Çfarë na bën ajri i ndotur?

Autori: Gazeta inFokus
09:42 | 10 January 2025
“Një minutë i makinës së ndezur mbush 150 tullumbace me gazra të dëmshme”.
Ky është vetëm njëri prej mbishkrimeve në tabelat e vendosura ditëve të fundit në Prishtinë, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve që t’i braktisin makinat dhe të ecin në këmbë.
Këto tabela janë një tjetër rikujtim për qytetarët e Kosovës se në çfarë ajri jetojnë. Çdo vit në sezonin e dimrit, atyre u shtohet edhe ky hall: çfarë ajri po thithin?
Ndotja e ajrit përbën ndër kërcënimet kryesore për shëndetin e njeriut, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë [OBSH]. Sipas saj, 99 për qind e popullsisë botërore, jeton në zona ku nuk përmbushen standardet për kualitet të ajrit.
Grimcat PM 2.5 që përhapen në ajër kanë ndikimin më të keq në shëndetin e njeriut.
Grimcat [PM 2.5 dhe 10] janë shumë të imëta, dhe për shkak të peshës së vogël qëndrojnë lehtë në ajër, prandaj depozitohen lehtë në organizmin e njeriut përmes ajrit të thithur.
Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës – përgjegjës për monitorim të cilësisë së ajrit – më 2024 janë regjistruar 32 ditë me ndotje të ajrit mbi standardin e përcaktuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit – pra 32 ditë kur grimcat e ajrit PM 10 kanë qenë mbi nivelet e lejuara, në krahasim me 120 ditë më 2010.
“Standardi i lejon vetëm 35 ditë. Ne e kemi ulur ndotjen, por kurrsesi nuk jemi të kënaqur që të kemi tejkalime. Qoftë edhe nëse një ditë, një orë, kemi tejkalim të standardit, për neve është e papranueshme”, ka thënë Shkumbin Shala, specialist i cilësisë së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, periudha më kritike e ndotjes së ajrit në Kosovë është prej nëntorit deri në shkurt.
Kush janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit?
Blloqet në termocentralin ekzistues të Kosovës A, kompanitë e mëdha sikurse Feronikeli, mbetjet e gjigantit metalurgjik Trepça, sektori i mbeturinave, sektori i transportit, ekonomitë familjare, mungesa e gjelbërimit dhe sektori i ndërtimtarisë në zonat urbane, konsiderohen shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes, sipas Shalës.
Sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2019, kosovarët dhe popujt që jetojnë në Ballkan dhe Evropën Lindore, thithin më shumë grimca toksike sesa fqinjët në Evropën Perëndimore, dhe kjo edhe për shkak të më pak politikave për reduktim të ndotjes së ajrit dhe ngrohjes dhe gatimit duke përdorur lëndë djegëse të ngurta [shporete me dru dhe qymyr].
Ngjashëm edhe në raportin e vitit 2024 të OBSH-së – për ndotësit e ajrit brenda ambienteve shtëpiake në Kosovë – përmendet se ndër burimet kryesore të ngrohjes për ekonomitë familjare në Kosovë është stufa me dru, si kërcënim real për shëndetin e njeriut, përfshirë edhe tymosjen e cigares në ambiente të brendshme.
Institucionet shëndetësore në botë vlerësojnë se ajri i ndotur shkakton probleme në sistemin e frymëmarrjes, kancer në mushkëri, bronkit, astmë, sëmundje kronike të mushkërive, probleme në sistemin kardiovaskular, probleme neurologjike, ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijëve, në sistemin riprodhues, dhe në probleme me lëkurën.
Personat e moshuar, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe të varfrit si kategori sociale, thuhet se e vuajnë më së rëndi ajrin e keq të një vendi.
Vdekjet e parakohshme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 1.150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit, çka paraqet 12.1 për qind të vdekshmërisë totale nga të gjitha shkaqet natyrore.
Instituti ka thënë se këto të dhëna i mbështet në studimin e kryer nga projekti Millenium Challenge Cooperation në periudhën 2017-2019 në Kosovë.
Institucione tjera kanë të dhëna tjera.
Sipas raportit të Bankës Botërore, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë për shkak të ekspozimit në ajër të ndotur.
Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis, numri i vdekjeve të parakohshme nga ekspozimi në nivele të dëmshme të grimcave PM 2.5 është ulur nga 3.888 në 2005, në 2.608 më 2021.
Më keq se Kosova, në nivel rajonal, janë Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Shkumbin Shala ia ka atribuuar këtë ulje adoptimit të praktikave të mira prej vendeve që veçse e kanë tejkaluar këtë fazë të ndotjes së ajrit.
Ai ka përmendur investimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) më 2013 për mbulimin e deponisë së hirit, shtrirjen e ngrohtores përmes KEK-ut në Prishtinë, si dhe vetëdijesimin e një pjesë të qytetarëve për dëmet e djegies së thëngjillit apo druve.
“Në vjetët e fundit kjo ulje nuk vërehet në masë të rënies drastike, siç ka ndodhur në të kaluarën, pasi investimet e mëdha janë bërë, tani na duhen investime të vogla, me korrigjime në zonat urbane, te pjesa e ndërtimit, te pjesa e bizneseve. Ndoshta komuna mund ta menaxhojë më mirë që disa biznese si, restorante, autolarje e servisime që nuk janë të nevojshme në qendër të qytetit, të largohen në periferi”.
Shala rekomandon se për përmirësim të mëtejmë të situatës, duhet të shtyhet përpara përdorimi i energjisë së rinovueshme, të përmirësohet sistemi i transportit publik, të ketë kontroll të emetimeve industriale dhe të ketë fushata ndërgjegjësimi për mbështetje të politikave mjedisore.
Çfarë mund të bëjë gjithsecili?
Autoritetet sugjerojnë se në ditët kur ajri është i cilësisë së dobët, nuk rekomandohet të dilni të ambiente të hapura, nëse nuk është e domosdoshme, apo të përdorni maskat e tipit N95.
Por, ajo që mund të bëni për ruajtje të ambientit përfshin mosdjegien e druve, qymyrit apo peletit, të reduktoni harxhimin e rrymës, të shmangni makinën dhe të ecni apo të përdorni biçikletën./rel

Të tjera
-
Qytetarët mblidhen para Klinikës Interne për ta parë nga afër Hashim Thaçin
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur mëngjesin e sotëm në Kosov...
-
Ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë i dyshuari për kultivim të mbi një toni kạnạbis
Një shtetas shqiptar i dyshuar për kultivim të drogës është ekstraduar nga Sh...
-
Finlanda nënshkruan marrëveshje të re bashkëpunimi për mbrojtje me Ukrainën, dërgon 200 milionë euro ndihmë
Ukraina nënshkroi të enjten një memorandum të ri mirëkuptimi për bashkëpunimi...
-
Misioni i Gjermanisë në NATO: Në Kosovë kemi shtuar rreth 300 trupa, në kohë sfiduese, mbetemi fort të përkushtuar për paqe
Misioni i Gjermanisë në NATO kanë shkruar për vizitën që ambasadori, Andreas ...
-
Nga diell në reshje bore? Ja si do të ndryshojë moti javën e ardhshme
Gjatë këtyre ditëve do të ketë reshje shiu, por jo me intensitet të lartë, ka...
-
Qytetarët e duartrokasin Hashim Thaçin teksa hyn në QKUK, ai kthehet i përshëndet me dorë
Ish-presidenti Hashim Thaçi sot ka ardhur në Kosovë për një vizitë te babai i...
-
Apeli i GJKKO-së lë në burg Erion Veliajn
Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryeba...
-
Hashim Thaçi në Kosovë, Haga jep detaje rreth vendimit për ta liruar për vizitë
Gjykata Speciale e ka konfirmuar vizitën në Kosovë të Ish-presidentit të Koso...
-
Hashim Thaçi ka ardhur në Kosovë, pamje nga QKUK ku ka shkuar për ta vizituar babanë e sëmurë
Ish-presidenti Hashim Thaçi sot ka ardhur në Kosovë në vizitë te babai i tij ...
-
Vëllezërit Menendez, të dënuar për vrạsjen e prindërve, pritet të dalin para bordit të lirimit me kusht në qershor
Erik dhe Lyle Menendez do të dalin përpara Bordit të Lirimit me kusht në Kali...
-
Hashim Thaçi arrin në Kosovë për ta vizituar babanë e sëmurë
Pas tri kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ia ka aprovuar kërkesën Hash...
-
Rusia parashtron kërkesa për bisedime me SHBA-në për Ukrainën, thonë burimet
Rusia i ka paraqitur SHBA-së një listë kërkesash për një marrëveshje për ...