Çmimi i rrymës në Kosovë mund të rritet për 30% e më lartë
Autori: Gazeta inFokus 13:16 | 22 November 2021
Fatura e energjisë elektrike për muajin prill të vitit të ardhshëm, qytetarëve të Kosovës do të mund t’iu vijë mbi 30 për qind më e lartë se aktualisht.
Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën.
“Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme. Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili do të jetë konsumi? Cili do të jetë çmimi i importit? Cili do të jetë pastaj edhe prodhimi vendor? Kjo e determinon edhe rritjen”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Evropa, tash e sa javë, është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë. Për rrjedhojë, konsumatorët janë duke marrë fatura shumë më të larta të rrymës.
Qytetarët e Kosovës aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, në Serbi një kilovat orë kushton rreth 8 centë, në Maqedoni të Veriut po ashtu rreth 8 centë, në Bosnje e Hercegovinë rreth 9 centë, në Shqipëri rreth 9.5 centë dhe në Mal të Zi më së shtrenjti: rreth 10 centë.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, çmimi në Kosovë nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.
Sa kushton energjia elektrike?
Disa qytetarë thonë se nuk përballojnë dot rritje të çmimeve
Qamil Nika, një pensionist që jeton në Prishtinë, thotë se rritja e çmimit të rrymës, do ta vështirësonte edhe më shumë jetën, në kohën kur çmimet e produkteve të tjera të konsumit tashmë janë rritur.
“Sidomos rryma nuk bën të shtrenjtohet assesi. Këtë muaj kam paguar 71 euro. Nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, duhet ta bëj gati një pension për ta paguar. Pension i marr 182 euro”, thotë Nika.
Nëse rryma shtrenjtohet për 30 për qind, fatura e tij prej 71 eurosh mund të arrijë në mbi 90 euro.
Nika thotë se në familjen e tij 8-anëtarëshe, disa punojnë, porse kanë paga të ulëta për të mbuluar koston e jetesës.
“Nuk po guxojmë të futemi as në shitore. Nuk ke pse futesh, vetëm nëse futesh dhe i shikon produktet rreth e rreth. Po gënjejnë kinse po i lirojnë produktet, por, në të vërtetë, ata po i shtrenjtojnë”, thotë Nika.
Si ta kurseni rrymën?
Idriz Fazliu thotë se fatura e tij e rrymës për muajin tetor ka qenë 20 euro. Ai jeton i vetëm në shtëpi dhe ngrohjen e bën me djegie të drurëve.
“Krejt çmimet janë dyfishuar, me sheqer, me çaj e me artikuj të tjerë, nuk ka asgjë lirë. Çdo ditë janë duke u shtrenjtuar. Si ta paguajmë edhe rrymën me rritje?”, pyetet Fazliu.
Në Kosovë, muajve të fundit, janë shtrenjtuar dukshëm çmimet e produkteve bazë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 4.9 për qind në muajin shtator.
Lëvizje më të mëdha të çmimeve kanë pasur: buka, vaji, sheqeri, mielli dhe pemët e perimet.
Katërfishimi i çmimit të energjisë së importuar
Përkundër shqetësimit të qytetarëve, në KEDS thonë se rritja e çmimit të rrymës do të jetë e domosdoshme, në rast se çmimet e importit të energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të larta.
Zëdhënësi i KEDS-it, Buzhala, thotë se rritja e konsumit në Kosovë është vërejtur qysh në muajin tetor – gjë që, sipas tij, e ka shtyrë këtë kompani të importojë energji elektrike me çmim 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë se vitin e kaluar.
“Në bazë të kalkulimeve që i kemi bërë – të çmimeve aktuale të importit – kostoja shtesë do të jetë diku rreth 60 milionë euro, mirëpo kjo mund të rritet apo të zvogëlohet, varësisht edhe nga konsumi dhe prodhimi vendor”, thotë Buzhala.
Sipas KEDS-it, çmimi mesatar për megavat/orë për energjinë e importuar në muajin tetor të vitit 2020 ka qenë 49 euro, për dallim prej tetorit të këtij viti, kur ky çmim ka arritur në 242 euro.
Për të menaxhuar situatën e krijuar nga kriza energjetike, Qeveria e Kosovës ka krijuar një grup punues, që, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të ketë rol informativ dhe këshillëdhënës. Pjesë e grupit punues do të jenë të gjithë akterët e zinxhirit elektro-energjetik.
Kadriaj: Duhet plan i shpejtë për bizneset dhe ekonomitë familjare
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se rritja eventuale e çmimit të rrymës për më shumë se 30 për qind do të shkaktojë telashe për bizneset, si dhe do të rëndojë gjendjen ekonomike të familjeve që nuk kanë opsion tjetër të ngrohjes, përpos me energji elektrike.
“Dihet që së pari janë bizneset që do t’iu rëndohet pak të bërit biznes, e po ashtu edhe ekonomitë familjare. Më e rënda është se tani po futemi në sezonin e dimrit, ku një pjesë e madhe e qytetarëve – sidomos në zonat urbane – e kanë të imponuar që të ngrohen përmes energjisë elektrike. Sigurisht se kjo do ta rëndojë xhepin e qytetarit, sepse dihet edhe niveli i ulët i pagave në Kosovë, si dhe shkalla e lartë e papunësisë”, thotë Kadriaj.
Sipas tij, çdo rritje çmimesh paraqet problem për qytetarët, meqë, prej vitesh, nuk ka pasur ngritje pagash as në sektorin publik, as në atë privat.
Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro.
Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.
Pagat mesatare në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk dallojnë shumë nga ajo e Kosovës.
Në periudhën janar-shtator, 2020, sipas të dhënave të Byrosë Republikane të Statistikave në Serbi, paga mesatare neto në sektorin privat ishte 431 euro, ndërsa në sektorin publik 521 euro.
Instituti të Statistikave i Shqipërisë (Instat) ka publikuar të dhënat për pjesën e parë të vitit 2021, duke përfshirë vetëm pagën bruto që është 460 euro.
Paga mesatare neto në Bosnje dhe Hercegovinë llogaritet të jetë 483 euro. Në këtë shtet nuk janë bërë publike pagat mesatare neto në sektorin privat dhe publik.
Të dhënat e fundit për Malin e Zi bëjnë të ditur se paga mesatare neto është 520 euro, ndërsa ajo bruto arrin shumën mesatare prej 784 eurosh.
Në Maqedoni të Veriut, sipas të dhënave të fundit publike, paga mesatare neto është 473 euro.
Sektori privat kërkon subvencionim
Drejtuesi i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotë se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndonte më shumë xhepin e punëtorëve të sektorit privat.
“Ne, edhe pa shtrenjtim të rrymës, faktikisht mezi po ia dalim”, thotë Azemi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, punëtorët e këtij sektori kanë pasiguri në punë dhe paga të ulëta.
“Institucionet është dashur që të bëjnë përgatitje që, nëse vjen deri te shtrenjtimi i energjisë elektrike mbi 30 për qind… atëherë sidomos familjet, të cilat janë vetëm me pagën minimale, do të duhej (të përfitonin subvencionim nga shteti) një shumë prej 100 eurosh brenda muajit, derisa të bëhet stabilizimi i gjendjes energjetike në Kosovë”, shprehet Azemi.
Azemi thotë se qeveritë në rajon kanë krijuar strategji për t’u përballur me krizën energjetike dhe të njëjtën gjë, sipas tij, do të duhej ta bënte edhe Kosova, duke mbështetur sidomos familjet që jetojnë me asistencë sociale.
Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, shkalla e papunësisë në vend është 25 për qind.
Rreth 26 mijë familje në Kosovë janë të varura nga asistenca sociale që arrin shumën prej 60 deri në 180 euro.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...