Lajme

​Dëshmia e ish-ushtarakut amerikan në Hagë, tregon se çfarë kishin gjetur në një “dhomë tortṳre”

Autori: Gazeta inFokus 14:49 | 19 August 2024

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vijon dëgjimi i dëshmitarit, Steven Russell në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-ushtaraku ka folur për operacionin e KFOR-it më 9 gusht të vitit 1999 në një “dhomë të torturës”. Në pyetjet e prokurorit të specializuar, ai tregoi se çfarë kishte parë në këtë dhomë dhe protestat e organizuara kundër arrestimit të dhjetë shqiptarëve.

Ish-ushtaraku amerikan që ka shërbyer në Kosovë gjatë vitit 1999, Steven Russell u pyet nga prokurori i specializuar, Matthew Halling lidhur me një dhomë, ku siç tregoi ai, kishin gjetur njolla gjaku.

Halling: Në dëshminë tuaj, të datës 9 gusht 1999, ju flisni për Ahmet Isufin, dhomën e torturimit dhe ju deklaroni ‘e kanë futur atë në dhomë, më kujtohet në lëvizje dhe gjak në dysheme, instalime elektrike, priza që ishin aty, tela afër një karrigeje, kishte shkopinj një gyp, disa shkopinj ishin aty’. Duke u përqendruar në përshkrimin tuaj, nga paraqitja e dhomës se si dukej përbërja, përshkruani se ku ishte në dysheme gjaku?

-Advertisement-

Russell: Me sa më kujtohet kur jemi futur në podrum, në anën e djathtë ishte një vend ku ishte si një pjesë e ndarë një karrige dhe disa instrumente të mprehta, kishte njolla gjaku në dysheme. Pra ishte e gjitha në një pjesë të izoluar, në një cep, në një qoshe.

Halling: Ku ishin njollat e gjakut, krahasimisht me karrigen?

Russell: Të gjitha këto ishin shumë afër njëra-tjetrës.

Halling: A jeni në gjendje të më thoni sasinë e gjakut që ishte në dysheme.

Russell: Nuk ishte dhe nuk dua të jem…ta përshkruar tepër atë. Nuk dukej gjakderdhje e madhe, por ishte një njollë e madhe rreth 40 centimetra. Dukej sikur ishte rënë nga sipër dhe ishte zgjeruar një njollë, ishte shkaktuar nga plagë, pas ekzaminimit”, tha Russell.

Dëshmitari amerikan, i cili shoqërohet nga përfaqësues të qeverisë amerikane, tha se pas ekzaminimit të bërë, kanë vërejtur se njolla e gjakut ishte e freskët në dysheme.

Russell: Më kujtohet shumë mirë që e kam çuar atë në vend dhe i kemi treguar se çfarë kemi gjetur. E kemi treguar edhe problemin që përbën kjo.

Halling: Kur arritët aty a e pyetet se çfarë ishte kjo?

Russell: Nuk më kujtohet saktësisht apo hollësitë e bisedës, këto kanë qenë momente tensioni por më kujtohet që unë doja të dija se çfarë po ndodhte aty.

Halling: Ahmet Isufi të dha ty ndonjë shpjegim se çfarë po ndodhte në atë dhomë?

Russell: Ai ishte i kujdesshëm, i rezervuar. Ai e dinte se ne kishim një zinxhir autoriteti dhe dinte që nuk isha në krye të këtij zinxhiri dhe besoj që e ka përdorur këtë për të fituar kohë.

Halling: A e mohoi që kjo dhomë ishte përdorur për të torturuar njerëz?

Russell: Nuk dha asnjë mendim apo opinion lidhur me atë që kishim gjetur përkundër disa të tjerëve ai nuk bëri asnjë koment lidhur me atë që kishim gjetur lidhur me armët apo dhomën e torturës”, tha Russell.

Dëshmitari Steven Russell tha se gjatë këtij operacioni në ‘dhomën e torturës’ kishin gjetur shumë aty dhe se asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk dha shpjegim se për çfarë përdorej.

Gjatë dëgjimit të dëshmisë së tij, ish-ushtaraku pretendoi se armiqësia ndaj KFOR-it ishte në rritje dhe ka pasur protesta të organizuara.

Halling: OSBE duket të jetë e interesuar për këtë ngjarje, për aq sa dini na përshkruani reagimin nga organizata të tjera, përveç UÇK-së ndaj këtij operacioni që ju bëtë?

Russell: Besoj që kjo gjë ka shokuar shumë njerëz, në shumë aspekte, përfshirë edhe neve.

Halling: Për çfarë arsye kjo përbënte një lajm të madh kjo që kishit bërë ju?

Russell: Ta themi thjesht, po të kishim zbuluar diçka të tillë në anën tjetër, nuk do të kishte qenë tronditëse. Por për shkak se kjo ishte në anën e atyre që ne me të cilët bashkëpunonim, ishte tronditëse për neve.

Halling: Për shkak se ishte tronditëse operacioni juaj tërhoqi vëmendje të madhe?

Russell: Po, u vu në pikëpyetje bilës edhe në ditën kur po zhvillohej operacioni kishte shqetësime për atë që ne po provokonim, do të shkaktonim”, deklaroi ai.

Prokurori i specializuar, Matthew Halling ka pyetur dëshmitarin nëse UÇK kishte ndërmarrë masa disiplinore kundër krimeve, siç tha ai, që ishin zbuluar gjatë bastisjeve, por ish-ushtaraku tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë. Në seancën e sotme gjyqësore, ish-ushtaraku amerikan tha se kishin arrestuar dhjetë ushtarë në bastisjes.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. /KP/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera