Çka humbi Kosova që u pezullua nga “Defender Europe ‘23”?
Autori: Gazeta inFokus 09:40 | 01 June 2023
Sot ka filluar tërheqja e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga stërvitja më e madhe aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.
Gati dy vjet. Kjo është periudha kohore që Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpenzuan për t’u bërë gati për stërvitjen më të madhe të aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.
Ani pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.
Ky është ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Në këtë zonë, prej ditësh, banorët lokalë protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit u përleshën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan. Dhjetëra njerëz në të dyja anët mbetën të plagosur.
Një ditë pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo është një “fatkeqësi”.
“Nuk mendoj se [përjashtimi] është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, tha Kurti, duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij në veri.
Kosova humbi një mundësi shumë të madheqë ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të marrin një eksperiencë të çmuar nga shtetet e NATO-s, thotë ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, për Radion Evropa e Lirë.
Kastrati, i cili udhëhoqi FSK-në nga viti 2011 deri më 2015, përmend edhe tri humbje të tjera të konsiderueshme për Kosovën: humbjen e mundësisë për krijimin e urave të miqësisë, humbjen e mundësisë për ndërveprime ushtarake dhe humbjen e mundësisë për të rritur eksperiencën në përdorimin e armatimeve të ndryshme.
Kastrati thotë se FSK-ja ka qenë duke ndërtuar një autoritet të respektueshëm te partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-në.
Nga ky partneritet, kujton ai, pjesëtarë të FSK-së, në disa raste, janë dërguar në misione paqeruajtëse jashtë vendit.
Ai thotë se Shtetet e Bashkuara, në vazhdimësi, kanë qenë partnere strategjike të Kosovës, si në planifikim, krijim dhe zhvillim të FSK-së.
“Por, nëse vazhdohet kështu, dyshoj se do të jetë njëjtë tani e tutje”, shprehet Kastrati.
Stërvitjet “Defender Europe ‘23” nisën më 21 maj në Kosovë dhe ishte e paraparë të zgjasnin deri më 2 qershor.
Mistria e Mbrojtjes e Kosovës nuk e komentoi drejtpërsëdrejti suspendimin e pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe ‘23”, por tha se është arritur objektivi që kishte.
Sipas një postimi të ministrit Armend Mehaj në Facebook, më 30 maj, 1.348 ushtarakët e FSK-së treguan profesionalizëm të lartë në mesin e 25 shteteve pjesëmarrëse të këtij ushtrimi, si dhe gatishmëri për të shërbyer përkrah aleatëve në çdo mision të NATO-s, “me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”.
Në cilën fazë ishte “Defender Europe ‘23’’?
Ky ishte viti i dytë që Kosova merrte pjesë në këtë stërvitje shumëkombëshe dhe që ishte nikoqire e saj.
Në këtë ushtrim marrin pjesë 25 shtete, përfshirë SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe shtete tjera anëtare dhe joanëtare të NATO-s.
Numri i përgjithshëm i ushtarëve pjesëmarrës në këtë ushtrim ishte rreth 20 mijë.
Stërvitja “Defender Europe ‘23” po mbahet në disa lokacione në të gjithë Evropën, ndërsa në Kosovë u zhvillua në dy lokacione, në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.
Në kohën kur u njoftua suspendimi i pjesëmarrjes së Kosovës nga SHBA-ja, aktivitetet e Kosovës në kuadër të “Defender Europe ‘23”, ishin afër fundit.
Për 30 maj ishte paraparë ditë e hapur për vizitorë dhe ky është aktiviteti kryesor që nuk u mbajt si pasojë e pezullimit që u shpall nga ambasadori amerikan, Hovenier. Për ditët deri në mbyllje të ushtrimit më 2 qershor, ishin paraparë aktivitete kryesisht të përgatitjes për dislokimin e trupave pjesëmarrëse dhe aktivitete formale përmbyllëse.
Në të njëjtën kohë si në Kosovë, ushtrime u zhvilluan edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Slloveni e të tjera. FSK-ja kishte pjesëmarrje edhe në shtete të tjera, përfshirë 160 ushtarë të një njësie të këmbësorisë në Maqedoni të Veriut dhe 60 të tjerë të përfshirë në sektorin e inteligjencës dhe zbulimit, si dhe në deminim, në Kroaci. Në Shqipëri, ndërkaq, 60 pjesëtarë të tjerë të FSK-së ishin të përfshirë në njësinë për materiale të rrezikshme.
Stërvitja “Defender Europe 23”, e cila udhëhiqet nga SHBA-ja, ka qëllim krijimin e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërinë mes Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.
Stërvitja “Defender Europe 23” thuhet se është projektuar për të demonstruar aftësitë e ushtrisë së SHBA-së, për të dislokuar me shpejtësi trupa dhe pajisje të fuqishme luftarake, për të siguruar aleatët dhe për të penguar këdo që kërcënon paqen në Evropë, si dhe për të mbrojtur kontinentin nga agresioni.
Rëndësia e SHBA-së në zhvillimin e FSK-së
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009, kur u shuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Në vitin 2014 nisën përpjekjet për transformimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që nënkuptonte zgjerim të kompetencave edhe në mbrojte të territorit.
Ky proces nuk ishte i mundur të bëhej përmes ndryshimeve kushtetuese dhe transformimi nisi përmes ndryshimeve ligjore në vitin 2018.
NATO-ja e kundërshtoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri të vendit, por SHBA-ja e mbështeti këtë proces, sidomos zhvillimin e kapaciteteve.
Kur transformimi i FSK-së në ushtri po kundërshtohej nga NATO-ja, ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se “është më se e natyrshme për Kosovën, si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”.
Në partneritet me SHBA-në, në vitin 2021, kontingjenti i parë i FSK-së shkoi në mision paqeruajtës jashtë vendit dhe këtij institucioni iu premtua mbështetje e vazhdueshme amerikane.
Por, pas suspendimit të FSK-së nga pjesëmarrja në “Defender Europe 23” ka shqetësime të shumta nëse do të vazhdojë edhe më tej mbështetja amerikane për ushtrinë e Kosovës.
Ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja po shqyrton edhe masa të tjera për Kosovën dhe se, aktualisht, “nuk ka entuziazëm” për ta ndihmuar atë në përpjekjet e saj për të fituar njohje më të madhe ndërkombëtare ose për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...