DW: Paqartësi lidhur me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit
Autori: Gazeta inFokus 18:25 | 29 April 2023
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, që mbahet më 02.05 në Bruksel, do të prezantohet një draft-statut i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Por gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për këtë duket se janë minimale. Palët kanë kundërshtime dhe qëndrimeve diametralisht të kundërta.
Megjithatë takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit me praninë e emisarit të BE, Miroslav Lajçak cilësohet i rëndësishëm.
“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, është shprehur Lajçak. Nga ky takim pritet të nënshkruhet edhe deklarata e përbashkët e dakorduar në takimin e parafundit për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti: Nuk njihet aq puna e ekipit menaxhues
Nga Kosova paraqiten rezerva në lidhje me punën e ekipit menaxhues. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb, dhe përmbajtja e statutit nuk janë siç thotë ai, “edhe aq të njohura”.
Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues.
“Ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion dhe në përputhje me qëllimet tona dhe parimet tona”, ka thënë Kurti.
Vuçiq: Do të prezantohet statuti
Ndryshe është qëndrimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq para takimit. Ai ka thënë se Ekipi Menaxhues më 2 maj, do të prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se “nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë”.
Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca ekzekutive, ndërsa Kosova nuk i pranon ato.
Por çfarë dihet dhe kush është Ekipi Menaxhues për formimin e statutit të Asociacionit?
Në vitin 2016, një vit pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan për parimet e Asociacionit, Ministria e atëhershme e pushtetit lokal emëroi Ekipin Menaxhues. Në atë kohë, në krye të kësaj ministrie ishte Lubomir Mariq nga radhët e Listës Serbe. Tani Mariq është deputet i Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe. Mariq, i cili ishte koordinator i Ekipit Menaxhues, caktoi katër persona për të shkruar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe: Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq, Vinko Radosavleviq dhe Svetisllav Durlleviq.
Nuk dihet nëse ky Ekip Menaxhues ka hartuar statut të ri të Asociacionit dhe kryeministri Kurti nuk ka njohuri për këtë.
“Ministri im i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka ftuar në takim Ekipin menaxhues, por ata nuk janë përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë e cila merret për së afërmi me këtë ekip menaxhues për draft-statutin, siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në qeveri, para se unë të bëhem sërish kryeministër”, tha Kurti.
Nga ana e tyre zyrtarë të BE-së nuk kanë sqaruar, nëse ekipi menaxhues do ta sjellë statutin e Asociacionit në takimin e 2 majit, por vetëm rikujtuan se Asociacioni është obligim i Kosovës, i pranuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, dhe se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen. “Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës, ka qenë i qartë kur bëhej fjalë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Këtë e kemi përsëritur në reagimin ndaj zgjedhjeve lokale në komunat në veri të Kosovës, nevojitet urgjentisht formimi i Asociacionit”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Formimin e Asociacionit e kërkon edhe Presidenti i Serbisë, Vuçiq. Pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës nuk do të kthehen në institucione, pa formimin e Asociacionit, sipas tij. Kurse Prishtina zyrtare akuzon Beogradin, për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, pasi Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Brukseli “është në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim si shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti. Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”. Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.
“Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve do të reflektohet në rrugëtimin e tyre për në Bashkimin Evropian”, tha Peter Stano.
Themelohet Komisioni i Përbashkët për Monitorimin e Zbatimit të Marrëveshjes
Bashkimi Evropian tanimë ka njoftuar se është themeluar Komisioni i Përbashkët për Monitorimin e Zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit, më 18 mars në Ohër. “Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikëqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti”, ka thënë zëdhënësi Stano.
Anëtarë të këtij Komisioni të përbashkët do të jenë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë këtë komision në emër të BE-së. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq. Komisioni i përbashkët do të takohet rregullisht në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja e Ohrit, nuk paraqet tërësi të elementeve, por paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë. “Ne jemi zotuar, dhe e kemi ripërsëritur qëndrimin tonë, për zbatim të plotë të kësaj pakoje, të kësaj Marrëveshjeje bazë, dhe aneksit përkatës për implementim, dhe tash besoj që fjalën e ka Brukseli që ta detyrojë Serbinë për këtë”, ka thënë Kurti. Marrëveshja me 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë, territorin, pasaportat, diplomat dhe targat. /dw/
Të tjera
-
Bajrami reagon për rezervat: Piuna unë kam qenë në opozitë, Kurti e takoi vjehrrin e biznesmenit të dënuar për rastin
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i është kundërpërgjigjur akuzave të minis...
-
Rilind Gërvalla tash e mohon se AKI ka gisht në lajmin e RTK-së që sulmoi mediat, akuzon një pjesë të bordit
Rilind Gërvalla, Drejtor i RTK-së, ka mohuar se AKI ka gisht në lajmin që sul...
-
“Rasti ndodhi jashtë objektit” – Rektorja jep detaje për shpërthimin në kolegjin privat në Prishtinë
Rektorja e kolegjit privat “Heimerer” në Prishtinë, Naime Brajshori, është de...
-
Krerët e UÇK-së i ankohen trupit gjykues, i shkruajnë një letër me disa kërkesa
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli,...
-
Raportohet për një shpërthim në një kolegj privat në Prishtinë
Një shpërthim ka ndodhur sonte në Prishtinë. Në rrethana të pasqaruara ako...
-
Nenad Rashiq i indinjuar që serbët autentikë të Kosovës janë ende jashtë procesit të dialogut
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk pret asgjë ...
-
Çitaku: Për ata që po ngrisin pikëpyetje, Mitrovica e Jugut është komuna e parë për numrin e premtimeve të realizuara
Pas një aksioni të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Jugut...
-
Tensionohet situata në Shqipëri, protestuesit konfrontohen me policinë
Ka patur tensione të forta në sheshin “Willson” mes protestusve dhe policisë....
-
“Bajrami ka “avulluar” 2.5 milionë kg grurë nga rezervat shtetërore”, deputetja e LDK’së – Bajqinovcit: A ka njeri normal që të beson?
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar sot ndaj postimit të deputetit...
-
30 ditë paraburgim ndaj tre serbëve që provokuan në Deçan
Ne Gjykaten Themelore në Pejë – Dega në Deçan sot është mbajtur seanca për ca...
-
Dy shqiptare kapen me 30 kg marihuanë në kufirin greko-shqiptar
Dy gra shqiptare janë kapur duke trafikuar një sasi të madhe droge nga Shqipë...
-
Profesori i gazetarisë e quan “mafiozitet editorial” lajmin e rremë të publikuar nga RTK-ja
Profesori universitar i gazetarisë, Milazim Krasniqi, e ka quajtur “mafiozite...