Lajme

Çfarë po fshihet pas deklaratës së deputetit gjerman i cili përkrahu shkëmbimin e territoreve?

Autori: Gazeta inFokus 10:02 | 20 May 2020

Ditë më parë është mbajtur një debat në Bundestag të Gjermanisë, në lidhje me vazhdimin e pranisë ushtarake gjermane në Kosovë.

Ajo se çfarë bëri bujë ishte deklarata e deputetit të Alternativës për Gjermani (AfD) Anton Frizen që theksoi se qeveria do duhej të mbështeste idenë për shkëmbimin e territoreve.

Në lidhje me këtë temë, Doktor shkence dhe ligjërues i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që kjo deklaratë e deputetit Frizen nënkupton që ai mbanë një pozicion të tij unilateral të njejtë me atë serbo-rus. Gjithashtu Voca përmend që partia AfD është parti euroskeptike dhe që një kohë të gjatë ajo është kundër politikës së BE-së.

-Advertisement-

“Opinionet e Z. Anton Frizen, janë të nagjshme në mos të njëjta me qëndrimet serbe dhe ato ruse. Ky përmend trafikimin me organe që sipas tij ende është aktual në Kosovë, ka qenë kunder krijimit të ushtrisë së Republikës së Kosovës dhe e quan Kosovën të “ashtuquajtur Shtet”. Nga këto qëndrime nënkutohet qartë pozicioni i tij unilateral i njejtë me atë serbo-rus. AfD është një parti euroskeptike që daton nga viti 2013, kundër BE-së dhe politikës së saj monetare, me një ideologji populiste nacionale, e popullarizuar më shumë në Gjermaninë lindore. Edhe pozicionimi ideologjik i kësaj partie është i njejtë me atë të Rusisë apo me ato vende që shohin BE-në si konflikt e jo si proces paqeje. Nga fakti që Z. Frizen shprehet në favor të këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky natyrisht se vihet në anën e atyre që e mbështesin këtë ide dhe të politikës serbe si dhe të qëndrimit rus”, u shpreh Voca.

Më tej, Voca thotë që qëndrimet e Merkel për shkëmbim të territorëve janë të palëkundura dhe se ajo nuk bënë pjesë dhe nuk mëbshtet ata që lobojnë kundër paqës në Ballkanin përëndimor dhe Brenda BE-së.

“Kancelarja Angela Merkel është e palëkundur në qëndrimet e saj kundër shkëmbimeve të territoreve sepse nuk është në kampin e atyre që mbështesin konflikte të reja dhe që lobojnë kundër paqesë në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe brenda BE-së. Nuk do të duhej të çuditeshim lidhur me këto lloj qëndrimesh, të tilla kemi edhe në Francë nga partia si motër FN apo fronti nacional si dhe në vende tjera të BE-së. Këto parti euroskeptike, natyrisht që mbajnë qëndrime të ngjashme me ato ruse që nuk përputhen me aspiratat e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit perëndimor për integrim në BE. Prandaj, mund të them se kemi dy kampe ideologjish apo dy qasje politike diametralisht të kundërta në BE, atë e cila është kundër BE-së apo politikave të saj dhe që përkon me frymën politike ruse dhe atë e cila beson në përforcimin e projektit të paqës, lirisë dhe integrimit të BE-së”, tha Voca.

Në fund, ligjerëuesi në Paris thotë që këto parti janë jolegjitime dhe të korruptuara dhe natyrisht edhe kundër frymës demokratike dhe kjo ngjallë një frikë në masë.

“Esenca e partive populiste është anti-pluralizmi politik. Këto parti janë jolegjitime, të korruptuara, kundër frymës demokratike dhe qasja e diskursit politik të tyre është ngjallja e frikës në masë, një teknikë komunikimi omniprezente në të gjitha diskurset populiste në Evropë”, përfundon Voca, për “Bota sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera