Çmimet e naftës bien, por jo edhe të produkteve tjera
Autori: Gazeta inFokus 09:35 | 04 March 2023
Çmimet e naftës dhe benzinës në Kosovë janë liruar, por jo edhe të produkteve apo shërbimeve të tjera.
Ato kanë rënë për rreth 40 centë, përkatësisht 15 centë, krahasuar me gushtin e kaluar, kur kanë qenë në kulmin e tyre.
Hov u kanë dhënë çrregullimet në tregje që ka shkaktuar lufta e Rusisë në Ukrainë.
Shtrenjtimi, pastaj, ka shkaktuar efekt zinxhiror – janë rritur çmimet e shumë produkteve të konsumit dhe të shërbimeve.
Elizabeta nga Istogu paguan 5 euro biletën e autobusit për në Prishtinë, ku edhe studion.
Deri verën e kaluar, çmimi për këtë relacion prej 78 kilometrash ka qenë 4 euro.
Përkundër lirimit të naftës, çmimi i biletës së autobusit ka mbetur i njëjtë, thotë Elizabeta, e cila udhëton tri herë në javë.
“Për studentë, çmimi është i papërballueshëm. Unë nuk punoj, prindërit më financojnë. Kjo është barrë për ta, sepse kanë edhe shpenzime të tjera”, thotë Elizabeta për Radion Evropa e Lirë.
Ngjashëm është edhe çmimi nga Gjakova në Prishtinë – 10 euro për vajtje ardhje.
Fiona Kaqi, studente e nivelit master në Prishtinë, thotë se i bie të udhëtojë një herë në javë në këtë relacion dhe këtë e konsideron fat.
“Vitin e kaluar, kur kam qenë studente e nivelit ‘bachelor’, [kam udhëtuar më shpesh]. Ka qenë barrë shumë e madhe për prindërit, pasi, në të njëjtën kohë, kanë studiuar edhe vëllezërit dhe motra”, tregon Fiona për Radion Evropa e Lirë.
Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit mbi 12 për qind dhe me rrogë mesatare rreth 480 euro.
Në Shoqatën e Transportueseve Rrugorë të Kosovës thonë se çmimet e biletave nuk i ndikon vetëm çmimi i naftës. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Jakup Berisha, pajisjet dhe mirëmbajtja e autobusëve janë shtrenjtuar ndjeshëm.
“… pastaj ndikon edhe rroga. Një shofer që në këtë periudhë të vitit të kaluar pagën e ka pasur 400 euro, aktualisht e ka 600 euro, apo edhe 50 për qind më shumë”, thotë Berisha.
Çmimet e produkteve të konsumit kanë mbetur, po ashtu, pa u ndryshuar. Në disa raste, ato kanë vazhduar të rriten, pavarësisht lirimit të naftës, që është komponent bazë për transportin.
Teuta, një punonjëse e sektorit publik në Prishtinë, thotë se barra e çmimeve po shkon duke u rënduar.
“Shtrenjtimi vërehet shumë. Më herët kemi dalë më shpesh në restorante, tash dalim më rrallë. Artikujt elementarë i blejmë, sepse janë të domosdoshëm, mirëpo disa gjëra është dashur t’i kufizojmë”, thotë Teuta.
Pritet stabilizim i inflacionit
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, thotë se këtë vit pritet stabilizim i inflacionit.
“Do të thotë, inflacioni do të jetë më i ulët seç ka qenë vitin e kaluar, por jo domosdoshmërisht do të ketë rënie të çmimeve. Stabilizimi i çmimeve mund të jetë në nivelin që është tash”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është përshtatja e pagave me çmime.
Në fillim të shkurtit, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur çmime produktesh që janë rritur në mënyrë artificiale dhe se ato kanë mbetur të tilla.
Ai nuk specifikon më shumë, por në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës thonë se vazhdimisht e monitorojnë tregun.
“Inspektorati i Tregut mbetet i përkushtuar që në secilin rast, kur hasen mashtrime me çmimet, përfshirë edhe ngritje të pajustifikueshme të çmimeve, të ndërmarrë masa”, thuhet në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
Një hulumtim që ka publikuar këtë javë Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka gjetur se rritja e çmimeve të mallrave përbën rrezikun kryesor për sigurinë kombëtare.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti./REL
Të tjera
-
Basha i reagon AGK’së dhe Reporterëve Pa Kufij, zbrapset pak nga gjuha nxitëse: S’po sulmoj, po bëj kritikë
Deputeti Dimal Basha, i cili pretendoi “disiplinimin e AGK-së dhe RTK-së nga ...
-
Skenari i luftës bërthamore: Nga raketa e parë deri në fund të botës për 72 minuta
Një luftë bërthamore do të ishte e keqe dhe kjo është diçka që të gjithë e di...
-
Xi Jinping nis vizitën në Francë dhe shprehet për mediat vendase
Presidenti kinez mbërriti të dielën në Paris, duke nisur vizitën e tretë shte...
-
PDK nderon dëshmorët e Podujevës, Hamza: Faleminderit, që ndërtuat bazamentin e shtetit tonë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, bas...
-
Lajmërohet policja që ishte raportuar e zhdukur nga sot një javë, jep deklaratën e saj para Policisë
Gazeta Sinjali ka raportuar para disa ditësh se një police nga Rahoveci ishte...
-
Kurti: Dëshmorët vulosën angazhimin për liri
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për ditën e dëshmorëve të kombit shqiptar...
-
I konfiskohet vetura, 500 euro dënim dhe pikë negative ndaj shoferit që voziti nën masën mbrojtëse
Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mj...
-
Osmani udhëton për në Teksas me ftesë të MCC-së, merr pjesë në Samitin SHBA-Afrikë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Teksas...
-
Haradinaj uron besimtarët me rastin e Pashkëve Ortodokse
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka urua...
-
Shefja e USAID: Vlerësimi i Kosovës nga FITCH tërheqë investime të huaja
Agjencia e Klasifikimit të Kredive Fitch Ratings ka dhënë vlerësimin e kredit...
-
Zgjedhjet parlamentare në RMV, deputetë të LVV-së si “përforcim” në fushatën e VLEN-it
Pesë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, i janë bashkangjitur ditëv...
-
Parashikimi i motit për javën e ardhshme
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me parashikimet më të reja sa ...