Lajme

Deputetja Kica-Xhelili i reagon Sahatqijut që e quajti “dëm” pjesëmarrjen e presidentes në Këshill të Sigurimit

Autori: Gazeta inFokus 19:27 | 15 October 2021

Deputetja e Vetëvendosjes, Doarsa Kica Xhelili, përmes një shkrimi në facebook, i ka reaguar anëtares së Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatiqijut, pasi kjo e fundit tha se presidentja, Vjosa Osmani, po i bën dëm Kosovës me pjesëmarrjen e saj në Këshillin e Sigurimit.

Osmani shkoi në presidencën e Kenisë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit ku u organizua për raportim të UNMIKUT për situatën e Kosovës.

Sahatqiju tha se paraqitja e presidentes është në dëm të Kosovës për shkak se UNMIK-u vepron në përputhshmëri me rezolutën 1244, e në bazë të kësaj rezolute, Kosova është pjesë e Serbisë.

“Nesër në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nën presidencën e Kenisë do të mbahet raportimi i UNMIKut për situatën në Kosovë. Presidentja e Kosovës Znj.Vjosa Osmani paska shkuar atje ta përfaqësoj Kosovën. Dëm. Misioni i UNMIKut është i bazuar në Rezoluten 1244 të viti 1999. Ky mision ende e njeh juridiksionin e Serbisë mbi Kosovën dhe nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, shkroi Sahatqiju në facebook.

Ndryshe nga Sahatqiju, Kica Xhelili fton të dëgjohet fjalimi i Osmanit, ku sipas saj, është i jashtëzakonshëm.

“Ky Këshill autorizoi krijimin e një pranie civile ndërkombëtare, për të siguruar një administratë të përkohshme – e përsëris: TË PËRKOHSHME”, ka thënë Osmani për të cilën transmeton Kica Xhelili.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të deputetes së VV-së:

Derisa me krenari e kënaqësi sot dëgjoja fjalimin e Presidentes Osmani, dikush ma dërgoi një status të anëtares së kryesisë së LDK-së, Znj. Sahatqija, teksa i referohet pjesëmarrjes së sotme të Znj. Osmani në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në statusin e saj, ndër të tjera thuhej:

“Presidentja e Kosovës Znj. Vjosa Osmani paska shkuar atje ta përfaqësoj Kosovën. Dëm!”

Dëm!?

Tutje, thuhej se falë angazhimit të saj personal janë reduktuar mbledhjet e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, duke injoruar në tërësi faktin që kjo temë është diskutuar e analizuar sistematikisht para emërimit të saj si Konsulle në NY.

Në raste si kjo, nuk është se nuk matesh shumë nëse ja vlen të merresh me një çështje të tillë, plotësisht të parëndësishme krahas një përfaqësimi si ky që po shohim sot në Këshill.

Fatkeqësisht, kjo shpërfaq një mendësi politike që nuk e ka njëmend reformimin: atë të përvetësimit të plotë të meritës, derisa meritorët përjashtohen nga struktura, atë të nderimit të personave që sulmojnë shpresën, e atë të linqimit të personave që mbajnë premtimet. Kjo është pasqyra reale e reformës fiktive. Prandaj nuk duhet lejuar që sot një temë e tillë të përvjelet si episod personal, e një përfaqësim kaq dinjitoz, të etiketohet si dëm.

Për më tepër, në qoftë se ata që ishin në krye të institucioneve e që mbanin pozita udhëheqëse në misionet tona diplomatike do të ishin kaq meritorë, sot nuk do të ishte i nevojshëm polarizimi rreth paraqitjes në Këshillin e Sigurimit.

Në beteja të tilla, duhet mobilizim i plotë shtetëror. Prania e përfaqësuesve të lartë të shtetit të Kosovës në OKB, përkundrazi, gjithmonë është shfrytëzuar për t’i dhënë prezencë e rëndësi Republikës së Kosovës, e që më së paku, i ka konvenuar Serbisë dhe miqve të saj. Çka saktësisht u arrit me zvogëlimin e nivelit të përfaqësimit? Mos kjo përfundoi me zhbërje të UNMIK-ut? Këta që ankohen e kuptojnë më mirë se unë, që kjo temë kurrë nuk ka qenë kaq e thjeshtë. Vazhdoj të mos e kuptoj këtë krekosje pa rezultat përmbajtësor. Sinqerisht.

Me këtë rast, ftoj ta dëgjoni me vëmendje fjalimin e jashtëzakonshëm të Znj. Osmani sot, ku si rrallëherë potencohet vendosmëria e paprecedent e këtij vendi për luftimin e krimit dhe korrupsionit – dhe kur kjo vjen nga një person që ka dëshmuar praktikisht këtë konsistencë, edhe mesazhi natyrshëm, transmetohet e pranohet më seriozisht.

Ku, si rrallëherë flitet për kapacitetet tona të prodhimit dhe eksportit; të aftësisë institucionale të vaksinimit masiv megjithëse e filluar më vonë se në çdo vend të rajonit; të një stabiliteti politik të pashembullt në rajon; të vajzave tona të arta në xhudo; të frymëzimit që rrjedh nga gratë e Krushës, me paraqitjen fantasike të artistëve tonë në filmin “Zgjoi”; të këngëtarëve, futbollistëve, shkencëtarëve e akademikëve; të kapaciteteve inovative e teknologjike të rinisë tonë e deri te ushtarët tonë që shërbejnë përkrah misioneve paqeruajtëse përkrah trupave amerikane. Ku si rrallëherë, Serbisë i përplasen fytyrës automjetet e avionet ushtarake ruse sepse kjo identifikon Serbinë.

Më e rëndësishmja, ftoj ta dëgjoni pjesën kur Presidentja flet për misionin e UNMIK-ut, dhe thotë, citoj:

“Ky Këshill autorizoi krijimin e një pranie civile ndërkombëtare, për të siguruar një administratë të përkohshme – e përsëris: TË PËRKOHSHME”.

Dëm që pavarësisht rezultateve të 14 shkurtit, disa ende nuk e kanë kuptuar se ky popull e ka zhveshur trupin politik nga demagogjia. Dëm edhe më i madh, nëse politikbërja në Kosovë nuk reflekton, në substancë, esencën e saj. Dëm edhe më i papranueshëm, nëse kjo politikbërje, nuk sanon dështimet e mëparme por e vazhdon mendësinë e sulmit ndaj atij që guxon, atij që qëndron konsistent pavarësisht linqimeve, pavarësisht fyerjeve, e pavarësisht sulmit e degradimit që i bëhet atyre që janë parimorë.

E për ju, Presidente Osmani, falemnderit!

Të tjera