Dinosha: Serbia nuk ka ndryshuar, Kosova të ketë unitet politik e koordinim me Amerikën
Autori: Gazeta inFokus 10:11 | 30 July 2023
Pas tensioneve të fundit në veri të vendit, ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha apelon politikën kosovare për unitet lidhur me çështjen e dialogut, si dhe koordinim më të ngushtë me aleatët. Sipas tij, kjo do të jetë rruga më e mirë për shmangien e incidenteve dhe konflikteve eventuale në Kosovë, ose në Ballkanin Perëndimor. Në të kundërtën, thotë se çdo zvarritje e proceseve mund të mos jetë në favor të Kosovës.
Ish-ambasadori Dinosha, njëherësh kryetar i Unionit Nacional Shqiptar, në një intervistë për KosovaPress, thotë se në veçanti, kontakti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë i përhershëm. Ai flet për marrëveshjen e Ohrit, si dhe shfrytëzimin e momentumit për shqiptarët, pas luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë.
Dinosha flet edhe për ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, bazuar në përvojën e Malit të Zi, ku tërheq vëmendjen se tendencat përtej asaj që është dakorduar deri më tani duhet të shkëputen menjëherë.
Marrë parasysh propagandën e Serbisë karshi Kosovës, ai thotë se është momenti i fundit kur gjërat duhet të nisin të marrin zgjidhje, në mënyrë që imazhi i vendit tonë të mos dëmtohet në botë
“Situata në Kosovë vazhdon të jetë e paqartë dhe me tensione, mendoj se do të ishte më mirë sikur gjërat të fillonin të merrnin zgjidhje, në dobi të asaj që është interes i Kosovës dhe i rajonit në tërësi, sidomos i shqiptarëve në rajon. Pra, do të kisha dashur që të shihja që kontaktet e qeverisë aktuale të Kosovës me faktorin ndërkombëtar janë ato që prodhojnë rezultate të mira në proceset demokratike në Kosovë…Mbase nuk jam unë ai që mund t’i jap notë në punën e qeverisë. Vetëm vërej se proceset po ngadalësohen dhe se kjo mund të mos jetë në interes të Kosovës. Pra, kontakti me ndërkombëtarët, kontakti me amerikanët duhet të jetë permanent, duhet të jetë i përhershëm dhe duhet të jetë i sinqertë, dhe maksimalisht transparent…Qytetarët e Kosovës, shqiptarët meritojnë të dinë se çfarë po ngjanë, dhe meritojnë t’u thuhet qartë, se ku është pozicioni i qeverisë aktuale bashkë edhe me opozitën se disa gjëra nuk do të shkojnë drejt zgjidhjes, pa punë të përbashkët edhe me opozitën e Kosovës”, thotë ai.
Sa i përket marrëveshjes së Ohrit, Dinosha thotë se e njëjta mund të shkojë përtej asaj të vitit 2013 dhe siç kanë thënë edhe disa analistë, të mos jetë e dobishme. Ai apelon për unitet politik në Kosovë, në mënyrë që vendi të ecë përpara.
“Kjo transparencë duhet të jetë e pranishme edhe kur është fjala për qasjen ndaj marrëveshjeve, të cilat janë arritur më parë me faktorin ndërkombëtar lidhur me marrëveshjen finale me Serbinë, dhe gatishmërinë e Kosovës, në këtë rast për të qenë ose për mos qenë në binarët e realizimit të marrëveshjeve të mëparshme. Sa vërej nga këtu, më duket se situata në kohë të fundit në veriun e Kosovës ka bërë koklavitje të mëtejme, nuk ka sqaruar gjëra, as marrëveshjen e Ohrit nuk e shoh si diçka që ka sqaruar skenën politike të brendshme në Kosovë, dhe mendoj se kjo duhet të ishte e nevojshme. Mund të mos kem unë informacion të mjaftueshëm për ta vlerësuar. Por, e di se analistë të caktuar e shohin si marrëveshje, e cila mund të mos jetë e dobishme, madje mund të shkojë përtej asaj që ka pas paraparë për palën serbe marrëveshja e vitit 2013”, thekson ai.
Derisa Serbia vazhdon propagandën karshi Kosovës, ish-ambasadori Dinosha thotë se Kosova duhet të fokusohet në zgjidhjen e problemeve pavarësisht kësaj, pasi siç thotë ai, nga një vend me regjim diktatorial nuk mund të pritet tjetër.
Sipas tij, regjimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq nuk dallon shumë me ato të kaluarat.
“Propaganda nga Serbia nuk më çudit fare, unë nuk pres diçka tjetër nga Serbia, marrë parasysh se në Serbi vazhdon të jetë në pushtet regjimi, i cili nuk ka dallim shumë nga regjimet e mëparshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund të presim demokraci të madhe nga ana e Serbisë dhe se prapë se prapë në duhet të jemi në krye të detyrës dhe të zgjidhim çështje të pazgjidhura ende, me ata që janë në pushtet në Serbi…Nuk mendoj se është mbyllje sysh karshi Serbisë, nuk mendoj se Perëndimi në përgjithësi, miqtë tanë ndërkombëtarë nuk e kanë të qartë se me kë kanë të bëjnë, kur është fjala për regjimin e Serbisë. Prapë se prapë, mendoj se kontakti ynë duhet të jetë ai, i cili dëshmon se ne jemi vazhdimisht të gatshëm, të konsultohemi me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe hapat tonë t’i koordinojmë me ta natyrisht. Ata janë të pranishëm përmes ambasadave në Kosovë, por zyrtarë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare vijnë shpesh në Kosovë dhe unë mendoj se kontaktet tona duhet të dëshmojnë se sugjerimet e tyre janë ato, të cilat tërheqin veshin tonë. Pra, nuk guxojmë të lejojmë që për periudhë më të gjatë, sugjerimet e miqve të hasin në vesh të shurdhër tek ne, përkundrazi”, thotë Dinosha.
Ai flet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Duhet thënë haptas ajo që dihet, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar, është diçka që Kosova ka marrë përsipër. Unë jam nga njerëzit, i cili mendon se cilido lloj Asociacioni, për serbët nuk do të ishte zgjidhje finale dhe nuk shoh se është shumë interes i Kosovës, që të shkohet në atë drejtim, sepse herët apo vonë asociacioni mund të krijojë probleme. Sidomos, duke ditur sjelljen dhe mënyrën e bërjes politikë të palës serbe dhe mënyrën e qasjes së tyre në përgjithësi, çështjes së Kosovës dhe çështjes së marrëdhënieve me shqiptarët. Pra, një lloj zgjidhjeje duhet nëse shumica në Kosovë mendon se asociacioni është zgjidhje. Atëherë duhet shkuar në atë drejtim, por me transparencë maksimale”, shprehet ai.
Kryetari i Unionit Nacional Shqiptar, Ferhat Dinosha thotë se agresioni ushtarak rus në Ukrainë, mund të shfrytëzohet pozitivisht, veçanërisht për proceset që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ndërkohë që, apelon për kujdes kur është fjala për kompetencat e Kishës Ortodokse Serbe.
“Kisha serbe do të tentojë të prodhojë situata, të cilat shkojnë në pajtim me politikat serbe, por ne duhet të jemi ata që situata e tilla të mos i lejojmë në Kosovë. Kisha serbe më duket se ka një status, i cili është definuar pothuaj në pjesë të madhe edhe me zgjidhjen ndërkombëtare me rregullat ndërkombëtare, bazuar pra në drejtësinë ndërkombëtare dhe shteti i Kosovës ato obligime që i ka marrë me ndërkombëtarët karshi saj, duhet t’i respektojë, e t’i jetësojë kurse tendencat për diçka më tepër t’i shkëpusë në start”, thotë ai.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë.
Para ndërtesave komunale kanë protestuar serbët, të cilët kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it, si dhe ekipet e mediave, të cilët ishin duke raportuar nga pjesa veriore e vendit.
Të tjera
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...
-
Kurti: Viti 2024 është viti i pasaportës sonë, ajo renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në lidhje me ngritjen e Kosovë...
-
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë, kolona 500 metra
Foto ilustrim Në pikën kufitare në Jarinje ka deri në 2 orë pritje për të ...
-
Besnik Tahiri zyrtarëve të Jordanisë: Decentralizimi proces afatgjatë dhe jo i lehtë, konteksti i vendit ka rëndësi të madhe
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me gr...
-
Pse po i ndanë Kurti pensionistët e FSK-së nga 100 euroshi? Pyetja e zyrtarit të lartë të AAK-së
Zyrtari i lartë i AKK-së, Lahi Brahimaj ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë ...
-
TikTok-u i kërkoi sqarime Shqipërisë, i kundërpërgjigjet Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj kërkesës së TikTok për “...
-
Nitaj: Ç’është kjo mesele? Veç vitrat jepen para se të falet Bajrami, por vitrat s’janë para të taksapaguesve
Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj e konsideron komuniste sjel...
-
Aksident mes tri veturave në Prishtinë, lëndohen dy persona
Një aksident trafiku mes tri veturave ka ndodhur pasditen e së dielës në rrug...
-
Një orë pritje për të hyrë te Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë
Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në...
-
Sullivan: Trump ka vërtetë mundësi që ta negociojë marrëveshjen bërthamore me Iranin pas rënies së Assadit në Siri
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan sugjeroi se ekzist...
-
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Një akt ekstrem censure, e ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike Sali Berish...