Lajme

Çfarë ndodh në korridoret e PD pas humbjes, me cilët u takua Basha

Autori: Gazeta inFokus 09:34 | 27 June 2017

Demokratët nuk kanë një përgjigje kur i pyet përse humbën këtë të diel. Në korridoret e boshatisura të selisë blu, veç disa të rinjve që përllogarisin rezultatet e marra në zgjedhje, në sallën e konferencave nuk shkëmbehesh me askënd që të flasë për këtë disfatë të opozitës, shkruan sot “Panorama”.

Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ditën e dytë të numërimit e kaloi të gjithën në zyrë. I vendosur aty prej orës 7 të mëngjesit, Basha e kaloi gjithë paraditen duke lexuar çdo votë që qytetarët shqiptarë kishin hedhur në kutitë e votimit më 25 qershor.

Me përjashtim të qarkut të Shkodrës dhe Kukësit, thuajse nga i gjithë vendi, lajmet që mbërritën në zyrën e Bashës nuk ishin të mira. Në media kishte nisur të flitej për një fitore të thellë të PS-së në të 12 qarqet. Kur nuk ishin numëruar as gjysma e kutive të votimit, rezultatet shpallnin fituese PS-në me afro 75 mandate.

-Advertisement-

MESAZHI

Kreu i PD-së e dinte se një rezultat i tillë do të dekurajonte numëruesit e tij për të vijuar numërimin, ndaj edhe përmes një mesazhi telefonik iu drejtua secilit prej tyre.

“Të dashur komisionerë, numërues dhe vëzhgues të PD: Numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve. Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote. Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit. Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund. Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajës politike dhe qytetare. Lulzim Basha”, shkruante kreu i PD-së në mesazhin drejtuar komisionerëve dhe vëzhguesve të PD-së.

TAKIMET

I vetmi moment gjatë ditës kur Basha u shkëput nga selia blu ishte dreka. Vetëm 3 orë më pas kreu i PD-së u rikthye sërish në zyrë. Të vetmet takime që Basha zhvilloi gjatë pasdites së djeshme ishin ato me kandidatin për deputet në qarkun e Tiranës, Flamur Hoxha, dhe kreun e departamentit për kontributet historike në PD, Jemin Gjana, shkruan “Panorama”.

Në mbrëmje, në zyrën e kreut të PD-së erdhi edhe bashkëshortja e tij, Aurela. Basha qëndroi në zyrë deri në orët e vona të mbrëmjes për t’u larguar.

Sot pritet që në fund të numërimit edhe të kutisë së fundit, Basha të dalë përpara shqiptarëve dhe demokratëve të thjeshtë për t’u shpjeguar arsyet e humbjes dhe për të treguar rrugën që do të ndjekë si kryetar i partisë kryesore opozitare në vend.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera