Lajme

Dënohet koordinatori i PDK-së për ndikim te votuesit

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 17 June 2017

Koordinatori i vëzhguesve të PDK-së në Pejë është dënuar nga gjykata e këtij qyteti për ndikim te votuesit gjatë zgjedhjeve.

Gjykata Themelore në Pejë dënoi dje Lahë Avdullahun koordinatorin e vëzhguesve të PDK-së në këtë qytet me 700 euro gjobë për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë zgjedhjeve të 11 qershorit.

Lajmin për dënimin e Avdullahut e bëri të ditur për KALLXO.com gjyqtari Sami Sharraxhiu.

-Advertisement-

Sipas gjyqtarit Sharraxhiu, Avdullahut dënimi iu shqiptua pasi ai dhe mbrojtja e tij arritën Marrëveshje për pranim fajësie më prokurorinë, të cilën më pas e aprovoi gjykata.

“Dënimi është marrë pas propozimit të prokurorisë me arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë me të pandehurin. Gjykata e ka aprovuar propozimin e prokurorisë në marrëveshjen e arritur për pranimin e fajësisë nga i pandehuri.  Gjykata me aktgjykimi ka vendosur dënim unik me gjobë prej 700 eurove”, tregoi Sharraxhiu për KALLXO.com.

Sipas gjyqtarit Sharraxhiu, nëse Lahë Avdullahu nuk mund ta paguajë gjobën për tre muaj, do të duhet të shkojë në burg, një ditë e të cilit do t’i llogaritet 20 euro.

Marrëveshja e koordinatorit Avdullahu me prokurorinë kishte paraparë dënimin me 6 muaj burg dhe 200 euro gjobë, por kjo marrëveshje kishte parashikuar që me pëlqim të Avdullahut, dënimi më burg mund të kthehej në gjobë.

Aktakuza ndaj Avdullahut ishte ngritur dje, ndërsa po dje ai kishte arritur marrëveshjen me prokurorinë për pranim fajësie.

KALLXO.com shkroi dje për aktakuzën ndaj Avdullahut, i cili sipas prokurorisë në ditën e zgjedhjeve ishte kapur me 6 fletëvotime, ndërsa kishte këshilluar votuesit të votonin për subjektin që përfaqësonte.

“Me datën 11.06.2017 rreth orës 12:30 në Pejë në Qendrën e Votimit në shkollën fillore “Asdreni”, si person zyrtar dhe atë si koordinator i vëzhguesve të partisë së PDK-së ka keqpërdorur pozitën detyrën zyrtare dhe autoritetin e tij, duke këshilluar votuesit që të votojnë në favor të partisë së tij”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza më tutje sqaron se Lahë Avdullahu ia kishte dhënë një fletëvotim ku ishte i rrumbullakësuar numri i Koalicionit PAN dhe disa nga kandidatët e tij.

“I pandehuri takohet me dëshmitarin Nuhi Maloku në banjon e shkollës së Asdrenit  ku i pandehuri dëshmitarit ia jap një kopje të fletës se votimit të rrumbullakuar me numër 12 të subjekti dhe nr 1,5,13,21dhe 106 të deputetëve”, sqaron aktakuza.

Në aktakuzë më pas tregohet se këto veprime ishin vërejtur nga drejtoresha e shkollës dhe vëzhguesi i LDK-së në këtë shkollë.

“…pasi hetohet nga vëzhguesi i LDK-së Adnan Gjikolli dhe drejtoresha e shkollës Agime Lajçi, i njëjti ndalohet dhe arrestohet nga policia, ku në çantën e tij hetuesit i gjejnë dhe sekuestrohen 6 kopje të paplotësuara të fletës së votimit, kurse dëshmitarit Nuhi i gjejnë kopjen e fletëvotimit të rrumbullakuara me numrat e lartcekur”. thuhet në aktakuzë.

Gjykata në Pejë dënoi edhe Ranko Zddravkoviqin nga Gorazhdeci, pasi atij i ishin gjetur 32 fletëvotime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera