Lajme

Dimri i fundit

Autori: Musli Krasniqi 08:58 | 14 December 2020

Brahim Sefa hyri në odën e madhe me një libër në dorë dhe u ul këmbëkryq në minder. Nga mesi i librit nxori me kujdes letrën. As qëndrimi i gjatë midis fletësh nuk ia kishte zbutur thyerjet nga palosja e dyfishtë.

“Ky është teksti i Beqës. Donte të bënte një këngë”, tha, dhe na e ofroi letrën.

Një bukurshkrim i rrallë dhe një tekst po aq përmbajtësor mbushnin njërën faqe të saj, që kishte filluar të merrte ngjyrën e kohës.

-Advertisement-

“Do ta marrim me vete dhe do ta botojmë në gazetë”, i thamë, duke i hedhur një shikim lutës.

“Nuk mund t’ua jap. E kam kujtim nga Beqa. Në një rast të ngjashëm, një letër tjetër nuk ma patën kthyer”.

Çdo insistim ishte i tepërt, prandaj u pajtuam në heshtje.

Me një bisedë të lirë, në ngjasim të një muhabeti odash, vazhduam intervistën me rapsodin e njohur nga Mleqani i Malishevës.

Grupi folklorik prej pesë vëllezërish, nga gjashtë gjithsej, kishte marrë formën e plotë në vitet ’80-të dhe ishte bërë i njohur e pëlqehej nga i madh e i vogël anekënd vendit.

Populli tashmë e kishte pagëzuar Të Bijtë e Sefë Mleqanit.

Rrëfimi i Ibrahim Sefë Gashit po niste me fëmijërinë dhe me hapat e parë të grupit në drejtim të folklorit, gjurmëve të babait, rapsodit të njohur Sefë Mleqani.

Ngjarje të panumërta ndër dekada po regjistroheshin në mjetin tonë të incizimit nga goja e rapsodit emblematik. Dasma e ndeja qejfi gjithandej Kosovës përcaktoheshin muaj më herët, në varësi të kohës që kishin në dispozicion Të Bijtë e Sefës. Repertori i këngëve të tyre buronte nga tabani popullor, me mesazhin e rezistencës e të luftës për çlirim, të trimërisë e të besës, të jetës e të dashurisë, kundër migrimit dhe hakmarrjes.

Midis këtij realiteti ishte rritur e burrëruar, por edhe ndërtuar si këngëtar folklori dhe, siç e dëshmoi më vonë historia, si luftëtar çlirimtar, më i vogli i vëllezërve, Beqir Sefë Gashi.

“Me Beqën kishim kompozuar bashkë një melodi, ngase donim të bënim një këngë për Tahir Mehën. Por nuk qe e thënë. Megjithatë, ajo u bë melodia e këngës ‘Kreshtat e Kosovës’ dhe e tëra bashkë kolona zanore e luftës çlirimtare”, vazhdonte rrëfimin mësuesi i muzikës.

Teksa po hynim në pjesën më të ndjeshme të bisedës, rrëfimin do ta bënte edhe më të plotë nëna Sadbere.

“Në lajme u tha se një grup i madh luftëtarësh kishte ra në pritë në kufi. Në mesin e tyre edhe Muja e Beqa. Mua më thanë ‘Muja është plagosur, ndërsa Beqa është kthye në Shqipni dhe është mirë’. Ma vonë u mor vesh e vërteta… Beqa, Muja dhe vëllai i tij, Aliu, bashkë me shumë shokë të tjerë, kishin ra heroikisht”.

Derisa po fliste nënë Sadberja, Brahimit po i turbullohej shikimi dhe po përhumbej në ngjarjen e 14 dhjetorit 1998, diku në shpatijet e Pashtrikut…

* **

Komandanti dha urdhrin të ndërpritej kënga, ngase tashmë grupi kishte hyrë në zonën e kontrolluar nga armiku dhe qetësia duhej bërë njësh me natën që po ikte.

Atë qetësi po e prishte vetëm fishkëllima e fërfëllizës së atij pragmëngjesi të acartë dhjetori.

Armiku ishte në dijeni që në kufirin me Shqipërinë ishin rritur hyrje-daljet nga grupe luftëtarësh të UÇK-së, andaj edhe kishte rritur prezencën ushtarake.

Megjithatë, kjo nuk po jepte rezultatet e pritura. Përkundrazi. Sa shtigje ziheshin në kufi, dhjetëfish vatra të luftës çlirimtare ndizeshin dhe po aq fronte hapeshin gjithandej atdheut.

“Me këto armë do ta rrisim brigadën dhe do t’i japim një hov edhe më të madh luftës. Do zoti e t’i dërgojmë sa më shpejt. Këtë dhjetëshen e kam ndarë për vete”, po i fliste me zë të ulët, për të entuziazmuar, një luftëtar i ri shokut para vetes, duke përkëdhelur lehtazi kondakun e njërës nga pushkët që mbante në sup.

Zemra djaloshare që i kishte dehur era e lirisë, i kishin dhënë pushkës krahun dhe nuk po e ndjenin peshën e rëndë të armatimit mbi supe. Vajza që i ishin falur atdheut, nuk pyesnin as për acarin e ngricat, e as për gërxhet e thepat malorë.

Vetëm pjalmi po u vështirësonte shikimin.

Në mesin e luftëtarëve ishte pjekur mendimi se dimri në ardhje do të jetë i fundit me çizmen armike në tokën arbërore.

“Ta gëzosh. Pushka e trimave ndalet vetëm në ditën e çlirimit”, iu kthye atij që foli, djaloshi, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrën e skuqur nga të ftohtit dhe me mesazhin të ruhej qetësia.

Atë mëngjes, në atë kapërcyell vjeshte, armiku kishte thyer murin e vigjilencës së gueriljes shqiptare. Dyzetedy luftëtarë po skuqnin borën në një betejë të pabarabartë. Shkulma gjaku gjithandej truallit. Në ballë të tyre, sipas traditës luftarake shqiptare, komandanti, me krahun e tij të djathtë të çiftelisë e të pushkës.

Ishte rast unik ky në historinë e luftërave kur të rënët në një pritë aq të përgatitur, të arrijnë ta rikthejnë atë në një betejë disaorëshe, duke ia kthyer armikut mbrapshtë të gjithë plumbat.

Dëshmitarët e këtij flijimi epik, yjet llamburitës në qiellin e paskaj, po shkëputeshin një nga një në horizont.

***

Brahim Sefa ngriti vetullat dhe lëshoi një ofshamë. Kjo rrjedhë e ngjarjes, e ndërtuar në imagjinatën e tij, e që po e ndiqte hap pas hapi dhe i ishte bërë e përditshme, po e sfiliste pak nga pak.

“Pas rënies së Beqës e të Xhaferit, a ju ka shkuar mendja ta lini këngën”?, thyem heshtjen.

“Asnjëherë. Kurrë. Bash për hir të Beqës e kemi vazhduar këngën dhe nuk do ta ndalim për sa të na mbajë zani. Edhe pse Beqa na e ka këputur krahun. Tani kemi mbetur ne të vjetrit, Imeri, Osmani dhe unë. Por pas nesh, do ta vazhdojnë djemtë dhe nipat tanë”.

(Biseda me rapsodin Ibrahim Sefë Gashi është realizuar në shkurt të vitit 2008, në shtëpinë e tij në Mleqan)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera