

Autori: Gazeta inFokus 17:55 | 15 December 2022

Gjykata Speciale vështirë se konsiderohet si gjykatë e Kosovës edhe pse është themeluar dhe do të duhej të funksiononte sipas ligjeve vendëse. Kryediplomati europian, Josep Borrell u mburr pak të mërkurën që kjo gjykatë do ta gjykojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell foli të mërkurën në Forumin për të Drejtat e Njeriut dhe një paragraf i shkurtër i fjalimit të tij shkaktoi iritim në Prishtinë.

Teksa po fliste për të drejtat e njeriut dhe punën e BE-së në këtë drejtim, Borrell tha se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u arrestua sa ishte në detyrën e shefit të shtetit.

-Advertisement-

75-vjeçari gaboi edhe kur tha se “Thaçi po pret të gjykohet në Amsterdam” duke e ngatëruar kryeqytetin botëror të drejtësisë (Hagën), me qytetin më liberal në botë.

“Ne e kemi themeluar një mekanizëm special për zgjidhjet pas konflikteve. Dua të përmendi Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ish-presidenti i Kosovës tash është në Amsterdam dhe po pret të gjykohet. E misioni ynë i Policisë në Kosovë ishte në detyrë për arrestimin e tij. E arrestoi sa ishte ende president dhe e dërgoi në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, tha Borrell.

Por, në fakt Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit sapo e kishte pranuar aktakuzën nga Specialja në fillim të nëntorit të vitit 2020. Për këtë njoftoi në një konferencë për media dhe u dorëzua.

Për këtë deklaratë Borrellit i reaguan nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku dhe deputetja e këtij subjekti politik, Blerta Deliu.

“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar! Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, shkroi Çitaku në Facebook.

Ndërsa Deliu tha se “deklaratat e Borrellit janë në linjë me pretendimet skandaloze të Prokurorisë së Dhomave Specializuara të Kosovës”.

“Një dëshmi që BE-ja tashmë është pozicionuar jo për një gjyq fer dhe të paanshëm të krerëve të UÇK-së, por me pretendimet skandaloze të Prokurorisë”, sipas saj.

Deklarata e Borrellit ndoshta mund ta dëmtojë reputacionin e Gjykatës Speciale, e cila po mundohet ta fitojë besimin e kosovarëve. Që kur u votua, kjo gjykatë konsiderohet njëetnike dhe se i diskriminon shqiptarët edhe nga vetë ata që në Kuvendin e Kosovës votuan për themelimin e saj.

Gjykata u ngrit në bazë të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe si e tillë, konsiderohet si e Kosovës. Megjithatë, askush nga Kosova s’lejohet të ketë dorë aty. Në atë tribunal, si kosovar mund të shkosh vetëm si i akuzuar, dëshmitar, viktimë ose avokat.

Edhe sipas ligjit me të cilin u themelua, Specialja gëzon përparësi mbi të gjitha gjykatat tjera në Kosovë. Pra, edhe nëse mund të konsiderohet e Kosovës, nuk është e barabartë me gjykatat tjera në Kosovë. Dhe, siç dihet, selia e saj është në Hagë të Holandës, jo në Amsterdam siç mendoi Borrell.

“Brenda juridiksionit lëndor të tyre, Dhomat e specializuara kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera të Kosovës”, thuhet qartë në pikën një të nenit 10 të ligjit për Specialen, edhe pse paraprakisht thuhet se Dhomat e Specializuara janë “pjesë përbërëse e çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovë”.

Sipas pikës vijuese të këtij neni, në çdo fazë të hetimeve ose procedurave, Gjykata Speciale ose prokurori i specializuar mund të urdhërojnë transferimin e procedurës brenda juridiksionit të tyre nga ndonjë prokuror tjetër ose ndonjë gjykatë tjetër [përveç Gjykatës Kushtetuese] në territorin e Kosovës.

Ka disa arsye pse kjo gjykatë nuk përjetohet si vendore në Kosovë dhe kjo jo vetëm për faktin se s’është këtu. Besueshmërinë e kësaj gjykate më së shumti e ka dëmtuar rrjedhja e dokumenteve në vitin 2020, kur po përgatiteshin aktakuzat e para. Ato ishin dërguar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati u arrestua e më pas u dënua bashkë me nënkryetarin Nasim Haradinaj, për shkak e kishin vënë atë material në disponim të njerëzve në disa konferenca për shtyp. Ata në maj të këtij viti u dënuan nga Specialja me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh.

Në qendër të kritikave ishin edhe proceset e stërzgjatura paragjyqësore e shkresat e Prokurorisë.

Gjithashtu, në Kosovë vështirë se dikush pret që kjo gjykatë do t’i gjykojë të gjitha krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera që janë kryer midis janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, pavarësisht se kush ka qenë autor i tyre – siç premton Specialja – edhe pse ligji me të cilin u themelua e detyron që të mos i gjykojë vetëm shqiptarët.

Në Gjykatën Speciale në Hagë thonë se s’do të gjykohen veç shqiptarët. Megjithatë, atje punojnë jo pak për ta fituar besimin e humbur në Kosovë. Për këtë, një ekip informues i kësaj gjykate udhëton pothuajse çdo muaj drejt Kosovës për t’u takuar me komunitete të ndryshme në vend. Ata shpjegojnë mandatin dhe punimet e institucionit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera