Lajme

Deklarim pafajësie për të shtënat në ‘Kodër të Diellit’

Autori: Gazeta inFokus 11:37 | 08 June 2017

Amin Sejdini e Safet Hasani u deklaruan të pafajshëm për të shtënat që kishin ndodhur në vitin 2006 te parkingu në Qendrën Tregtare në “Kodër të Diellit”.

Amin Sejdini e Safet Hasani nuk ndihen fajtorë për të shtënat në “Kodër të Diellit” të Prishtinës në vitin 2006.

Sejdini e Hasani që po akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës u deklaruan të pafajshëm në gjykatë.

-Advertisement-

“I pafajshëm absolut”,e cilësoi veten Sejdini, ndërsa “nuk e pranoj fajësinë” deklaroi Hasani.

Sejdini e Hasani akuzoheshin edhe për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, bëri të ditur se për këtë pikë ndjekja penale është vjetërsuar.

Sipas aktakuzës, të shtënat kishin ndodhur më 2 prill të vitit 2006 rreth orës 15:00 afër rrugës që çon te hyrja e parkingut në qendrën tregtare në “Kodrën e Diellit”.

Në aktakuzë thuhet se Sejdini e Hasani kanë përdorur armët për kërcënim dhe frikësim.

Në aktakuzë thuhet se Sejdini ka qëlluar drejt një makine të tipit “Golf 3”, ndërsa Hasani drejt veturës “Jeep Cheeroko”, ndërsa këto vetura më pas ishin larguar njëra drejt rrugës nga konviktet, e tjetra në drejtim të QKUK-së

Në vendin e ngjarjes ishin gjetur 7 gëzhoja.

Në seancë, Sejdini para kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, tha se është gjykuar në vitin 2009 për të njëjtin rast.

“Më 5 qershor të vitit 2009 jam arrestuar, ndërsa jam gjykuar mbas 16 ditëve ku edhe jam dënuar me 1500 euro gjobë për prishjen e rendit të qetësisë publike”, deklaroi Sejdini në gjykatore.

Lidhur me këtë çështje ka mbetur që avokati i Sejdinit të dorëzojë në gjykatë aktgjykimin për të cilën Sejdini pretendon se është gjykuar.

Pasi nuk e pranuan fajësinë, të akuzuarit tashmë kanë të drejtë në afatin prej një muaji të paraqesin kundërshtimet e aktakuzës dhe provave të saj.

Amin Sejdini është dënuar edhe në një proces tjetër gjyqësor për vjedhjen e orëve të markës “Rolex” në Mbretërinë e Bahrejnit me 12 vjet burg dhe 12 mijë e 500 euro gjobë.

Më pas Gjykata e Apelit atij ia zvogëloi dënimin në 8 vjet burg dhe 8 mijë euro gjobë. /Kallxo.com/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera