Kjo analizë fokusohet në tri aspektet të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nevojën për progres drejt marrëveshjes finale, nevojën për zhvillimin e dialogut të brendshëm me komunitetin serb në Kosovë, si dhe nevojën për rritje të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë ndaj Kuvendit dhe publikut të gjerë lidhur me këtë proces.
Me këtë rast, Violeta Haxholli nga KDI, ka theksuar se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mbetet faktor i rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës në veçanti, por edhe stabilitetin në rajon në përgjithësi.
Ajo shtoi se, Kosova dhe Serbia, ndonëse për më tepër se një dekadë po negociojnë nën platformën e BE-së, ideja e bisedimeve dhe epilogut final mbetet akoma e paqartë.
Me gjithë marrëveshjet e shumta përgjatë gjysmës së parë të procesit, dialogu ka prodhuar paqartësi, ndërsa dy vendet ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale. Diskutimet në kuadër të dialogut janë zhvilluar kryesisht për tema teknike, për të cilat është diskutuar e ri diskutuar varësisht nga zhvillimet në terren.
Haxholli theksoi se, që kur kanë rifilluar takimet e dialogut në Bruksel pas zgjedhjes së Qeverisë së re në Kosovë, mbi më shumë se një vit temat të cilat janë diskutuar kanë qenë liria e lëvizjes, konkretisht çështja e tabelave të veturave, energjia dhe çështja e personave të pagjetur.
Pas shumë përpjekjeve palët janë dakorduar për një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes për energji , ndërsa ende nuk ka marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe personat e pagjetur.
Në anën tjetër, edhe dakordimin e ri për udhërrëfyesin për energji duket se do ta përcjellë e njëjta praktikë e mos zbatimit. Kjo pasi që Serbia nuk i ka zbatuar pikat e udhërrëfyesit sipas afateve të përcaktuara. Kjo situatë do t’i detyrojë palët që të diskutojnë sërish për këtë çështje.
Në ndërkohë mbeten shumë tema për të cilat ende duhet të arrihen dakordime mes palëve, ndërsa duhet të diskutohet edhe mbi marrëveshje të cilat janë arritur shumë moti, por që nuk janë zbatuar në praktikë siç është p.sh. marrëveshja e diplomave, IBM-i etj.
Haxholli tha se tani takimet e dialogut po mbahen vetëm si reaksion ndaj zhvillimeve në terren siç ishte takimi i 18 gushtit pas vendimit të Qeverisë lidhur me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes. Ndërsa, nuk duket se ka vullnet politik të palëve për të lëvizur përpara drejt marrëveshjes finale edhe pse kjo mbetet kërkesë dhe kriter i Bashkimit Evropian për të dy vendet për të lëvizur përpara drejt proceseve integruese.
Palët duhet të rifillojnë sa më parë diskutimet mbi elementet e kësaj marrëveshje në mënyrë që të përafrohen tek zgjidhja përfundimtare, e cila pastaj do të kishte efekt domino edhe në zgjidhjen e çështjeve teknike. Në të kundërtën, mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes finale, do të vazhdojë të reflektojë në situatën në terren, duke mbajtur një status quo të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione.
Paralel me vazhdimin e procesit të dialogut, Haxholli shtoi se Qeveria duhet të zbatojë në praktikë idenë e kamotshme për një dialog të brendshëm me komunitetin serb që jeton në Kosovë. Kjo me qëllim, rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe këtj komuniteti, me synim garantimin e integrimit të qëndrueshëm të tyre në shtetin e Kosovës. Lidhur me vendimet e Qeverisë që prekin qytetarët e këtij komuniteti, Qeveria duhet të organizojë kampanja sistematike të informimit në terren që shkojnë përtej postimeve në rrjetet sociale. Në këtë drejtim duhet të ketë bashkëpunim me komunat serbe për shpërndarjen e informacioneve tek ky komunitet.
Sa i përket transaprencës dhe llogaridhënies së procesit të dialogut, Haxholli theksoi se Qeveria duhet të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e procesit të dialogut ndaj Kuvendit dhe publikut duke rritur numrin e raportimeve në Kuvend me vetinciativë dhe duke lehtësuar qasjen në informatat rreth dialogut për publikun në ueb-faqen zyrtare.
Në këtë drejtim, duhet të ketë raportim sistematik të përfaqësuesve të lartë të Qeverisë lidhur me takimet e zhvilluara në kuadër të dialogut duke përfshirë edhe takimin e fundit. Ndërsa, raportet e përditësuara të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve të dialogut duhet të hartohen sa më parë dhe të njëjtat të ndahen me Kuvendin dhe publikun. /Telegrafi/