Lajme

Diplomati amerikan: Sulmi në Banjskë skenar për të nxitur reagimin e Kosovës, ndaj të cilit do të reagonte Serbia më pas

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 07 October 2023

Diplomati amerikan në pension i cili ka shërbyer edhe si ambasador i SHBA-së në NATO, Kurt Volker, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ku u vra një polic i Kosovës ishte provokuar me qëllim për të marrë një përgjigje nga Kosova, ndaj të cilit më pas do të reagonte Serbia.

Ai ka thënë se është e nevojshme që të bëhet presion mbi Beogradin për të parandaluar skenarë dhe provokime të tilla.

Volker gjithashtu ka thënë se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të përpiqen të mos ndërmarrin asgjë që pala tjetër do të mund ta konsideronte provokative e që do të shkaktonte reagim.

-Advertisement-

“Incidenti në të cilin u vra një polic i Kosovës ishte krijuar për të provokuar një përgjigje nga pala kosovare – ndaj së cilës Serbia do të reagonte më pas. Mendoj se është e nevojshme të bëhet presion mbi Beogradin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar skenarë dhe provokime të tilla. Nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhte nëse do të kishte një mesazh të qartë se një gjë e tillë nuk është e mirëseardhur. Gjithashtu, është e nevojshme që të dyja palët të përpiqen të qetësojnë pasionet dhe të mos ndërmarrin asgjë që pala tjetër do ta konsideronte si provokim – që do të shkaktonte një lloj reagimi”, tha për Zërin e Amerikës diplomati amerikan në pension, Kurt Volker.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pa u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit  të  Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera