Lajme

Deputeti i VV’së: Qeverisja e këtyre dy viteve nuk është në nivelin e premtuar, madje është shumë larg nga niveli i mundësive

Autori: Gazeta inFokus 10:23 | 15 February 2023

14 shkurti shënoi edhe ditën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, dy vite më parë.

Pikërisht më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje arriti që të dalë fituese e zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.

Pak ditë më vonë, pas numërimit të votave është konfirmuar ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në Kosovën e pavarur, ku një parti e vetme politike arriti të marrë mbi 50% të votave.

-Advertisement-

Kësisoj, Lëvizjes Vetëvendosje iu mundësua që të krijonte kabinetin e ardhshëm qeveritar.

Në lidhje me dyvjetorin e drejtimit të shtetit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, lajmi.net ka kontaktuar deputetin e VV-së, Fatmir Humolli.

Humolli theksoi se duhet vlerësuar faktin që Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar një front politik të përbashkët kundër keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të resurseve për gjithë këto vite. Mirëpo, nuk la pa përmendur edhe neglizhencën e pushtetit aktual.

“Ky front i mbështetur masivisht nga shumica e votuesve i ka dhënë një goditje ndëshkuese të gjithë atyre që kanë menduar se janë të paprekshëm dhe të gjithë atyre që kanë menduar se e kanë vënë popullin në përgjumje. Ky reagim popullor do të ishte mirë po të vlerësohej sot, dhe qeverisja e deri djeshme të shërbente si një mësim se si nuk duhet të qeveriset sot, pasi që ndëshkimi tashmë dihet cili do të jetë. Shpeshherë po vërehet një neglizhencë dhe mungesë transparence ndaj deputetëve të cilët janë përfaqësuesit direkt të qytetarëve, dhe në vend se t’u ipet llogari deputetëve ata po kërkojnë dëgjueshmëri nga deputetët”,tha Humolli.

Sipas tij, një qasje e tillë ndihmon shumë që kjo qeveri t’i ngjasojë qeverive të kaluara dhe, siç thekson ai, nuk është fare e mirë të trajtohet besimi i qytetarëve në këtë mënyrë.

“Është për të ardhur keq fakti se ne kemi mbi 2 miliardë euro të fondit pensional të derdhura nëpër botë, ndërkohë që nuk e kemi krijuar akoma Bankën Shtetërore të premtuar, dhe në këtë mënyrë po e vazhdojmë gjakderdhjen financiare të nisur nga qeveritë e kaluara duke lënë paranë tonë të dal jashtë vendit, ndërkohë që krekosemi kur marrim ndonjë kredi “të butë”. Në këtë qeveri ka disa faktor të cilët po e nxisin shkëputjen e qeverisë nga qytetarët, nga ata të cilët i dhanë besimin masivisht”,shtoi ai.

Humolli tha gjithashtu se mosrespektimi i veteranëve, mosrespektimi i mësimdhënësve, i doktorëve, mos-gatishmëria për t’i ofruar sigurime shëndetësore policëve apo ushtarëve, si dhe qasja arrogante ndaj profesionistëve “nuk të çojnë askund tjetër përveç se në humbjen e mbështetjes dhe në zhgënjimin qytetar”.

“Në kohën kur kryeministrit i duhet më së shumti mbështetje qytetare për të zbutur presionin që po i bëhet nga jashtë, këta faktor po e armiqësojnë popullin me qeverinë në mënyrë që t’i minohet mbështetja”, shtoi ai.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se qeverisja e këtyre dy viteve nuk është në nivelin e premtuar, madje është shumë larg nga niveli i mundësive.

“Duke qenë të vetëdijshëm që jemi në përfundimin e gjysmës së mandatit, kjo qeveri nuk ka arritur akoma as të nisë gjysmën e detyrave që ka marrë nga mandati i dhënë nga qytetarët me 14 shkurtin e vitit 2021. A ka bërë kjo qeveri punë të mira – mendoj se po”.

Sipas deputetit Humolli, si pikë e parë, kjo Qeveri ka arritur që të faktorizojë pozicionin e Kosovës në raport me ndërmjetësuesit e dialogut.

“Sot kemi një mobilizim më të madh të faktorit ndërkombëtar të cilët e kanë kuptuar këtë këndellje të popullit tonë dhe janë të vetëdijshëm që 50% e popullit tonë nuk e duron më trajtimin e pabarabartë në tavolinën e bisedimeve.Se dyti, qeveria është treguar vizionare në ndarjen buxhetore sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës duke ofruar mbështetje të konsiderueshme financiare, por edhe duke menaxhuar më mirë me këto fonde. Për shembull, ka bërë blerje direkte pa ndërmjetësues, duke i kursyer kështu miliona euro Kosovës”,tha ai.

Siç beson ai, Qeveria e Kosovës është munduar të tregojë dorën e shtetit tek disa kategori të qytetarëve, si rasti i shtesave për fëmijë dhe për lehonat, apo si përkrahja në formën e subvencioneve për bujqit.

Humolli gjithashtu tha se deri tani kjo qeveri ka shumë hapësirë për përmirësime, mirëpo, sipas tij, përderisa as opozita nuk e ka marrë mesazhin e qytetarëve dhe nuk reflektojnë për gabimet e bëra ndër vite “ky 51% ndodh që edhe mund të rritet”.

Ndryshe, pavarësisht se Vetëvendosje kishte fituar me një përqindje të lartë të votave, pakënaqësitë e qytetarëve karshi qeverisjes së VV-së janë mjaft të larta.

Madje vërejtje të shumta ka pasur në kuadër të secilit sektor të drejtuar nga Qeveria, e shpeshherë ankesa edhe më të mëdha pati në kuadër të ballafaqimit me inflacionin e çmimet e larta me të cilat përballen qytetarët vazhdimisht

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera