Lajme

Dizajnimi i grafikonëve për të paraqitur suksese, partia e Kurtit akuzohet se po i manipulon qytetarët

Autori: Gazeta inFokus 12:19 | 05 September 2023

Lëvizja Vetëvendosje po dizejnon grafikonë në përpjekje për të paraqitur atë që ata e quajnë sukses të jashtëzakonshëm të kësaj qeverie.

Partia e Albin Kurtit po kritikohet se po i manipulon qytetarët me statistika, diku duke ‘vizatuar’ me hile kolonat në grafikon, e diku duke veçuar vetëm disa muaj në matjet për progres.

Qeveria ka marrë për bazë katër muajt e parë të këtij viti dhe atij paraprak për të proklamuar një rritje të investimeve të huaja direkte.

-Advertisement-

Lëvizja Vetëvendosje të hënën publikoi një grafikon duke thënë se investimet e huaja direkte janë rritur këtë vit krahasuar me vitin e kaluar me një dallim prej mbi 70 milionë eurosh.

“Rriten investimet e huaja direkte. Afër +70 milionë euro më shumë investime të huaja direkte në Kosovë këtë katër mujorin e parë krahasuar me katër mujorin e vitit të kaluar”, shkroi partia në pushtet, në një postim në Facebook, të cilit ia bashkangjiti një grafikon të dizejnuar me këto të dhëna.

Por, LVV-ja ka zgjedhur t’i marrë për bazë vetëm të dhënat e katër muajve të parë të viteve 2022 dhe 2023, jo më tepër.

Grafikoni i publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe anëtari i Lidhjes Demokratike, Berat Rukiqi ka thënë se bëhet fjalë për manipulim.

“Nje tjeter manipulim statistikor dhe me infografike nga zyra per propagande e Levizjes Vetevendosje. Kesaj rradhe me shifrat e Investimeve te Huaja Direkte, duke krahasuar te dhenat e çerekut te pare te vitit 2022, me te dhenat e çerekut te pare te vitit 2023, pra duke i perdorur per krahasim muajt te cilet ju kane konvenuar me shume”, shkroi ai në Facebook.

Rukiqi tha se “tentativa për manipulim” është “e vetmja rrugë për të treguar ndonjë ‘sukses’”.

“Nje qeverie, me performancen me te dobet ne realizimin e investimeve kapitale, qe nuk ka arritur te nis asnje projekt te rendesishem per ekonomine e vendit, e per me shume e ka perkeqesuar rejtingun e Kosoves per investime te jashtme, duke prodhuar kriza te vazhdueshme, e vetmja rruge per te treguar ndonje “sukses”, eshte tentaviva per manipulim, me statistika te paqendrueshme dhe grafikone te hiperbolizuara”.

Ai shkroi se “kontributi me i rendesishem i ketij pushteti ne ekonomine e vendit jane prodhimi i videove propaganduese dhe infografikes me manipulime statistikore”.

Para dy javësh, njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi shkroi se si pushteti, sipas tij, po i manipulonte qytetarët me një tjetër grafikon të publikuar për paratë e mbledhura nga Dogana e Kosovës.

Të hyrat në buxhet nga Dogana janë rritur për 71 milionë euro, por pushteti po e paraqet “si me qenë 70%”, shprehej Shenolli.

Duke i paraqitur këto të dhëna, partia e kryeministrit Albin Kurti e ‘vizatoi’ shumë të vogël kolonën e të hyrave në vitin e kaluar, ndërsa e paraqiti shumë më të madhe atë për të hyrat e këtij viti, ku dallimi duket shumë më i madh nga sa është në të vërtetë.

“Jemi lodhur me propagandë. Vetëm shiqojeni grafikonin e manipuluar të pushtetit. Dmth ka rritje të të hyrave për 71 milion nga viti 2022 por pushteti e paraqet me grafikon rritjen si me qenë 70%”, shkruante Shenolli. “E mora mundin me e paraqitë grafikonin real si duket me shifra të njejta sa me pa dallimin edhe nga Hëna nëse dëshironi. Ska nevojë me manipuluar, vetëm bëjeni punën ashtu si duhet”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera