Fokus

Çka përmbajnë mijëra faqe dosje të speciales që iu dorëzuan OVL-UÇK-së (Dokument)

Autori: Halil Berisha 17:08 | 07 September 2020

Mijëra faqe dokumente e dosje i janë dorëzuar nga një person i panjohur mëngjesin e së hënës Zyrës së OVL-UÇK-së në Prishtinë.

Brenda pakos së dorëzuar nga personi anonim, ka mijëra faqe dokumente, kryesisht të Task Forcës Speciale Hetuese e cila hetoj për krime lufte e në vitin 2016 u mor nën umbrellën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, shkruan Gazeta Infokus.

Dosjet të cilat në tërësi i posedon Gazeta Infokus, kanë edhe dokumente konfidenciale brenda vetes, e që për shkak të ndjeshmërisë, Gazeta Infokus nuk do t’i publikoj.

-Advertisement-

Por, çka përmbajnë krejt këto dosje edhe sekrete të cilat u shpërndanë të hënën?

Gazetarë nga redaksia e Infokusit i kanë shikuar dosjet në fjalë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin që pati kjo Task Forcë hetuese me autoritetet serbe për të mblëdhur dëshmi për krime të pretenduara gjatë periudhës së luftës e të cilat tash po i heton specialja.

Nga dokumentet mësohet shumë qartë mënyra e bashkëpunimit në mes të Task Forcës dhe autoriteteve serbe, ku gjenden edhe korrespondenca në mes të tyre dhe shkëmbime të letrave.

Këto, kryesisht sistemi është përdorur duke dërguar kërkesa për mbledhjen e dëshmive të dhëna nga ish-policë e drejtues të stacioneve policore. Me instruksionet që të sigurohen dëshmitarë dhe të mblidhen sa më shumë fakte për rastet e krimet e pretenduara.

Dosjet përmbajnë emra të shumtë të dëshmitarëve, që kryesisht janë serb, por nuk mungojnë as emra të shqiptarëve, romëve e ashkalinjëve, shkruan Gazeta Infokus.

Gazeta Infokus nuk do të publikoj as edhe një emër të tyre, megjithatë, në këtë tekst do të tregohet mënyra e bashkëpunimit që pati Task Forca me autoritetet serbe.

Si funksionoi bashkëpunimi mes Task Forcës e autoriteteve serbe?

Nga korrespodencat e këtyre letrave mësohet se rol kyç ka pasur thuajse komplet zingjiri shtetëror i Serbisë, të cilët edhe kanë krijuar grupe punuese për të mbledhur fakte për krime të pretenduara, e për ta furnizuar Task Forcën.

Personat kryesor me të cilin kontaktonte kjo Task Forcë ishte Vladimir Vukcevic, ish-kryeprokuror për krime lufte, por edhe Milovan Drecun, Shef i Grupit Punues për gjete të fakteve për krime lufte.

Mesazhet direkte me këta të dy bëheshin nga shefat e Task Forcës, shkruan Gazeta Infokus.

Në shumë komunikime mes tyre që i ka siguruar Infokusi shihet se shefat e Task Forcës kërkonin nga ta fakte për raste të ndryshme, dëshmi të dhëna më herët, por edhe sigurim të kontaktit dhe krijimin e kushteve për intervistimin e personave të ndryshëm në Serbi.

“Duke vazhduar koordinimin mes zyrave tona, të bashkangjitur keni një listë të personave që Task Forca Speciale Hetuese e BE-së STIF do të dëshironte të intervistonte në të ardhmën e afërt. Pasiqë adresat e fundit të njohura për këta persona janë në Kosovë do të isha mirënjohës nëse zyra juaj do të ofronte adresat e tanishme, numrat e telefonave dhe çdo mënyrë tjetër kontakti që do të mundësonte në gjetjen e këtyre personave pasi besohet që kanë kërkuar shtetësinë serbe.

Unë kërkoj nga ju edhe kopjet e të gjitha dëshmive që këta persona i kanë dhënë sistemit të drejtësisë së Serbisë dhe autoriteteve policore”, thuhet në komunikimin e datës 24 shtator të vitit 2014 nga Këai Hong Ip, shef i Task Forcës drejtuar Vukceviqit.

Më poshtë keni edhe listë të emrave të dëshmitarëve që u kërkuan për intervistim, e cila është e edituar për shkaqe sigurie.

E në dosjet që ka siguruar Infokusi, shumica e dokumenteve janë kërkesa të tilla e emra të dëshmitarëve.

Ndërsa, më poshtë keni edhe letrën e dërguar nga Komisioni për Kosovë e Metohi i Kuvendit të Serbisë dërguar kësaj Task Force, me datë 17 Nëntor të vitit 2015.

“Do të doja të ju informoj që Komisioni për Kosovë e Metohi në mbledhjen e mbajtur më 19 tetor 2015 ka marrë vendim për krijimin e një Grupi Punues për Mbledhje të Fakteve për krimet e kryera ndaj popullit serb dhe grupeve tjera etnike në Kosovë e Metohi. Grupi Punues beson që mund të kontribuoj në hetime të suksesshme të task forcës dhe po kërkon bashkëpunim.

Gjithashtu, ne besojmë që mund të krijojnë marrëdhënie e bashkëpunim të suksesshëm me qëllim zbulimin e krimeve të kryera nga e ashtuquajtura UÇK”, thuhet në këtë dokument.

Gazeta Infokus ka raportuar edhe për atë se si Task Forca kërkonte fakte në Serbi për Adem Jasharin, Hashim Thaçin, Sami Lushtakun, Rexhep Selimin e të tjerët./Gazeta Infokus/

Lexo edhe:

Ekskluzive| Si kërkoi specialja fakte në Serbi kundër Adem Jasharit, Hashim Thaçit, Sami Lushtakut, Rexhep Selimit e të tjerëve

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera