Lajme

Cilat janë lidhjet e Radoiçiqit me ushtrinë serbe, si ia “ndihmoi” Vuçiqi?

Autori: Gazeta inFokus 17:31 | 25 October 2023

Kryeterroristi që udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, ka lidhje të ngushta me ushtrinë serbe. Kështu të paktën po thotë një raport preliminar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Sipas këtij raporti, të siguruar nga Gazeta Insajderi, Serbia ia “ndihmoi” Radoiçiqit të ndërvepronte me Forcat e Ushtrisë Serbe pas emërimit të Millosh Vuçeviq në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Serbia i dha Radoiçiqit lëvizje të papenguara në Serbi, të siguruara nga mbrojtja e nivelit të lartë. Ndërveprimet e Radoiçiqit me Forcat e Ushtrisë Serbe (SAF) madje u intensifikuan pasi Presidenti Vuçiç vendosi pasardhësin e tij si kreu i partisë SNS, M. Vuçeviq, si ministër i ri i Mbrojtjes në tetor 2022”, detajon raporti.

-Advertisement-

Lidhja mes ushtrisë serbe dhe Radojiçiqit, sipas raportit preliminar, ndërmjetësohet kryesisht nga partneri i Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq.

“Për më tepër, Radoiçiq ka marrëdhënie të ngushta me shefin e Shtabit të Ushtrisë Serbe, M. [Millan] Mojsiloviq, me origjinë nga Kosova. Ndër të tjera, njësitë ushtarake speciale serbe si njësitë ‘Cobra’ veprojnë nën komandën e drejtpërdrejtë të Shefit të Shtabit të SAF”.

Radoiçiq është gjithashtu i ngulitur thellë në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe më pas mbrohet nga policia serbe.

Sipas raportit, “policia serbe në zonat e Rashkës, Novi Pazarit dhe zonave të tjera afër Kosovës kanë marrë urdhra të qarta në lidhje me ‘popullin e Radoiçiqit’, që në rast se ndonjë automjet i tyre ndalohet për ndonjë parregullsi, ata të lirohen menjëherë dhe të mos u kërkohet asnjë dokument”.

Në fund potencohet edhe se Radoiçiq ka lidhje të ngushta edhe me drejtorin e drejtorive kryesore të BIA-s, Bojan Dimiq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera