Lajme

Donald Trump merr edhe Arizonën, fiton 7 shtetet vendimtare

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 10 November 2024

Republikani Donald Trump fitoi edhe në shtetin e Arizonës, sipas parashikimeve të medias amerikane, duke shënuar kështu fitore në të shtatë shtetet vendimtare, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Pas numërimit të votave për 4 ditë me radhë në shtetin jugperëndimor me një popullsi të madhe hispanike, rrjetet CNN dhe NBC parashikojnë se zoti Trump fitoi dhe mori 11 votat elektorale duke mundur Nënpresidenten demokrate Kamala Harris. Në zgjedhjet e vitit 2020, Presidenti Joe Biden shënoi një fitore të ngushtë, por të rëndësishme në Arizona

Republikanët kanë siguruar shumicën në Senat dhe duket se po i afrohen edhe kontrollit të Dhomës së Përfaqesuesve. Sipas rrjetit CNN, republikanët kanë siguruar 213 nga 218 vendet që i duhen për të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se deri tani demokratët kanë siguruar 202 vende.

-Advertisement-

Presidenti i zgjedhur Trump, shënoi fitore edhe në 6 shtetet e tjera kyçe për garën presidenciale, në Pensilvani, Wiskonsin, Miçigan, Karolinën e Veriut, Nevada dhe Xhorxhia,.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Joe Biden do të takohet me Presidentin e zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën. Takimi i tyre është caktuar të zhvillohet në orën 11.

Një takim i tillë është i zakonshëm midis presidentit që po largohet dhe presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane.

Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ndërkohë, të shtunën, presidenti i zgjedhur përjashtoi mundësinë që në administratën e tij të re të përfshihen dy figura të njohura të mandatit të tij të parë, ish Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe ish ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Halley.

Ish ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell kryeson listën e kandidatëve për të drejtuar politikën e jashtme amerikane në administratën e re, sipas njoftimeve të medias. Kandidat tjetër favorit duket se është edhe Senatori Marco Rubio i Floridës, i cili në vitin 2016 e cilësoi zotin Trump si “personin më vulgar që ka synuar të behet President”. /VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera