Besueshmëria ndër vite në procedurat doganore, do t’ia lehtësojë rrugën prodhuesit dhe eksportuesit më të madh kosovar.
Kompanisë “Ventius International” që dërgon gjithandej botës produktet e njohura “Comodita”, i është ndarë certifikata si operator i autorizuar ekonomik nga Dogana.
Ky koncept të cilin e përdorin edhe shtete tjera perëndimore, ndikon në efikasitetin e punës, sidomos tek eksportuesit.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tregon se ky autorizim lehtëson qarkullimin e mallrave, por edhe e kursen kohën e eksportit, pasi i përshpejton procedurat.
Për ta siguruar këtë certifikatë, kompanitë duhet t’i përmbushin me përpikëri të gjitha standardet e parapara me ligj.
Prandaj Dogana konsideron se operatorët e tillë janë pasuri edhe për shtetin.
Ky koncept për Operatoret e Autorizuar Ekonomik në kuadër të Doganës zbatohet nga viti 2018, ku deri më tani kanë përfituar 10 kompani vendore me synim për të shtuar të tjera.
Lehtësimi i barrierave doganore, përmes këtyre autorizimeve, po besohet se do të ndikojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për prodhuesit vendorë, por edhe në tërheqjen e investimeve të huaja.
Përveç eksportuesi më i madh në vend, Comodita është edhe një ndër prodhuesit më të mëdhenj të dyshekëve dhe shpuzës në kontinent.
Gjatë vitit, eksportohen rreth dy milionë dyshekë. Muajin e kaluar, 23 kontejnerë me këto produkte u nisën nga Gjakova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.