Sport

“Dardanët” vizituan dhe uruan presidentin e FFK-së, Agim Ademi

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 11 July 2018

Numri i individëve, grupeve të organizuara dhe institucioneve, për të uruar presidentin e ri të FFK-së z. Agim Ademi është i madh, shkruan GazetaFokus.

Në mesin e tyre dje në selinë e FFK-së ishin edhe tifozët e Kombëtares së Kosovës “Dardanët”, të cilëve po u printe kryetari i tyre Lulzim Berisha. Në pritje të “Dardanëve” ishin veç presidentit Ademi edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Mirsad Çollaku, Flamur Bunjaku e Bekim Rexhepi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.

Duke uruar presidentin Ademi për marrjen e detyrës, “Dardanët” rikonfirmuan edhe njëherë mbështetjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi. Kryetari i “Dardanëve” Lulzim Berisha tha se me përkushtim do të vazhdojmë të mbështesim Kombëtaren kudo që të luajë sepse kombëtarja ka nevojë për përkrahje si kurrë më parë në këto ndeshje për Ligën e Kombeve dhe do të përpiqemi si thonë të jemi lojtari i dymbëdhjetë që të arrihen synimet e Kosovës.

-Advertisement-

Po ashtu “Dardanët” e njohën presidentin Ademi edhe me organizimin që ky tifogrup do ta bëjnë në bashkëpunim me FFK-në në ditëlindjen e 58-të ish-presidentit Vokrri. Madje edhe sot “Dardanët”  kishin veshur fanellat e tyre me shenjën e Dardanëve por në gjoks kishin vënë figurën e legjendës Fadil Vokrri me mbishkrimin “Përjetësisht bashkë”.

Ndërkaq, presidenti i FFK-së, z. Agim Ademi duke i falënderuar për urimin, theksoi se” Për çdo federatë dhe çdo kombëtare përkrahja e adhuruesve  është e një rëndësie të veçantë dhe me domethënie të jashtëzakonshme. Ju siguroj se FFK-ja sikur edhe deri më tash do të bashkëpunojë me juve në të mirë të Kombëtares dhe futbollit të Kosovës”.

Në fund kryetari i “Dardanëve” Lulzim Berisha i dhuroi një fanellë të Dardanëve presidentit Ademi. /gazetafokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera