Lajme

DASH për incidentin me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit: S’do të komentojmë derisa hetimi po vazhdon

Autori: Gazeta inFokus 10:08 | 08 August 2024

Ne i kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë për hetimet në vazhdim, tha Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, i pyetur nëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duhet të mbajë përgjegjësi politike për incidentin në aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani javën e kaluar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se shefi i sigurisë së Gashit, me dy anëtarë të tjerë të ekipit, me urdhër të kryeparlmanetarit kanë dalë para sallës VIP në aeroport, madje kanë kërcënuar me armë dhe janë konfliktuar me policët e stacionuar aty, duke kërkuar përgjigje se pse është insistuar që presidentja e Kosovës të kalojë përmes kontrollit të sigurisë në aeroport.

Gashi tha se e ka dërguar sigurimin për ta qetësuar situatën.

-Advertisement-

Çfarë mesazhi dërgon sjellja e kryeparlamentarit përsa i përket protokollit politik dhe diplomacisë, janë përgjigjur shkurt nga shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit: “Ne i kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë për një hetim në vazhdim”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e cilësoi ngjarjen në aeroportin e Shkupit “trajtim të papërshtatshëm dhe të paligjshëm nga personeli i sigurisë së aeroportit” ndaj Osmanit.

Nga aeroporti thanë se se kontrollimi i presidentes së Kosovës ishte “në përputhje me Ligjin e Aviacionit dhe rregulloret ligjore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë e aviacionit civil”.

Për këtë incident dhe për disa arsye të tjera opozita kërkon shkarkimin e Gashit.

E majta, nga ana tjetër, ka kërkuar interpelancë për punën e Gashit për shkak të “futjes së politikave joparimore në Kuvend”.

Sipas koalicionit “VLEN”, kërkesa për interpelancë të Gashit është eksperiment kundër NATO-s.

VMRO-DPMNE thotë se nuk ka nevojë për zëvendësim të kryetarit të Kuvendit sepse është lokalizuar përgjegjësia dhe institucionet kanë marrë masa të menjëhershme.

Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në MPB e ka suspenduar shefin e sigurimit dhe ka hapur procedurë ligjore ndaj dy truprojave të tjerë, ndërsa i pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për Gashin, kryeministri Hristijan Mickoski është përgjigjur se askush nuk është mbi ligjin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera