Lajme

Debati për Komisionin Hetimor, Konjufca i jep dy mundësi

Autori: Gazeta inFokus 11:07 | 05 May 2022

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është deklaruar pas qëndrimit të opozitës se do ta bojkotojnë seancën e Kuvendit të Kosovës në rast se nuk formohet as sot Komisioni Hetimor për krizën në energji.

Konjufca  tha se nuk i dinë arsyet se pse opozita mungoi në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku u caktuar seanca e re parlamentare.

“Ajo pika për të cilën ju e keni ngritur mocioni dhe që nuk ka kaluar në herën e parë por herën e dytë u bë pjesë e seancës së kaluar parlamentare. E patëm procesin e votimit dhe ajo mbeti për t’u shqyrtuar në një seancë tjetër, kurdo që pajtohemi për të vazhduar dhe nuk e di arsyen pse të gjitha grupet opozitare nuk morën pjesë në mbledhjen e kaluar të Kryesisë, por ne nuk e vendosëm për vazhdim të seancës, por për seancë të re, pikërisht për arsyen se ju nuk ishit aty. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Ai iu përgjigj opozitës edhe për çështjen e rendit të ditës. Konjufca deklaroi se opozita ka munduar që të marrë pjesë dhe të kërkojë që në rend dite të jetë edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën në energji.

“Po të kishit qenë ju aty për t’i mbrojtur qëndrimet e juaja në mbledhjen e Kryesisë natyrisht që do të hidhnim në diskutim nëse jeni për të nisur seancë të re apo për të vazhduar aty ku mbetëm. Ne e caktuam seancën e re dhe asnjë shkelje ligjore nuk ka në caktimin e seancës së re”, tha ai.

Kryeparlamentari tha se sot janë dy mundësi për sa i përket seancës së sotme.

“Sa i përket kësaj ne i kemi dy mundësi, që të vazhdojmë me këtë seancë apo ta ndërpritet kjo seancë. Mua po më duket e paarsyeshme që të ndërpritet kjo seancë. Unë konsiderojë se kjo seancë mund të dështojë vetëm nëse nuk ka kuorum, e përndryshe nëse ju jeni këtu, deputetët janë këtu e kemi kuorumin e vazhdueshëm dhe seanca vazhdon”, tha ai.

E opozitën e paralajmëroi se Komisioni Hetimor Parlamentar për krizën në energji nuk mund të kalojë pa vendim të Kuvendit.

“Megjithatë unë insistojë që Komisioni Hetimor Parlamentar nuk mund të kalojë pa vendim të seancës. Është shumë përtej ligjit dhe rregullores për hetim parlamentar”, tha Konjufca.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera