Fokus

Detaje të reja: Pse ZRrE-ja dënoi me mbi 11 milionë euro KESCO-n dhe KEDS-in

Autori: Gazeta inFokus 11:13 | 17 November 2022

Të mërkurën u mblodh bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike cila ka kompetenca dhe për licencim dhe mbikëqyrje të operatorëve energjetik në tregun e Kosovës, ku u mor vendim për dënimin me gjobë të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS dhe Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO.

KESCO u dënua nga ZRrE- ja me 8.4 milionë euro ndërsa KEDS u gjobit me 2.7 milionë euro. Nga ZRrE-ja për Gazetën Infokus kanë dhënë detaje për shkeljet që sipas tyre bënë këto dy kompani të distribumit dhe furnizimit me energji elektrike.

Sipas sqarimit nga rregullatori i energjisë në vend thuhet se KESCO ka bërë shkelje të obligimeve ligjore të nenit 5 të licencës për furnizim.

-Advertisement-

“KESCO ka vepruar në kundërshtim me kushte të Licencës, duke bërë ndër-subvencionim/ndër-financim të llogarisë së konsumatorëve të parregulluar nga llogaria e konsumatorëve të rregulluar që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, që është në kundërshtim me Nenin 5 par. 3 të Licencës për furnizim me energji Elektrike dhe konsiderohet shkelje të Nenit 31 të Ligjit për Energji Elektrike”, kanë thënë nga ZRRE-ja.

Po ashtu sipas tyre KECSO ka shkelur edhe obligimet ligjore sipas nenit 37 të ligjit për Energjinë Elektrike. Në sqarim thuhet se nga shtatori vitit 2021 kjo kompani ka furnziuar Ferniklin pa një një marrëveshje kontraktuale.

“KESCO ka shkelur  obligimet ligjore të Nenit 37 par. 5 lidhur me Nenin 5 të Ligjit për Energjinë Elektrike, që ka të bëjë me obligimin e shërbimit publik të dhënë me vendimin e ZRRE-së, ku ndër tjera theksohet se: Rregullatori siguron që kategoritë e ndryshme të konsumatorëve të mos përfitojnë nga i njëjti trajtim dhe mbrojtje, si dhe që rregullimi i çmimit të konsumatorit fundorë me të drejta të furnizimit si shërbim universal të jetë në dispozicion vetëm për të siguruar ofrimin e shërbimit universal për konsumatorë familjar dhe ata jo-familjar që gëzojnë këtë të drejtë. KESCO nga shtatori i vitit 2021 ka furnizuar Feroniklin, pa marrëveshje kontraktuale; KESCO“ SH.A, nuk ka vepruar sipas Nenit 11.1.9 të Rregullave të Tregut, Nenit  2.5.1.2 të kodit të balancit. Duke rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.

E sa i përket KEDS-it sipas ZRrE-së ata nuk kanë prokuruar energjinë për mbulimin e humbjeve duke shkaktuar kështu pasoja financiare.

“Ndërsa KEDS nuk ka: prokuruar energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve siç parashihet me dispozita ligjore, respektivisht paragrafin 1.21 të Nenit 28 të Ligji Nr 05/L-085 për Energjinë Elektrike si dhe Nenit 9 të Procedurës për Tregtimin e Energjisë; ushtruar përgjegjësitë të dhëna me këtë legjislacion i cili obligon OSSH-në, të siguroj energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe për shërbimet ndihmëse, sipas parimeve të tregut të energjisë elektrike, transparencës dhe jo diskriminimit; nominuar sasi më të vogla të energjisë për humbjet e rrjet tё shpërndarjes se sa vet parashikimi i tij. Dështimi i KEDS-it për të nominuar energjinë elektrike për të mbuluar humbjet në shpërndarje ka rritur shkallën e devijimeve në nivelin e interkonkesionit, duke shkaktuar pasoja financiare; dhe vepruar sipas Nenit 28 paragrafit 1.3 dhe 1.17 të Ligjit për Energjinë Elektrike, Nenit 11.1.9 të Rregullave të Tregut, Nenit  2.5.1.2 të Kodit të Balancit dhe Licencës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes lëshuar nga ZRRE”, kanë deklaruar nga zyra për informim e rregullatorit të energjisë.

E të mërkurën i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga KEDS-i, të cilët nuk kanë pranuar këtë gjobë nga ZRrE-ja dhe kanë deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore dhe do të ofrojnë dëshmitë e tyre duke akuzuar rregullatorin e energjisë se në kohë krize pavarësisht thirrjeve të tyre ata nuk ndërmorën asgjë për të tejkaluar krizën me energjinë.

“Edhe pse sinjalet e para të krizës energjetike janë shfaqur në korrik të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga operatorët KEDS dhe KESCO, nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e kësaj krize. Kërkesa për shqyrtimin e jashtëzakonshëm, e cila bazohet në legjislacion, nuk u mor parasysh dhe, si e tillë, në parim u refuzua, pa  e parë të nevojshëm analizimin e mëtutjeshëm të saj, ashtu siç kërkohet me rregullën përkatëse. Në shkurt të këtij viti, Rregullatori mori një vendim të vonuar, i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës, duke i detyruar operatorët që të operojnë nën kosto. Mosveprimet e Rregullatorit kanë krijuar çrregullime, konfuzion dhe kosto shtesë në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Për më tepër, edhe pse sektori i energjisë elektrike është në gjendje emergjente që nga dhjetori i vitit të kaluar, Rregullatori këmbëngul të mos ndërmarrë asnjë veprim”, thuhet në reagimin e KEDS./Gazeta Infokus/

LEXO EDHE: SKANDALOZE: Ymer Fejzullahu konfirmon se KEK-u kundërligjshëm po blen energji elektrike nga një kompani e pa licencuar në Kosovë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera