Lajme

Deklarohen të pafajshëm 11 të akuzuarit që si grup kriminal ngarkohen se hodhën granata dorën në dy lokale

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 03 March 2023

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të akuzuarit Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën se si grup kriminal, në qershor 2022. hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Sallon”.

Ndryshe të njëjtit po ashtu po akuzohen për veprën penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” dhe vepra të tjera.

Ndërsa i akuzuari Lundrim Beqiri pranoi fajësinë lidhur me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe një gjë e tillë u aprovua nga gjykatësja Çerkini.

-Advertisement-

Një deklarim të tillë të akuzuarit e dhanë në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Burim Qerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë munguan i dëmtuari Riza Bajrami, i cili ishte njoftuar për datën por që i njëjti nuk u paraqit dhe nuk kishte arsyetuar mungesën dhe Lindrit Hyseni i cili nuk ishte i arritshëm të kontaktohej sipas gjykatëses së rastit Suzana Çerkini.

Po ashtu mbrojtësi i akuzuarit  Murtezi, avokati Mentor Neziri, mbrojtësi i të akuzuarit Ismajli, avokati Arsim Bilalli, mbrojtësi i të akuzuarit Raçi, avokati Blerim Halimi, mbrojtësi i të akuzuarit Pllana, avokati Agron Curri, mbrojtësi i të akuzuarit Kurti, avokati Kamer Cakaj propozuan që t’i ndërpritet masa e paraburgimit të njëjtëve dhe t’u vendoset masa e arrestit shtëpiak.

Lidhur me këtë propozim gjykatësja Çerkini konstatoi se për të njëjtin do të vendosë në kohën e skadimit të vendimeve të kësaj gjykatë për secilin të akuzuar.

Po ashtu gjykatësja njoftoi se palët kanë të drejtë ankese për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh dhe seanca u shty në kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur 24 shkurt 2023, në muajin qershor 2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki ne grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Lundrim Beqiri i njohur si “Haveri”, dhe të pandehurve Adhurim Krasniqi dhe Valdrin Beqiri, e të cilët janë në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës, për vepra tjera penale, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme te grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer nië apo më shumë vepra penale, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do te kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, ashtu që me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme apo për përfitime tjera në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme, në atë mënyrë që më 6 qershor 2022 i pandehuri Arianit Plana ka marrë urdhër nga i pandehuri Lundrim Beqiri – Haveri, që me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm t’ia hedhë një granatë dore tek lokali i të dëmtuarit – pronarit të biznesit “Missini”, që i njëjti të paguajë shumen prej 10 mijë euro, ku te njëjtën ditë edhe i është hedhur granata e dorës por që nuk ka pasë pasoja në njerëz vetëm dëme materiale.

Tutje, sipas aktakuzës më 18 qershor 2022, të pandehurit Fidan Cakolli dhe Diar Raçin kanë marrë detyrë nga të pandehurit Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri, që për motive të ulëta përfshirë dhënien e dëshmisë në një procedurë penale, që të hedhin mjete shpërthyese tek lokali i tani të dëmtuarit Riza Bajrami, pronar i biznesit “Riza Hair Sallon”, ku më 19 qershor 2022 në orët e para të mëngjesit të pandehurit Fidan Cakolli dhe Diar Raçi, e kanë bërë sulmin e parë, ku i ishte sulmuar lokali me koktej mollotovi por që nuk kishte përfunduar ashtu siç edhe ishte planifikuar sepse ishin shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas aktakuzës, më 20 qershor 2022, i pandehuri Arianit Plana, ka marrë përsëri detyrë nga të pandehurit Adhurim Krasniqi dhe Valdrin Beqiri, që për motive të ulëta përfshirë dhënien e dëshmisë në një procedurë penale, që ta privojë nga jeta tani te dëmtuarin Riza Bajramin, pronar i biznesit “Riza Hair Sallon”, pasi që sulmi i parë që ishte bërë qysh më 19 qershor 2022, në orët e para të mëngjesit ku i është sulmuar lokali me koktej mollotovi nuk kishte përfunduar siç ishte planifikuar, dhe i kishin shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale, tani më 20 qershor 2022, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore për ta përfunduar vrasjen (punën) siç e kane paraparë duke siguruar edhe mjetet për kryerjen e kësaj vepre penale si dhe duke angazhuar edhe persona tjerë, e ku pas vëzhgimeve të bëra nga ana e Policisë është arritur që të parandalohet kryerja e kësaj vepre penale.

Ndërsa sipas aktakuzës më 22 qershor 2022, në orët e para të mëngjesit të pandehurit Fidan Cakolli, Diar Raçi dhe Gentrit Ismaili kanë ndërmarr veprimin e sulmit te dytë me granatë dore tek lokali i njëjtit i të dëmtuarit Riza Bajrami, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në atë mënyre që urdhrin dhe detyrat i kanë marrë nga të pandehurit Beke Salihaj, Adhurim Krasnigi dhe Valdrin Beqiri, ashtu që granatën e dorës e ka siguruar i pandehuri Fidan Cakolli nga i pandehuri Adan Murtezi, dhe se bashku me të pandehurit Gentrit Ismajli dhe Diar Raçi kanë shkuar tek lokali për ta sulmuar, granatën e dorës e ka hedhur i pandehuri Gentrit Ismajli, por që nuk ka pas pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale në tri vetura ndërsa roli i të pandehurit Egzon Cakolli ka qenë që ta vërtetojë se si ka ndodhur sulmi, të bëjë video incizim të vendit të ngjarjes dhe të njëjtin t’ia dërgoj të pandehurit Adhurim Krasnigi – Lepaja, ndërsa roli i te pandehurit Adnan Murtezi ishte qe pas komunikimit me të pandehurit Adhurim Krasnigi dhe Valdrin Beqiri që përveç sigurimit te granatës së dorës për të pandehuri te tjerë, do të kryente edhe pagesën për ekzekutoret e sulmit.

Sipas këtij dispozitivi më 28 qershor 2022 i pandehuri Lundrim Beqiri – Lundra, që me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm përsëri ka dhënë urdhër tek personat e tjerë që pas dështimit të sulmit të 6 qershorit 2022 te lokali “Missini”, të i hidhet përsëri një granatë dore tek ky lokal e që qëllimi ishte të detyrohet pronari që të paguajë shumën prej 10 mijë euro, dhe të njëjtën datë me 28 qershor 2022, i është hedhur për herë të dytë granata e dorës por që përsëri nuk ka pas pasoja ne njerëz vetëm dëme materiale.

Me  ç‘rast të njëjtit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par. 2 lidhur me par. 1 te KPRK-se lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, nga neni 173 par. 1 nen par 1.8 lidhur me 1.13 të KPRK-së ; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par 3 lidhur me par. 1 te KPRK-se dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2

Ndërsa sipas dispozitivit të tretë i pandehuri Lundrim Beqiri me datë 4 korrik 2022, në Prishtinë, në lagjen Emshir, në banesën ku edhe ka qëndruar i pandehuri Lundrim Beqiri, me rastin e zbatimit te urdhër kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës – DHKO në Prishtinë, tek i pandehuri është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dhe atë katër (4) cigare të mbështjella, si dhe ne dy kavanoz qelqi, me sasi të përgjithshme prej 9.32 gram, e të cilën sasi i pandehuri e ka pasur në posedim me qëllim që t’a konsumojnë për vete, ku e njëjta sasi edhe i konfiskohet nga ana e policisë.

Me te cilën do te kryente veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 par.1 të KPRK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera