Dialogu për Kosovën, puna më e rëndë për Serbinë (Video)
Autori: Gazeta inFokus 19:07 | 30 October 2017
Grupi punues për ofrimin e mbështetjes për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, dialog ky i iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur mbledhjen e parë.
Pas mbledhjes, kryetari i këtij grupi, Marko Gjuriq, njëkohësisht edhe shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, ka thënë se detyrë e tyre është “dialogu për Kosovën përmes diskutimit më të gjerë shoqëror”.
“Kjo është mbështetja për njërën prej punëve më të rënda, me të cilat është ballafaquar Serbia në vitet e fundit”, ka thënë Gjuriq për rolin e grupit punues, në krye të së cilit e ka emëruar Qeveria e Serbisë më 16 tetor.
Grupin punues e përbëjnë përfaqësuesit e ministrive të Qeverisë së Serbisë, të Zyrës për bashkëpunim me shoqërinë civile, si dhe Sekretariatit republikan për ligjvënie.
Sipas Gjuriqit, qëllimi i punës së grupit është që përmes kompetencave të të gjithë resorëve që përfaqësohen “të shohin se cilat janë ato institucione, grupe shoqërore dhe institute, që do të mund të ndihmojnë shtetin e Serbisë në forcimin e kapaciteteve institucionale për tu marrë me çështjen e Kosovës”.
“Ajo duhet të përfshijë institucionet e shtetit, opinionin akademik, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile dhe sa më shumë që është e mundur edhe qytetarë të rëndomtë”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se për mënyrat konkrete të punës, do të flitet më tepër në të ardhmen.
Pritet që në ditët në vijim të shpallet se kur do të fillojë formalisht dialogu dhe se kujt do t’i bëhen ftesat e para për konsultime lidhur me Kosovën.
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me formimin e grupit punues është mbështetur në kapacitetet e Qeverisë së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën të kësaj Qeverie, gjë që, sipas tij, është racionale, sidomos për shkak se për punët administrative dhe teknike i ka shfrytëzuar njerëzit që janë në rrjedha të kësaj çështjeje dhe me mënyrën e punës. Por, siç thotë ai, në këtë model, ekzistojnë edhe kufizime.
“Në qoftë se ky është ekip administrativ dhe burokratik, gjë që do të duhej të ishte sipas asaj që flasin detyrat e tij që së pari të organizojnë logjistikën dhe të përcjellë se çfarë po ngjanë në kuadër të procesit të dialogut të brendshëm, atëherë problem është komoditeti i ekipit. Kjo për shkak se ekipin e udhëheqë politikani, nënkryetari i partisë dhe përfaqësuesi i një politike, i cili do të duhej që në dialogun e brendshëm të shqyrtohet seriozisht. Përndryshe, dialogu i brendshëm nuk ka kuptim”, tha Janjiq.
Formimit të grupit punues i ka paraprirë deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilën e kishte bërë në muajin korrik, për nisjen e dialogut të brendshëm për Kosovën.
Ndërkohë, Vuçiq ka thënë se pret që me një propozim për Kosovën do të dilet në mars të vitit 2018. Deri më tash ai nuk ka zbuluar shumë se çfarë është ai propozim që pret, por siç ka thënë ai, zgjidhja nuk është “as në mitet dhe konfliktet”, por “as në heqjen dorë nga interesat nacionale”.
Janjiq thotë se kur Vuçiq kishte paralajmëruar për herë të parë dialogun e brendshëm, kishte thënë se është e dëshirueshme arritja e një konsensusi nacional, por ndërkohë, siç thotë ai, Vuçiq i është afruar realitetit dhe këtë e dëshmon formimi i grupit punues.
“Dialogu i brendshëm, në esencë, do të shndërrohet në konsultime profesionale – politike të Presidentit dhe Qeverisë dhe Kryeministrit, me grupin punues dhe njerëzit të cilët ata do t’i zgjedhin. Do të thotë, ky është faktori i parë kufizues dhe nuk duhet pritur që aty do të hyn edhe opozita. Kjo nuk është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit të Kosovës. A munden këto konsultime profesionale -politike ta avancojnë politikën që është udhëhequr deri më tash, kjo edhe mund të ndodhë në qoftë se dëshiron ai i cili e ka ftuar të ashtuquajturin dialog, e ky është Aleksandar Vuçiq”, tha Janjiq.
Që nga paralajmërimi i dialogut të brendshëm e deri më sot, kjo temë ka nxitur reagime të ndryshme në opinion, që nga ato se “qëllimi i Vuçiqit është krijimi i alibisë për pranimin e pavarësisë së Kosovës”, përmes mbështetjes së Brukselit, deri tek qëndrimet, sikurse ajo e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili beson që “për çështjen e Kosovës, Vuçiq mendon njëjtë sikurse populli serb dhe Kisha, si dhe që mbështetet në Rusinë që do t’i ndihmojë Serbisë që të ruajë atë që gjithmonë ka qenë serbe”.
Dialogu i brendshëm për Kosovën, sipas paralajmërime të mëhershme, është dashur të fillojë në shtator, por është shtyrë për tetor. Pjesëmarrjen, në parim, deri më tash e kanë pranuar Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, organizatat joqeveritare dhe një pjesë e opozitës. /REL/
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...