Lajme

Dëgjohet një dëshmitare në rastin e njohur si ‘Stenta 3’

Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 23 July 2024

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues: Kryetar i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi dhe gjyqtarët, Avni Syla, Sulltane Hoti, në cilësi të anëtarëve të trupit gjykues, është mbajtur seanca e radhës në rastin e njohur si ‘Stenta 3’.

Në hapje të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi theksoi se, në seancën e sotme do të dëgjohet një dëshmitare, ndërsa lidhur me dëshmitarët e tjerë theksoi se 2 prej të cilëve kanë qenë të parapara të dëgjohen në shqyrtimin e sotëm nuk janë prezent, rrjedhimisht njëri nga dëshmitarët nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares M.R.

-Advertisement-

Në dëshminë e saj, nga pyetjet e Prokurores së shtetit, Bukurie Gjonbalaj, dëshmitarja M.R, theksoi lidhur me problemin e bashkëshortit të saj, se i njëjti ka ndërruar jetë pasi që i janë vendosur Stendat. Në herën e parë, që është dërguar për trajtim mjekësor theksoi se e kanë dërguar në emergjencë, pastaj ju është propozuar që të dërgojnë në spitalin privat ‘Medicina’.

Tutje, ajo shtoi se nga spitali privat kanë ardhur dhe e kanë marrë, për ta dërguar atje. Theksoi se, në spital privat i është thënë se burri i saj ka probleme, në natën që është dërguar i kanë vendosur njërën Stentë, ndërsa të dytën ditën e nesërme. Shtoi, se gjendja e tij shëndetësore pas vendosjes së stendës nuk ishte e mirë dhe ishte përkeqësuar edhe më shumë.

Pas dy ditësh qëndrimi në spital, theksoi se pastaj e kanë nxjerrë nga spitali sipas sugjerimit të mjekëve, pas dërgimit në shtëpi gjendja e tij nuk kishte qenë e mirë. Theksoi se përsëri e kanë dërguar në emergjencë, por paraprakisht ju është thënë të dërgojnë në Prishtinë tek spitali privat me arsyetimin se ata e kanë bërë vendosjen e Stentave dhe e dijnë më mirë gjendjen e tij.

Tutje, shtoi se pas dërgimit herën e dytë në spital të Prishtinës, burri i saj kishte ndërruar jetë.

Në pyetjet e av. Behar Ejupi, lidhur me çështjen e obduksionit se a është në dijeni, dëshmitarja theksoi, se obduksioni nuk i është bërë, dhe se burri i saj nga spitali ka ardhur në shtëpi.

Në fund, të dëshmisë së saj, dëshmitarja theksoi se ka dyshuar çdo herë se burrit të saj nuk i janë vendosur Stendat si dhe shtoi se e ndjen vetën të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi, theksoi se pasi që mungojnë dëshmitarët e paraparë të dëgjoheshin sot, rrjedhimisht, nuk ka kushte për vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, tutje shtoi se dëshmitarët do të dëgjohen në seancat e radhës.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen me datë: 15 dhe 16 Tetor nga ora 09:30.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.

Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. /Drejtësia sot

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera