Lajme

Dogana mbush 25 vjet që nga themelimi, Kurti e vlerëson lart për të arriturat

Autori: Gazeta inFokus 16:26 | 30 August 2024

Dogana e Kosovës ka mbushur plot 25 vite që nga themelimi i saj.

Lidhur me këtë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e pare.

E një gjë e tillë sipas kryeministrit, ka ndodhur falë luftës ndaj korrupsionit, thjeshtëzimit të procedurave doganore, e angazhimit të punënjësve të kësaj Agjencie.

-Advertisement-

“Çerekshekulli Doganë. Në muajin gusht, Dogana e Kosovës mbushë plot 25 vite që nga themelimi. Institucion ky që ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një nga komponentët e zhvillimit të vendit, mbrojtës i sigurisë së tij e katalizator i krijimit e forcimit tonë si shtet. Gushti i këtij viti përveç që shënon një periudhë 25 vjeçare të pazëvendësueshme për realitetin që gëzojmë sot, vë në pah një rekord historik të kësaj agjencie. Për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë, apo 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak. E kjo është bërë e mundur falë luftës ndaj korrupsionit, thjeshtëzimit të procedurave doganore, e angazhimit të palodhur të punonjësve të kësaj Agjencie, gjithmonë në bashkëpunim me akterët e shtetit, e me partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, kryeministri kujtoi si nëntë vjet pas themelimit, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 19 shkurt të vitit 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje e Bërnjak, u dogjën nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia.

Kurti thotë se rimarrja e kontrollit të këtyre pikave në vëri ka qenë pikë kthese kritike.

“Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida. Dogana e Kosovës u themelua në vitin 1999. Afër nëntë vjet më vonë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Republikës së Kosovës, u dogjën e shkatërruan nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia. Rimarrja e kontrollit të këtyre pikave dhe vendosja e ligjit në veri të Kosovës kanë qenë pikë kthese kritike” thuhet në postimin e tij.

Po ashtu, Kurti ka kujtuar Enver Zymerin, policin që ra dëshmor gjatë aksionit policor në veri më 26 korrik të vitit 2011.

“E për këtë, është e drejtë dhe e nevojshme që ta nderojmë e përkujtojmë heroin tonë kombëtar, Enver Zymerin, i cili ra dëshmor gjatë aksionit policor në veri më 26 korrik të vitit 2011. Situata sot në veri është ndryshe nga ajo e një dekade para. Në sajë të përpjekjeve të përbashkëta, veriu i Kosovës tashmë është shembull i mirë i operacioneve dhe përpjekjeve për luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, ku nga viti 2021 janë ndërmarrë rreth 163 operacione me këtë qëllim”, thuhet tutje në postimin e Kurtit.

Në përfundim, Kurti thekson se Dogana është shndërruar në një nga shtyllat kryesore që i kontribuon stabilitetit të shtetit dhe punës për të.

“Historia është regjistër i së kaluarës që udhëzon e përcakton të tashmen, ndërsa e tashmja e Doganës është më premtuese për të ardhmen sesa ka qenë ndonjëherë. Me një rritje të jashtëzakonshme të të hyrave, tejkalim të projeksioneve vjetore, rritje mbi 100% të numrit të konfiskimeve, sekuestrimeve e luftimit të evazionit fiskal në krahasim me vitin 2019, Dogana është shndërruar në një nga shtyllat kryesore që i kontribuon stabilitetit të shtetit dhe punës për të. Vlen të përmendim këtu edhe dy hapa tjerë të realizuar. Së pari, marrëveshjen me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësirat doganore, e cila vendosi operacionet e zhdoganimit në hapësira të përbashkëta në Portin e Durrësit dhe në Porto Romano duke mundësuar bashkëpunim shumë më efikas mes dy vendeve, ndërsa për tregtarët uli koston e operimit me rreth 10 milionë euro në vit. Këto janë vetëm disa nga sukseset e Doganës e si Qeveri jemi të përkushtuar që të vazhdojmë mbështetjen për Doganën edhe përgjatë viteve në vijim”, ka potencuar kryeministri

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera