Sport

Conte, nostalgjik: Do të kthehem shpejt në Itali

Autori: Gazeta inFokus 13:22 | 25 September 2017

Antonio Conte ndien nostalgji për Italinë dhe kjo nuk është një gjë e re. Por, ish-trajneri i Juventusit e pranon pa i rënë shumë rrotull. “Po, më mungon vendi im. Në planet e mia nuk ekziston ideja e të qëndruarit për shumë kohë jashtë”, është shprehur trajneri aktual i Chelseat për “Radio Anch’io Sport”.

E duke u ndalur tek e ardhmja, i pyetur nëse e sheh të mundshme drejtimin e ndonjë skuadre në Kinë, Conte është kategorik: Absolutisht që jo!

“Kam nostalgji për Italinë dhe do të kthehem”, thotë trajneri kampion në fuqi i Premier League me “blutë” e Londrës. Në intervistën e gjatë, ai flet gjithashtu edhe për objektivat e skuadrës londineze.

-Advertisement-

E nis pikërisht me kampionatin. “Për titullin kampion janë në garë 6 ekipe. Këtë vit do të jetë edhe më e vështirë, sepse janë rikthyer fuqishëm dy skuadrat e Manchesterit, ndërsa i rrezikshëm është edhe Tottenham. Të mos harrojmë pastaj dy ekipe me traditë, si Liverpool dhe Arsenal”, thotë Conte sa i përket Premier League.

Ndërsa në lidhje me Champions League, Conte duket se ka një peng. “Na duheshin futbollistë me kualitete për t’iu bashkuar një baze të mirë tashmë. Në grupin tonë është edhe Roma, që i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Mendoj se shorti ynë ka qenë i pafat. Duam ta kalojmë gjithsesi grupin, për të menduar më pas për ndeshjet me eliminim direkt. Në fazën e ardhshme do të doja të evitoja skuadrat italiane”, thotë Conte.

Sa i përket suksesit të vitit të kaluar, ish-trajneri i Juves thotë se “vjet arritëm një sukses të merituar, e vlerat rriten edhe më shumë kur mendon se vinim nga një vend i 10 një sezon më herët. Për mua ishte viti i parë që drejtoja një skuadër jashtë Italie, kështu që ishte një mrekulli që fitova me të parën. Me tifozët? Jam i lumtur që kam krijuar një ndjenjë të veçantë”.

Edhe Contes i ka bërë përshtypje diçka në futbollin anglez. “Ambienti nëpër stadiume është gjithnjë pozitiv. Këtu, tifozët vijnë për të festuar. Serie A është duke rritur nivelin, por besoj se të gjithë futbollistët më në zë duan të vijnë të luajnë në kampionatin anglez”, shprehet Conte.

Conte ka folur pak edhe për kombëtaren axurre. “Nuk kam aspak frikë se do të mungojmë në Botëror. Në këtë pikë nuk ka më asnjë dyshim. Italia do të jetë, patjetër, pavarësisht se do t’i duhet të luajë dy ndeshje play off. Ne gjithsesi do të jemi në vazon e parë të shortit, kështu që nuk shoh ndonjë problem”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera