Lajme

Dyshime për eshtra të të zhdukurve gjatë luftës, javën tjetër nisin gërmimet në një lagje të Prishtinës

Autori: Gazeta inFokus 10:27 | 06 July 2023

Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Çështja e këtyre personave është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por përveç “harmonizimit të qëndrimeve” të të dyja palëve për atë çështje, nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Së fundi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel, janë dakorduar për Deklaratën për të Zhdukurit, si dhe angazhimin e palëve për zbardhjen e personave të pagjetur nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

-Advertisement-

Në Deklaratën për Personat e Zhdukur thuhet se jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Por deri më tani, nuk ka pasur asnjë hap pozitiv apo sinjale se Serbia mund të ndihmojë duke dhënë informacione për vendosdhjen e të pagjeturve.

Të vetmet gërmime që po bëen janë ato në Kosovë.

Matiqan të Prishtinës, Podujevë, Kamenicë, së fundmi edhe në Kishnicë, janë lokacionet që po bëhet përpjekje për të gjetur trupa të pajetë.

Ndërsa gjatës javës do të fillojnë gërmimet edhe në Dragodan të Prishtinës.

Kështu ka deklaruar për Front Online, kryetari i delegacionit të Kosovës për personat e pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti.

“Po jemi duke gërmuar në dy lokacione. Sot në fakt i kemi ekipet në vendin që quhet Kishnicë dhe shumë shpejt gjatë kësaj jave do të fillojnë edhe në Dragodan për një rast tjetër. Përveç Matiqanit, kemi qenë edhe në Podujevë, kemi qenë edhe në Kamenicë në gërmime”, thotë Hoti.

Në Matiqan, Hoti thotë se janë gjetur eshtra dhe janë në pritje të një përgjigje nga laboratori që i kanë dërguar në Hagë.

E rezultatet, sipas Hotit, mund të vonojnë deri në gjashtë muaj.

“Në Matiqan e kemi gjet një person të zhdukur, i kemi dërgu mostrat në Hagë. Në lokacione të tjera nuk kemi hasë në identifikime ende, por nuk janë përmbyll. Kjo në Kamenicë po vazhdon ende, por po na duhen informata shtesë, derisa në këtë tjetrën në Podujevë kemi me u kthy edhe njëherë. Ne i dërgojmë mostrat në laborator në Hagë, dhe kjo shkon koxha një procedurë e ka deri në identifikimin e personit, nëse është apo jo personi i zhdukur. Nuk besoj se do të kthehen shumë shpejt, sepse atje merr kohë. Herën e fundit që i kemi dërguar, na ka marrë mbi gjashtë muaj kohë”, tha ai.

Andin Hoti: Kemi urdhëresë për të gërmuar edhe në dy lokacione të tjera për të pagjeturit

Kryetari i delegacionit të Kosovës për personat e pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti, në një intervistë ka thënë se në bazë të urdhëresës që kanë marrë janë edhe dy lokacione tjera ku dyshohet për të eshtrat e të zhdukurve gjatë luftës.

Ai ka përmendur një lokacion në fshatin Bizhtazhin të Gjakovës, ndërsa lokacionin e dytë nuk e zbuloi.

“Ne në fakt veprojmë në bazë të urdhëresave, jo informacione të lokacioneve. Urdhëresë kemi edhe për dy lokacione të tjera, njëra është Bishtazhini dhe tjetra nuk po e përmendi emrin. Ndërkaq, nuk kemi lokacione të tjera të Kosovës”, u shpreh ai.

Hoti për “Deklaratën për të Zhdukurit”: Nuk kemi informacione nga BE-ja lidhur me formimin e Komisionit

Kryetari i delegacionit të Kosovës për personat e pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti, në një intervistë për Front Online duke folur për Deklaratën për të Zhdukurit, thotë se ajo nuk është duke u zbatuar.

Ai deklaron se as nga Bashkimi Evropian nuk kanë marrë ndonjë informacion që pritej të formohej një komision i përbashkët.

Hoti shprehet pesimist se do të ketë ndonjë përparim në këtë drejtim, tani për tani, kur Kosova po përballet me një situatë jo të mirë në veri të vendit.

“Pas rasteve të fundit në Kosovë që po ndodhin që nuk kanë të bëjnë me personat e zhdukur me ngjarjet në veri, nuk kemi marrë as nga Bashkimi Evropian ndonjë informacion deri më sot se çfarë po ndodh me formimin e komisionit të përbashkët. Sepse ai komision është garantues në një formë për zbatimin dhe implementimin e këtyre pikave të deklaratës, por duke e pasur parasysh se çfarë është duke ndodhë nuk pres në këtë gjendje që është Kosova dhe Serbia se do të ketë ndonjë përparim në këtë drejtim”, shprehet ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera