Fokus

Detajet e fundit: 10 policë të Kosovës përfshirë zv. drejtorin po mbahen ende në Rashkë

Autori: Gazeta inFokus 11:27 | 18 April 2024

Janë bërë tashmë më shumë se 24 orë prej kur autoritetet serbe ndaluan në kufirin Serbi – Kroaci, mijëra qytetarë kosovarë e ndër ta edhe disa policë përfshirë kështu edhe zëvendës Drejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Përderisa qytetarët dje filluan të liroheshin pas shumë orësh që po mbaheshin të bllokuar në kufi, gra, fëmijë e të moshuar, kjo nuk ndodhi edhe me zyrtarët policorë.

Gazeta Infokus nga burime të mirëinformuara merr vesh se janë 10 policë përfshirë këtu zv. Komandantin e policisë së Kosovës të cilët po mbahen në stacionin e policisë serbe në Rashkë.

-Advertisement-

Ky burim ka bërë të ditur se janë 7 policë shqiptar dhe 3 serbë të cilët janë ndaluar gjoja për shkak të aktiviteteit të tyre rreth viteve 2000 – 2008 dhe 2021 – 2024.

“Ata të gjithë janë duke u intervistuar nga BIA serbe”, ka thënë ky burim për Infokus.

Derisa ka shtuar se disa prej tyre janë ndaluar pasi ishin duke dalë nga Kosova e disa të tjerë duke hyrë në Kosovë në pikat kufitare të Serbisë.

E që zv. Drejtori i policisë nuk është liruar ende sot e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.

Sveçla foli për ndalimin e policëve duke thënë se kjo është arsyeja pse sot zv. Drejtoei i policisë nuk mund të jetë prezent në këtë ceremoni.

“Ceremonisë së sotme po i mungon zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankovic i cili dje është ndalur dhe po mbahet pas asnjë arsyetim ashtu siç po mbahen në Serbi edhe katër zyrtarë tjerë policor. Ky është një akt i paprecendentë i Serbisë, mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Derisa ndalimin e policëve dhe mos lirimin e tyre ai e ka quajtur sulm të drejtpërdrejtë të Serbisë ndaj vet komunitetit serb në Kosovë.

“Ky është sulm i drejtpërdrejt i Serbisë ndaj pjesëtarëve të vet komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës, të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë”, është shprehur Sveçla.

Kujtojmë se të mërkurën mijra qytetarë u maltretuan në kufijt serbë, ku disa autobusë linja të Kosovës u ndaluan për orë të tëra dhe nuk iu lejua kalimi. Derisa për këtë ende nuk janë publikuar shifra të sakta se sa ka qenë numri i tyre.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes për liri të lëvizjes nga ana e Serbisë.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Stano të mërkurën./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera